Patriarku Vartolome dhe Fortlumturi Joani ne Kostantinopoje

Sociale
Kultura

Fjalët e rralla të Patriarkut Ekumenik për Fortlumturi Joanin: Ju njohim, Zoti ju ka pajisur bujarisht me virtyte të vlefshme për këdo dhe për Atdheun tuaj të bekuar!

15 Qershor, 20:46| Përditesimi: 15 Qershor, 21:41

  • Share

 

Të dielën, më 15 qershor 2025, gjatë Liturgjisë Hyjnore të kremtuar në Kishën Patrarkale të Shën Gjergjit në Fanar, Patriarku Ekumenik, Tërëshenjtëria e tij, z. Vartolome, drejtoi një fjalë përshëndetëse dhe thellësisht simbolike ndaj Kryepiskopit të ri të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Joanit.

Në fillim të fjalës së tij, Patriarku theksoi se “... e mirëpresim me çdo nderim dhe me dashuri të thellë vëllazërore Kryepiskopin e ri të Kishës së Shenjtë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij, Joanin dhe delegacionin e Tij të përzgjedhur. Në fytyrën e Tij të nderuar përqafojmë tërë popullin besimtar të Kishës sonë motër Orthodhokse të Shqipërisë”, duke çmuar lidhjen e pandërprerë të Kishës së Shqipërisë me Patriarkanën Ekumenike. “I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit. Ju, nuk keni ardhur në një vend të huaj, por jeni kthyer në tuajin, në shtëpinë e Kishës tuaj Mëmë shpirtërore, në vendin ku edhe vetë Kisha e Shqipërisë u rrit si bijë e zgjedhur dhe e dashur, si shumë Kisha të tjera të Ballkanit dhe të Evropës”, vijoi ai, duke nënvizuar me ngrohtësi mikpritëse këtë vizitë.

Tërëshenjtëria e Tij përmendi lidhjen e gjatë dhe të thellë të Kryepiskopit Joan me të ndjerin Kryepiskop Anastas, duke thënë: “Ju kemi njohur, Fortlumturi, për shumë vite si bashkëpunëtorin më të besuar dhe më të çmuar të paraardhësit tuaj të ndjerë, të të paharruarit dhe të papërsëritshmit Kryepiskopit Anastas, Apostullit të ri të Shqipërisë.”

Një moment i rëndësishëm i fjalës së Patriarkut ishte vlerësimi i kontributit të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë në Sinodin e Madh dhe të Shenjtë Orthodhoks në Kretë, në vitin 2016, ku “Kryepiskopi Anastas së bashku me Imzot Joanin dhe hierarkët e tjerë, ndriçuan me praninë e tyre dhe kontribuuan në mënyrë vendimtare në suksesin e punimeve të Sinodit.”

Me një gjuhë të pasur simbolike dhe frymëzuese, Patriarku përmendi gjithashtu rikthimin e pranverës shpirtërore në Shqipëri pas dimrit të gjatë të regjimit ateist, duke përdorur fjalët: “Lavdi Zotit, dimri më në fund kaloi, rrebeshi u largua, lulet u shfaqën mbi tokën e shenjtorëve, martirëve dhe homologjetëve të besimit, të cilët festojnë sot së bashku me të gjithë Shenjtorët”.

Duke vlerësuar veprën 33-vjeçare të Kryepiskopit Anastas, Patriarku tha se “ajo tashmë matet me peshore të artë nga historia... për tridhjetë e tre vite ai ringjalli, ndërtoi dhe forcoi Kishën tuaj përmes veprash kishtare, shpirtërore, akademike, filantropike, arsimore, ndërkishtare, ndërfetare dhe, pa dyshim, apostolike... Trashëgimia që Kryepiskopi i ndjerë Anastas ka lënë është e madhe dhe e rëndë, por e ndritur dhe e lavdishme.”

Duke u ndalur tek cilësitë personale të Fortlumturisë së Tij, Patriarku Vartolome u shpreh me bindje: “Zoti ju ka pajisur bujarisht me virtyte: me trimëri dhe fisnikëri, me ndershmëri dhe përkushtim, me njohuri të thella, me formim teologjik dhe shpirtëror, me zgjuarsi dhe zell të pashuar, me besnikëri të devotshme ndaj rregullit kishtar dhe me dashuri sakrifikuese për popullin tuaj, për bashkepiskopët dhe bashkëpunëtorët tuaj, për atdheun tuaj të bekuar.”

Në përmbyllje, ai garantoj nga ana e Patriarkanës Ekumenike: “Nga ana jonë, Fortlumturi, do të keni mbështetje vëllazërore, bashkëpunim të sinqertë dhe dorë ndihme të gatshme për gjithçka që do t’ju nevojitet.”

Ai theksoi gjithashtu se “në çështjet ndërorthodhokse dhe ndërkishtare, si edhe në përballjen me nevojat globale të njeriut bashkëkohor, jemi të bindur se do të kemi bashkëpunimin tuaj të përzemërt.”

Fjala e Patriarkut përfundoi me një thirrje të qartë: “Ne kemi detyrimin të japim një dëshmi bindëse përpara të gjithëve, atyre që janë afër dhe larg, se Ungjilli i Krishtit është përmbajtja e vërtetë e zemrës sonë dhe e jetës sonë personale dhe kishtare.”

a.m./S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se rinumërimi i 44% të kutive të votimit do ndryshojë rezultatin?