Përse m’u desh të kërkoja në Dosjen e dikurshme, ç’ishte ky emocion elegjiak murimi, por dhe një ndjesi shkëputjeje, shkundje pluhuri, ngritje tjetër në jetë nën një shi të bardhë…
…kam qenë student në Shkodër dhe u dashurova me Kështjellën dhe Liqenin, kështu e ndjeja, me vjeshtën, i dija rrugët se ku mbusheshin më bukur me gjethe dhe shkelja mbi pirgje ari si më i pasuri në botë, pa asnjë lek në xhep, më pëlqenin puset, Markata të dielën dhe Teatri, por asnjë dramë deri në fund, doja dhe auditorin e madh, gjuhën më shumë, sidomos te vajzat, shiun, që, kur niste, s’dinte të mbaronte dhe këpucët që më fusnin ujë, përmbytjet si një Venecia e trishtë, pse, vërtet kishte një Venecia dhe sa më janë dhimbur kishat që s’ishin më kisha, edukata me atë humorin e rrezikshëm, madje dhe më ka arrestuar policia, më mbyllën në birucë veç një ditë, poezitë në Shkodër më magjepsën, ato që gjenim fshehurazi, të ndaluarat si dhe miqësia mitomane me poetin Frederik Rreshpja… “Kafja e Madhe”, bisedat për Migjenin… dhe nën zë: vinte këtu dhe Ernest Koliqi… po At’ Gjergj Fishta… dhe vazhdonim me metaforat dhe hermetizmin dhe liberalizmin e fillimit të viteve ‘70… ashtu më dukej se shkruaja dhe unë, Fredi m’i pëlqente, dërgova dhe një libër me poezi për botim… dhe nga ky shkak nisi dhe katastrofa ime, jo vetëm imja, por sot dua të kujtoj një poezi, si elegji më duket sot, “Djali i Rozafës”, e kam shkruar student, e dija të humbur, e gjeta në dosjen time penale, një fletë format e daktilografuar, Ilirjani e ka shtypur sigurisht me makinën e shkrimit të punës, ai pergjërohej për poezinë time, e vëllait më të vogël, ka ca shenja me stilograf, të mbetura që nga atëhere, pikëçuditëse në fillime vargjesh, o i kanë vënë redaktorët e shtëpisë botuese, ata që bënë akt-ekspertizën o hetuesi dhe ato sikur m’u shndërruan në pranga… por Shkodra ishte pranga ime, prangë dashurie dhe s’e di pse e kërkova sot këtë poezi, më kapi një merak për Shkodrën, e gjeta poezinë dhe një fotografi timen, student, mbase ngjaj më i madh, ashtu më dukej vetja atëhere, kam dalë te një portë, te grilat, duhej të ishte e dyqanit të fotografëve, afër qendrës, jo shumë larg bustit të Stalinit, që shkodranët e vjetër e shanin gjithë qejf e maraz, unë kam fare pak mjekërr, as aq nuk lejohej, por mua më dolën nja dy plagë në faqen e djathtë dhe ndihmës mjeku i Institutit më tha të mos rruhesha nja ca ditë, prandaj jam dhe në profil, të së njëjtës kohë janë dhe poezia dhe fotoja, kur unë isha i bindur se isha djali i Rozafës, që e murosën në Kështjellën, ku shkoja shpesh, në pjesën që lejohej, se ishte bërë repart ushtarak, por muret e trasha, tavani mitik pikonin ende qumësht dhe gratë malësore, që s’kishin gji për foshnjën, vinin dhe e lyenin aty, në rrëketë që rridhnin të bardha, që të kishin qumësht… do ia tregoja këtë histori vonë dhe sime shoqeje, Edës, kemi ardhur në Kështjellë dhe me djalin, Atjonin, kishte ardhur dhe vetëm, po e donte shumë, unë thosha se Rozafa është legjenda më e bukur në botë për nënat… kështu besoj dhe… e ëndërroja Shkodrën si një qytet të gjithë të Rozafës, në qendër një shtatore të madhe të saj, kompleks skulpturor, blloqet ose lagjet të ndara me emrat: Vëllai i Madh, Vëllai i Mesëm, Vëllai i Vogël, Nëna… Kunata I, Kunata II, Kunata III… Plaku i Urtë… Materniteti i Ri “Nina-nana e Rozafës”, Teatri i Ri “Djali i Rozafës”… Sheshi i Ri “Besa”… Rruga e Djepit”… Restorant “Buka e Legjendës”, Hotel “Qumështi i Kështjellës”… Unaza e Rozafës… Stadiumi “Tre vëllezërit…”, “Parku i Lojnave të Djalit të Rozafës”… Biblioteka…. uzina… Stacioni… etj, të gjitha të lidhura me legjendën e mrekullueshme…, po kjo ëndërr është, them me vete… dhe marr ndër duar poezinë e hershme… dhe ajo si e lyer me qumësht dhe gjak kështjelle më duket… tashmë të thara mbi të…
Visar Zhiti
DJALI I ROZAFËS
Rozafë!
Qumështi i Kështjellës
pikon mbi klithmat e mia.
Kam qarë për ty i braktisur,
nënë,
me gjinjtë jashtë
si dy gurë varresh.
Unë isha foshnja
që zvarritej
mbi trupin tënd prej legjende të mermertë
nën ëndrrën e vdekur të hënës.
Të putha buzët
me fytyrën time të mbytur
Kam qarë. Kaq shumë kam qarë
M’u tretën sytë
që unë të bëhesha Homeri i verbër
i Iliadës tënde të dashurisë tragjike!
Oh, nëna ime
prej kështjelle në muzg!
NJE MREKULLI.TE LUMTE........
Përgjigju