Fjalimet e Berishës nga ballkoni, Kikia: Deputetët i shkojnë për qokë, mbajnë kokën ulur! Kadilli: Humbi shansin të dilte me dinjitet nga politika

4 Janar, 21:59| Përditesimi: 5 Janar, 07:27

  • Share

Daljet e Sali Berishës në ballkonin e banesës ku po mbahet në arrest me urdhër të GJKKO, shihen nga analistët dhe politikanët si fundi politik i ish-kryeministrit.

Gazetari Mentor Kikia i ftuar në studion e “Frontline” me gazetaren Marsela Karapanço i cilësoi personat të cilët mblidhen poshtë dritares së banesës së Sali Berishës, si ‘tufë njerëzish të dëshpëruar që vajtojnë’. Madje edhe deputetët e pranishëm, sipas Kikias shkojnë poshtë dritares së banesës së Berishës vetëm për qokë.

“Ata që shkojnë aty, shkojnë me kokën poshtë. Një pjesë e deputetëve shkojnë për t’i bërë një qokë një njeriu që është në fazën e qokës. Nuk dua të paragjykoj simpatizantët e vërtetë që duhen adhuruar për këmbënguljen që kanë.  Por situata është qesharake. Berisha nuk është udhëheqësi i opozitës i ndaluar sepse po bën opozitë. Nëse do flasim për aktorin kryesor që e akuzon për arrestimin e tij, Edi Ramën, unë mendoj se po të isha në vend të Ramës mund të investohesha që Berisha të qëndronte përballë tij. Berisha nuk shkon dot në pushtet, ka mbaruar ajo histori, edhe ai vetë e di se nuk shkon në pushtet. Sonte duhet mbyllur kapitulli i lajmeve që kanë të bëjnë me Sali Berishën. Për fat të keq ai ka tërhequr pas vetes atë copë opozitë që ka me vete dhe ajo turma e njerëzve sado idealistë që ka aty do vijë duke u shuar. Do mbyllet ajo dritare nga ku flet ai.  Opozita ka nevojë të ringrihet. Me Sali Berishën kemi dëshmuar modelin më të qartë të kultit të individit. Një tufë njerëzish të dëshpëruar rrinë aty e vajtojnë poshtë dritares së Berishës”- u shpreh Kikia mes të tjerash.

Gjithashtu, ish-kandidati për kryetar të PD, Fatbardh Kadilli u shpreh se Sali Berisha është tashmë në kuotat më të ulëta politike dhe theksoi se e ka humbur shansin që ta mbyllte me dinjitet karrierën e tij politike.

“Sot Berisha është në kuotat më të ulëta politike. Fakti që përgjërimet që njerëzit të dilnin në protesta, u refuzuan masivisht tregon se nuk ka mbështetjen që pretendon se kishte .Fakti që në atë rrugë ku ka banesën mblidhen shumë pak njerëz, e tregon këtë.  Unë besoj se njerëzit me dinjitet duhet të kujdesen për mënyrën sesi dalin nga skena. Politikani nuk duket ditën që hyp në pushtet por në ditën kur lë pushtetin. Ai e humbi shansin që në vitin 2013 ta mbyllte me dinjitet politikën. Nuk e mbylli sepse ishte personi që përcaktonte vendimmarrjen kryesore në PD. Shumë vendime të rëndësishme janë marrë gjithmonë në sinkron absolut mes Berishës dhe Bashës. Djegia e mandative dhe moshyrja në zgjedhje janë të Berishës si teza, mos t’ja faturojmë Bashës”- tha Kadilli.

Ndërsa politikani Gjergj Koja tha se procesi që po ndodh ndaj Sali Berishës është nisja e zëvendësimit të elitave dhe tha se ish-kryeministri po përpiqet të luajë kartën e tij të fundit të viktimizimit dhe martirizimit politik.

“Berisha do humbasë mundësinë e të qenit më lajm, sepse çdo ditë e më tepër po i largohen mbështetësit. Mendoj se gjithcka që po i ndodh sot Berishës është fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë. Dhe kjo ecën paralelisht në fillimin e fundit të demokracisë të negociuar me Ramiz Alinë. 2024 do jetë një vit demokracisë që presin amerikanët dhe BE.  Ky process që po i ndodh Berishës është fillimi i zëvendësimit të elitave. Po tenton të luajë kartën e fundit të viktimizimit dhe martirizimit”- argumentoi Koja.

Ndërsa gazetari Ferdinand Dervishi tha se Berisha ra viktimë e një përllogaritjeje për ta future në arrest shtëpie.

Ora 22:08
Gazetari Kikia: Berisha e shndërroi PD-në në ‘partinë e rrugicës së Salës’! Nxjerr flamurin në ballkon dhe e lidh si gomarin tek pema

 

Gazetari Mentor Kikia tha se Sali Berisha e ka kryer Partinë Demokratike në “partinë e rrugicës së Salës” duke ironizuar grumbullimet e militantëve të Berishës poshtë ballkonit të shtëpisë ku po mbahet në arrest.

I ftuar në studion e emisionit “Frontline” në Report Tv, Mentor Kikia tha se në këtë situatë që është PD nuk mund të shkojë as në zgjedhje për kryetar komune dhe jo më për ato parlamentare.

“Nga PD e shndërroi në partinë e rrugicës së Salës. Nuk ka shpresë në atë rrugicë. Në momentin kur dha dorëheqjen në 2013-ën duhet të ishte tërhequr dhe duhej të rilindte një lidership i ri brenda partisë. E ka marrë me vete në ballkon dhe e ka lidhur si gomarin tek pema. Kjo është fataliste. Sa më shpejtë ta kuptojnë të gjithë, të paktën ata që janë aty brenda, se PD nuk mund të shkojë as për zgjedhje për kryetar komune e jo më për zgjedhje parlamentare.  Me mbylljen e ballkonit Berisha po përgatit vajzën për t’u prirë atyre mbështetësve aty. PD mund të vazhdojë të jetë alternativë e fortë opozitare por jo qeverisëse”- tha Kikia.

B.V//ReportTv.al
Komento

Komente

  • poli: 05/01/2024 01:05

    te gjithe juve ne pd,,duhet te izoloheni si saliu...duhet te ikni nga TV...SE NUK DUROHENI ME...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?