Opinion

Fjalimi i PLOTË i fitores/ Edi Rama: Sfida më e madhe se asnjëherë, vendosim karrigen e Shqipërisë në tryezën e BE

14 Maj, 20:40| Përditesimi: 14 Maj, 20:47

  • Share

*Fjala e kryesocialistit Edi Rama pas fitores së Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit

-Për 30 ditë shqiptarët dëgjuan, vlerësuan, gjykuan dhe në 11 maj, ata vendosën të na besojnë ne Partisë Socialiste mandatin e katërt

Ja ku u rikthyem këtu, 33 ditë nga dita kur u nisëm, fillimisht me gratë e vajzat komando të Partisë Socialiste në të 12 qarqet, e pastaj të gjithë, prej këtij sheshi të Skënderbeut, për të mbledhur çfarë mbollëm, me shumë punë e plot mund, për katër vite me radhë, në zemrat e në mendjet e shqiptarëve.

Për 30 ditë shqiptarët dëgjuan, vlerësuan, gjykuan dhe në 11 maj, ata vendosën të na besojnë ne Partisë Socialiste mandatin e katërt.

Dhe na besuan më shumë se asnjëherë më parë, për një sfidë më të madhe se asnjëherë më parë, sepse në katër vjet, ne mbollëm ende më shumë besim tek Shqipëria, prandaj mblodhëm ende më shumë besim nga shqiptarët.

Ne mbollëm ende më shumë shpresë për Shqipërinë, prandaj mblodhëm ende më shumë shpresë nga shqiptarët.

Ne mbollëm krenari ende më të madhe për Shqipërinë Europiane, që po ndërtojmë gur pas guri, prandaj  mblodhëm votat e një mbështetjeje referendare, për Shqipërinë që do të anëtarësojmë në Bashkimin Europian, vit pas viti. 

Këto zgjedhje përballën Shqipërinë që di çfarë do e di çfarë bën dhe punon e nuk ndalet, duke u ngjitur lart e më lart, me Shqipërinë që di vetëm kë nuk do, e s’di çfarë flet dhe shan e mallkon papushim, duke u ulur poshtë e më poshtë.

Shqiptarët zgjodhën mes një Shqipërie gjithnjë e më të mirë, të udhëhequr me krenari e të qeverisur me vendosmëri, në rrugën e mundimshme të fatit tonë europian dhe një Shqipërie të përgojuar, si vend gjithnjë e më i keq i tërë të zezave, me sy të nxirrë nga grushtat e urrejtjes politike dhe trupin e tërhequr zvarrë nga gjuhët e palodhura të asaj urrejtjeje.

Mes dritës së yjeve të Europës dhe errësirës së gropës së një kapeleje fake, Shqipëria zgjodhi yjet. Mes ngjitjes së vështirë në majë dhe rënies symbyllur në humnerë, Shqipëria zgjodhi ngjitjen. Mes korit tonë për Europën dhe një grumbulli radiosh të vjetra me ca tikitake rreth e rrotull, Shqipëria zgjodhi korin tonë.

Faleminderit Shqipëri!

Në kujtesën time kjo fjalë fitoreje, ka qenë më e vështira deri më  më sot, për t’u bërë një fjalë që e thotë dot atë çka është për mua kjo fitore. Dhe ndjesë, sepse realisht më është e pamundur të arrij ta them me gojë, gjithçka ndjej dhe mendoj prej orësh të gjata, ditësh e netësh pa gjumë, përballë një arritjeje të tillë, e cila është historike, jo thjeshtë për përmasën e fitores së Partisë Socialiste, po mbi të gjitha për momentin historik, kur kjo fitore mori jetë për Shqipërinë.

Nuk ka fjalë të mjaftueshme për t’i falenderuar dhjetëra e dhjetëra mijëra gratë e burrat, vajzat e djemtë e familjes sonë të madhe politike, që katër vjet me radhë, e shtruan me përpjekje, durim e disiplinë, në çdo territor të Shqipërisë, e së fundmi, për nëntë muaj pa pushim, edhe në çdo drejtim jashtë kufijve tanë ku jetojnë shqiptarët, rrugën e kësaj fitoreje të paharrueshme.

Faleminderit!

Aq herë faleminderit, saç janë anëtarë dhe anëtare të familjes sonë politike që bëri si duhet pjesën e vet për këtë fitore.

Aq herë faleminderit sa çdo mbështetës i Partisë sonë Socialiste, që dha votën e vet për këtë fitore dhe sa çdo zgjedhës që këtë herë erdhi me votën e tij drejt nesh, edhe pse mund të mos jetë tradicionalisht me ne.

Një falenderim krejt të veçantë, dua ta bëj për shqiptarët e Greqisë, Italisë, Europës, Amerikës e kudo tjetër, ku qoftë edhe një shqiptar i vetëm u regjistrua si zgjedhës.

Ka qenë një ushtrim i parë historik për nga fakti i herës së parë dhe fantastik për nga numri i pjesëmarrësve në raport me atë të të regjistruarve, një ndër më të lartët në votimet e diasporës që kemi parë nëpër Europë.

Shumë faleminderit!

Nga zemra një përqafim të gjithëve nga Sheshi i Gjergj Kastriotit!

Edhe pse numërimi vazhdon, është e qartë që shumica jashtë kufijve, mendon njësoj si shumica brenda kufijve, për Shqipërinë që ecën në drejtimin e duhur dhe Shqipërinë 2030 në BE me ne të gjithë së bashku me mua e me Partinë Socialiste.

Kjo do të thotë shumë për mua, ne të gjithë, e nuk e di se si mund ta them akoma, se s’di vërtetë se si t’i falenderoj të gjithë sa dhe si duhet.

Faleminderit, faleminderit, faleminderit!

Aq herë faleminderit të gjithëve sa ç’ka shqiptarë e shqiptare nën këtë qiell, nga ata që ngrihen të parët fare, pa u gdhirë për të punuar tokën dhe deri tek ata që nuk venë gjumë në sy derisa gdhihet, për ta mbrojtur këtë tokë, sepse në radhë të parë falë tyre, shumica dërrmuese e shqiptarëve votoi për një Shqipëri që ata e dinë më mirë se kushdo bëhet gjithnjë e më mirë.

Edhe këtë herë, njësoj si herën e shkuar, ime më Aneta, nuk më ndoqi si hije dashurie pa kushte, në atë pozicionin e saj legjendar para televizorit si në një llogore lufte, deri ditën që iku të ribashkohet me tim atë.

Por duke qenë se edhe këtë herë, që të dy, u tërhoqën jashtë nga varri në fushatën e mosozotshme të të mosozotshmëve, dua t’u them të ma bëjnë hallall dhe besoj se po na shohin nga lart së bashku dhe janë krenarë për mua dhe janë krenarë për Shqipërinë që të gjithë bashkë ne po ndërtojmë.

Ndërkohë që unë jam sot përsëri shumë krenar, për Rean dhe për Gregun, që vazhdojnë të mos na shkaktojnë asnjë dhimbje koke, e që e jetojnë jetën e tyre larg dritave të skenës, larg zyrave të shtetit, larg çdo marëdhënieje në konflikt interesi, duke duruar, sidomos Rea, agresione të rënda verbale shpifjesh nga më të neveritshmet.

Ju falenderoj nga zemra të dyve dhe si gjithnjë, uroj t’ju bëj krenarë me punën time sot dhe ishallah me me gjurmën e time nesër.

Por falënderimin më të veçantë e kam për të vetmen opozitë që unë vazhdoj të mos arrij ta mund dot - po shyqyr më pranon në qeverinë e unitetit - Linda Ramën, mamanë e paepur të Zahos, nënën kryelartë të Reas dhe shoqen besnike të Gregut. Linda është është shtylla që mban katër këndet e tavanit tonë. Shumë faleminderit grua dhe besoj se mund të flas edhe në emrin tënd, duke falenderuar edhe Zahon, të cilin e kemi ngjitur si bateri me energji diellore.

Kjo fitore me notën 10, të cilën e kisha parandjerë dhe paralajmëruar prej shumë kohësh, mund të jetë pabesueshme për ata që as e kanë kuptuar, që Shqipëria sot është një Shqipëri krejt tjetër nga ajo dje, dhe as nuk duan ta kuptojnë që ky popull s’ka për ta ndryshuar kurrësesi qeverinë që ka, pa ndryshuar më parë opozitën që s’do.

Po kjo fitore nuk është hiç e pabesueshme as për mua, që e kam kërkuar përditë këtë fitore, qysh katër vjet më parë, në momentin kur sapo zbrita nga podiumi i vendosur këtu, në mbrëmjen e fitores së mëparshme, dhe nuk është hiç e pabesueshme as për të gjithë ata, duke nisur nga shumë këtu, duke filluar nga drejtuesit politikë të qarqeve, që bashkë me mua punuan fort katër vjet me radhë, për ta sjellë në shtëpinë tonë rezultatin historik të 11 majit.

Koha do ta thotë nëse rezultati i kësaj përballjeje me kundërshtarët tanë të kahershëm dhe të pandreqshëm, është në fakt rezultati i një përballjeje përfundimtare me historinë tonë të mundimshme, në kushtet kur na ra neve, shansi t’ia ndryshojmë përgjithmonë rrjedhën historisë.

Gjithësesi, në kryqëzimin mes një palë zgjedhjesh politike, për partinë që do të qeverisë katër vjetët e ardhshme dhe një mundësie historike, që Shqipëria 2030 të bëhet zonjë anëtare e familjes së bashkuar europiane, ne u bëmë partia që e mishëroi fuqishëm mundësinë historike, në sytë e shqiptarëve që e duan zonjën Shqipëri në sofrën e BE-së dhe veten e tyre qytetarë të barabartë të BE.

Të tjerët u munduan të na rendnin pas, me sharje lebetitëse e premtime ulëritëse, por dora-dorës mbetën mbrapa, derisa mbetën shumë mbrapa.

Megjithatë, edhe pse rezultati përfundimtar nuk ka dalë akoma e mbase s’do të mbetet krejt i njëjti, unë dua t’i përgëzoj udhëheqësit e partive të vogla opozitare, të cilët bënë betejat e tyre jo të lehta dhe i mbijetuan presionit jo të vogël të ajrit mes forcave kryesore. Uroj që të mos ecin më tej në gjurmët e opozitës së vjetër e të falimentuar totalisht, po të gjejnë mënyrat e durimin për t’u rritur si alternativa e jo si volume zanore në mexhelisin tonë politik.

Mandati që ne po mbyllim ishte deri tani mandati më i fortë qeverisës i një partie politike, qysh prej vitit 1992, ndërsa ky që sapo na kanë dhënë shqiptarët, do të jetë një mandat politikisht po aq i fortë, sa ai i atij viti kthese në historinë politike të Shqipërisë, pikërisht në 1992.

Dhe ne do të bëjmë të pamundurën, që ta bëjmë një mandat po aq domethënës edhe historikisht, duke i mbyllur brenda vitit 2027 negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe duke e vendosur karrigen e Shqipërisë, në tryezën e madhe të familjes europiane, në vitin 2030.

Koha e deshi, që në këtë shesh të Skënderbeut, kërthizë e Europës së Ballkanit dhe xhevahir i kryeqytetit tonë europian, ne t’ua kërkojmë shqiptarëve të na e besojnë neve, administrimin e shansit historik të bashkimit me Europën dhe ndarjes pa kthim njëherë e përgjithmonë me Azinë, të cilin fati e solli pikërisht në këtë kohë në duart e Shqipërisë.

Dhe shqiptarët na e plotësuan kërkesën me një mbështetje po aq kuptimplotë sa sfida e madhe që na risolli në këtë shesh sot, si bartës të mandatit më të rëndësishëm e më sfidues të Partisë Socialiste, qyshse të paktën unë jam në krye të saj; një mandat i fuqishëm sa s’ka, ama për të fituar një bast historik sa s’ka, me Europën për Shqipërinë dhe me Shqipërinë për Europën.

Ky është një mandat për t’u bërë një me fatin europian që kalorësi mbi kokat tona, profeti ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, na e përcaktoi si fatin tonë të patjetërsueshëm, e që pas tij breza të tërë shqiptarësh e bartën, duke e fshehur e nxjerrë përsëri, mbuluar e rizbuluar përsëri, duke mohuar me gojë, duke e ripohuar me akte, në kalvarin e tyre disashekullor për mbijetesë, derisa rilindasit tanë, heronjtë e pavarësisë dhe luftëtarët e mendimit patriotik shqiptar, na e lanë të shkruar me alfabetin shqip e të stampuar në flamurin e kuq me shkabën dykrenare, përmes një odiseje të pafundme kapërcimi kohërash shtypëse e mjegullash verbuese, që për ne dielli lind andej nga perëndon dhe askund tjetër.

Ky është një mandat për ta bartur me shpirt ndër dhëmbë gurin e pavarësisë së drejtësisë e të barazisë para ligjit, derisa të mos e luajë më topi nga themelet e ngrehinës europiane të shtetit shqiptar, ku fantazmat e pandëshkueshmërisë nuk mund të gjejnë më kurrë vend.

Ky është një mandat që shqiptarët na e besuan pikërisht neve, në një kohë kur gjëmimet e kanosjet e luftës dhe rrëmuja e re gjeopolitike paralajmërojnë kohë me sfida të mëdha përpara, sepse   shqiptarët e dinë se vetëm ne dhe askush tjetër mund ta udhëheqim Shqipërinë në një kohë të tillë pa humbur busullën dhe pa humbur ritmin.

Ky është një mandat për një sfidë historike, e cila na imponon të bëjmë çmosin për të qenë sa më të bashkuar e sa më të vetëdijshëm për fatin që na ka ardhur në dorë – por nuk na ka ardhur përgjithmonë –  prandaj na takon ne për t’i dhënë fund historisë së një populli të dorës së dytë, të nëpërkëmbur e të përjashtuar nga fati i vet, dhe për t’u dorëzuar fëmijëve tanë, një vend brenda kufijve të Bashkimit Europian, ku askush më, kurrë, të mos e shohë shqiptarin si të huaj, e ku shqiptarët të jenë zot të barabartë shtëpie.

Ky është një mandat për një Shqipëri të re, me një pozicion e fuqi të re, për të cilën ne do ta rrisim prodhimin e përgjithshëm kombëtar nga 25 miliardë euro që është sot në 35 miliardë euro;

do t’i rrisim të ardhurat për frymë nga afro 10.400 euro që janë sot në të paktën 15.000 euro;

do ta rrisim pagën mesatare në sektorin publik nga 1000 euro që e kemi sot në të paktën 1200 euro;

do ta rrisim pagën e përgjithshme mesatare, nga  830 euro që është sot në mbi 1000 euro…

Ky është një mandat ku do të jemi edhe më pranë pensionistëve, me synimin që ta ngremë pensionin minimal në 200 euro, ndërkohë që pagën minimale do ta ngremë nga janari 2026 në 500 euro dhe në Shqipërinë 2030 ta kemi të paktën 650 euro.

Ky është një mandat për Shqipërinë Turistike me investime shembullore të nivelit më të lartë nga Veriu në Jug dhe me Tiranën si platformë e një koleksioni spektakolar të arkitekturës;

Ky është një mandat për Shqipërinë me një industri të rilindur ushtarake dhe një industri të zhvilluar agroushqimore;

Ky është një mandat për Shqipërinë me një nivel ende më të lartë sigurie dhe rrugë kombëtare, qytete të mëdha e shkolla të mbuluara me kamera inteligjente për sigurinë e të gjithë fëmijëve tanë në radhë të parë.

Ky është një mandat për Shqipërinë me një qendër shëndetësore rajonale ekselence në kompleksin e QSUT dhe me një spital të gjeneratës së fundit në zonën e Durrësit;

Ky është një mandat për Shqipërinë me një universitet europian mjekësie dhe me një nivel të ri mbrojtjeje të mjedisit e administrimi të mbetjeve;

Ky është një mandat për Shqipërinë me shërbime ende më moderne digjitale për qytetarët, me një arsim ende më të zhvilluar digjital, me parqe të zhvilluara digjitale e me një ekosistem shumë më të zhvilluar digjital;

Ky është një mandat për Shqipërinë me Korridorin Blu dhe Korridorin e Tetë që do të hyjnë në operim - me Portin e Madh Tregtar të Durrësit që do të hyjë në operim – me portet turistike në operim – me të katër aeroportet në operim e me hekurudhat kryesore në kantier…

Ky është një mandat me besim të lartë, për një besim të lartë tek Shqipëria, mu ashtu siç e pa Naimi kur u ngazëllye e këndoi:

“Jak' e vërtetë! Pse rri e qetë?

Për Shqipërinë Ditët e mira Paskëtaj vinë.

Shkoj errësira, Lum kush të rronjë, T'a shohë zonjë!”

Motra dhe vëllezër, 

Shokë, shoqe,

Eshtë e disata herë gjatë këtyre javëve që do të përsëris se unë nuk besoj tek rastësitë, sepse s’ka se si të jetë kaq e mrekullueshme rastësia, kur pasi populli - duke iu përgjigjur fuqishëm thirrjes sonë nga ky shesh e pastaj në të tëra sheshet dhe rrugët e Shqipërisë - i ka transformuar zgjedhjet politike, në një referendum për bashkimin sa më parë të Shqipërisë me Europën, Europa mbarë, do vijë e do zbresë në këtë shesh, me tërë udhëheqësit e saj, ndër të cilët kryeministri i Britanisë së Madhe, vjen i pari për ta nisur qëndrimin e tij në Tiranë me një vizitë bilaterale, e para në histori e një shefi të qeverisë britanike, ndërsa Presidenti i Francës largohet i fundit pasi do të qëndrojë pas Samitit për vizitën e tij të dytë bilaterale në Tiranë.

Shqipëria e tre ditëve që vijnë do të jetë në kuptimin e vërtetë të fjalës, qendra e Europës dhe paskëtaj do ta nisë javën e re me një imazh edhe më të mirë, edhe më të fortë, edhe më krenar, si Europa e Ballkanit që do të jetë lajtmotivi, do të jetë inspirimi, do të jetë burimi i të ghjithë energjive dhe patjetër forca e këmbënguljes sonë për katër vite të tjera me radhë.

 

Kini besim tek Shqipëria sepse Shqipëria ka besim tek ne dhe mbi të gjitha besojeni më shumë se asnjëherë tjetër se më e mira për Shqipërinë dhe shqiptarët është e gjitha përpara, por jo aq përpara sa të mos e arrijmë, por është aq përpara sa ne të gjithë së bashku do ta arrijmë.

Shumë faleminderit dhe njëherë tjetër, shumë mirënjohje, përulësisht respekt për të gjithë ju dhe për të gjithë ata, që me votën e tyre na dhanë një energji të jashtëzakonshme dhe po e mbyll duke i siguruar të gjithë se asnjë vat nga kjo energji, nuk do ta lëmë pa e shkrirë për tua kthyer mbrapsh atyre dhe Shqipërisë.

Shumë faleminderit të gjithëve!

Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë!

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A do ndikojë vota diasporës në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve?