Diplomati Jorgji Kote e cilësoi fjalimin e Donald Trump në Kongres si të ekzagjeruar dhe vetëmburrje. Në një intervistë për emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, diplomati tha se presidenti amerikan foli për arritjet e tij në 43 ditë që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, por shtoi se për një gjë të tillë duhet të kalojnë të paktën 3 muaj.
“Fjalimi i djeshëm ishte fjalim promovues i Trump pas inaugurimit të tij, fjala më e gjatë në historinë e presidentëve amerikanë. Ishte një vetëmburrje dhe promovim i arritjeve gjatë 43 ditëve. Është një ekzagjerim, sidomos në Amerikë. Duhet të presim të paktën 3 muajt e parë për të gjykuar nisjen e qeverisë”, tha Kote.
I pyetur për mundësinë e marrjes së Groenlandës dhe Kanalit të Panamasë, qëllime të përsëritura vazhdimisht nga Trump, diplomati tha se nuk është e lehtë por mbetet për t’u parë. Sipas tij, administrata e re e Trump ka një tentativë për të dalë jashtë linjave të rregullta të diplomacisë dhe për të zëvendësuar “forcën e ligjit me ligjin e forcës” në SHBA.
“Kjo mbetet për t’u parë. Është jashtë linjave të rregullta te diplomacisë dhe ligjit ndërkombëtar. Ka tentativa të para për të zëvendësuar me forcën e ligjit me ligjin e forcës. Unë jam më i forti, unë të bëj gjëmën. Kështu duhen parë këto bashkë me deklaratat e tjera ndaj aleatëve të tij, nga Kanadaja për të ardhur te Ukraina. Nëse do ta realizojë, do të krijojë precedentë të rinj të rrezikshëm të ligjit me forcën. Me këtë logjikë edhe Kina mund të thotë të marrë Tajvanin. Nuk është aq e lehtë, por duhet kuptuar se ky është fillimi. Mesa duket Trump do të bëjë diçka të re dhe të ndahet nga gjithë diplomacia, diçka shumë e vështirë për t’i bërë në një vend demokratik si Amerika.”, shtoi diplomati.
Duke iu rikthyer edhe njëherë fjalimit të martën në Kongres, më i gjati në historinë amerikane, diplomati Kote shtoi se Trump ‘anashkaloi’ BE-në duke mos e përmendur, përveç një kritike se ka marrë më shumë gaz nga Rusia se sa ka dhënë ndihmë për Ukrainën. Sipas tij, evropianët ndihen më të lehtësuar me faktin se presidenti amerikan shmangu sulmet për BE në fjalimin në Kongres.
“ Nuk u tha asnjë fjalë me përjashtim të kritikës që bëri se ka marrë më shumë gaz nga Rusia se i ka dhënë ndihma Ukrainës. Nuk u mor me të ardhmen e NATO, problemi më shqetësues sot. Mesa duket nuk i përmendi forcat e armatosura, sepse nëse do t’i përmende, duhej të hidhej dhe te situata ndërkombëtare dhe te NATO. Kanë marrë frymë të lehtësuar evropianët. Mendoni nëse do të bënte ndonjë deklaratë kundër NATO dhe BE”, tha Kote.
Ndërkohë, duke u ndalur te deklarata e kryeministres italiane Giorgia Meloni se nuk do të dërgojë ushtarë evropianë në Ukrainë, diplomati shtoi: “Meloni po shërben si urë mirëkuptimi, bashkimi dhe pajtimi. Ky është problemi i madh në BE krah vështirësive të mëdha në arritjen e kohezionit për të vepruar kundër kësaj bllokade evropiane. Për t’u mbrojtur vetë edhe pa SHBA. Tani për tani në 4-5 vitet e ardhshme, siç e kanë pohuar ekspertët më të mirë, Evropa e ka të pamundur që të mbrohet nga një agresion i mundshëm rus, se nuk ka predha, ushtarë, nuk ka vende ku të flenë ushtarët. Evropa është e papërgatitur. Problemi i Melonit, Orban dhe ndonjë tjetër janë edhe anë e mirë si urë me SHBA por edhe pengesë për të ndihmuar Ukrainën nesër. Edhe nëse nuk do të ketë unanimitet në BE, do të veprojnë shtetet më të fuqishme. Marrëveshja për mineralet, sado e rëndësishme të jetë, nuk mund të garantojë një paqe të vërtetë.”
Komente
