Edi Rama në Athinë

Fjalimi i Ramës në Athinë i nxori kundërshtarët e tij lakuriq

15 Maj, 09:36| Përditesimi: 15 Maj, 09:38

  • Share

Të gjithë patën mundësinë të shihnin se fjalimi u fitoi zemrën të pranishmëve. Me gjasa, opozita do të duhej të heshtëte hë për hë, por nuk ndodhi! Sharjet për mitingun, për fjalën e mbajtur nga kryeministri, por dhe të tjerët, që folën sa më bukur s’pritej, mbeten argumenti i atyre që nuk kanë të drejtë. Inati dhe zemërimi u ka zënë sytë, veçse i turpëron.

Në sharjet e gjetjet fyese, duke kuptuar se nga si vajtën gjërat në takimin e kryeministrit me emigrantët, ata që i largohen edhe më pushtetit e që nuk janë në gjendje të sundojnë sjelljen, flasin marrëzira që si besojnë as vetë, që thjesht mashtrojnë vetveten. Në pamje të parë, gjë që ata përpiqen ta fshehin, duket sikur e kanë personale me Edin, por në të vërtetë urrejtja shtrihet mbi emrin Shqipëri e natyrisht, mbi Partinë Socialiste-organizatore e takimit.

Mediat greke i kushtuan më shumë vëmendje e komente atyre 20 vetave të rithemelimit, që në traditën e antimitingjeve të PD-së (meritën e të cilave si gjetje nuk mund t’jua mohojë kush), çirreshin në një nga qoshkat e humbura të periferisë së pallatit të sportit. Këta ushtarë të ngratë e kanë nga Mesjeta rendjen pas kapedanit, ndonëse qe kapedani i tyre që kandidoi dhe mbështeti Belerin, ndonëse ua kish përdhosur simbolet kombëtare, ndonëse ishte dënuar me burgim dhe rezultonte si i dyshuar në vrasjet e ushtarakëve shqiptarë në Peshkëpi! Këtë Belerin, që mbronin antimitingashët e Berishës dhe Metës, politika greke, vetë Micotaqisi, e mbajnë tani në qafë si stoli të çmuar, si zbukurim të rreckës vorioepir që ai orvatet te valëvisë.

Emrat e atyre që s’vonuan të baltosin takimin ishin dhe mbeten po ata: Berisha me familjen; Meta me pronën-klan që e quan parti e që ai e vërtit si tepsie në duar; Basha dhe ndonjë bashkëpuntor i tij pa punë, pra familja politike! Dëshpërimisht të prekur nga performanca vizive e një salle të tejmbushur kuq e zi, e flamujve kombëtarë që valëviteshin dhe veçanërisht përmbajtja e fjalimit, u dogjën duart si me qenë pishtarë. Nuk përtuan të thonë se të pranishmit ishin shumica të ardhur me autobuzë nga Shqipëria!? Këtyre tanëve-opozitë, jo duart, por trutë ju ndezën flakë nga zemërimi, kur panë shkëlqimin dhe dëgjuan nga oratori të rendisi përsosmërisht si lidhjet e moçme ashtu dhe problemet kapitale mes dy vendeve.

Salla sportive, ku u lejuan, u ndez nga entuziazmi, nga atdhetarizmi. Zonjat e administratës që përshëndetën rezëllinin dhe hijeshija e fjalës së kryeministrit pushtoi zemrat. Por sot, sikur të mos mjaftonte një gjuhëtar shqiptar, që rrekej e ngulmonte përmes një shkrimi të stërgjatë t’u provonte shqiptarëve se jo gjuha shqipe por feja ortodokse e kapedanëve të revolucionit përbën identitet, doli Bakojanis që na la të kuptojmë pak a shumë se Greqia e ka Shqipërinë në xhep dhe me gjasa mund të na i kthejë kundër shqiptarët e Greqisë kur të dojë!? Ky fqinji ynë, kurdoherë “në gjendje lufte”, të cilit i shtrijmë përulësisht dorën, i japim miqësi, që e përkëdhelim në fjalime se na ndihmoi, duke na marrë si sherbëtorë, duhet të na tregojë se e do miqësinë me ne!? Të na tregojë edhe se nuk mund të jetë e mirë, duke na kërcënuar se mund të na bëjë keq, por dhe as mos t’i shkojë ndër mend se mund t’i lejojë vetes të na bëjë keq. Me mendimin e marrjes të rrugës së keqe, nuk arrihet te e mira, kur ti Greqi si vend i BE-së thua se i ke të gjithë fqinjët miq, por nuk ke asnjë fqinj mik!

Teatrot, vënde grumbullimi masiv në shek XIX, kur ende në Europë nuk ishin ndërtuar stadiumet sportive, kanë qenë vendet nga ku nisnin protestat e përmbysjet e mëdha. Në filmin italian “Shtëpia Rikordi” këtij momenti i kushtohet një pjesë, ku dëgjuesit e operës Nabukodonozor të Verdit (që me përmbajtjen e saj aludonte lëvizjen revolucionare te Rilindjes) dolën nga salla në rrugë me thirrjet “Rroftë Italia”, duke qenë nën sundimin e Austrisë. Korali nga opera Nabukodonozor po këndohej rrugeve të Milanos si këngë patriotike, kryengritja për pavarësi kish filluar. Dalja nga pallati i sportit Galatsi në Athinë, nuk u bë me thirrje nga turma e s’kish se pse? Ato çka duhej të thuheshin u lëshuan si thirrje nga Rama, u shprehën shqip e qartë, duke filluar nga çështja çame, nga pronat e tyre, nga i ashtuquajturi Ligji i Luftës, nga racizmi primitiv, që Greqia ushtroi ndaj shqiptarëve të mjerë të fillim viteve ’90.

Ajo që vlen të mbylli këtë opinion është thirrja përmes së cilës kryeministri u kujtonte emigrantëve se Shqipëria nuk është më ajo kufoma e drobitur që la Sali Berisha kur rrëzoi në vitin e mbrapshtë shtetin, sëbashku me ata 20 protestuesit e rithemelimit. Ejani dhe shihni vetë!

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?