MILANO-"Torre del Moro", një ndërtesë luksoze 15-katëshe në Milano është përfshirë nga flakë të mëdha për shkaqe ende të panjohura. Banorët e pallatit janë evakuuar, ndërsa mes tyre ishte edhe fituesi i Sanremos, Mahmood, i cili jetonte në katin e nëntë të ndërtesës.
Zjarri shpërtheu në orën 05:36 të pasdites. Nga zjarri i madh nuk ka viktima, ndërsa 20 persona janë asfiksuar dhe po marrin ndihmën mjekësore. Flakët fillimisht kanë përshirë katet e sipërme dhe më pas me shpejtësi janë përhapur në të gjithë pallatin ku re të dendura tymi dalin nga dritaret dhe ballkonet e pallatit, duke krijuar një pamje të frikshme.
Panelet e pallatit dhe pjesë betoni vijojnë të bien në asfalt, ndërsa policia ka krijuar një perimetër sigurie duke mos lejuar afrimin e banorëve.
Flakët vazhdojnë të përpijnë apartamentet, ndërsa zjarrfikëset po përballen me flakë dhe tym të zi të dendura.