TIRANË- Sekretari i Përgjitshëm i PD, Flamur Noka u paraqit dy ditë më parë në SPAK. Avokati Idajet Beqiri tha se Noka u paraqit në SPAK, pas kallëzimit të bërë prej tij për pastrim parash. Në një intervistë për “Ora e Fundit”, Beqiri u shpreh se ndaj Nokës është regjistruar procedim penal, teksa akuzohet për disa vepra penale, si korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim i detyrës.
Më tej, avokati Beqiri thotë se ndaj Nokës, janë dorëzuar në SPAK dosje për afera të rënda korruptive.
“Flamur Noka nuk kishte si të thoshte ndryshe. Nuk ka lidhje me krimin zgjedhor. Dje Flamur Noka vajti, procedimi penal është regjistruar në korrik 2024, me faktet që kisha unë personalisht, me provat që kisha. Kundër Flamur Nokës kam bërë një kallëzim penal, duke i futur edhe provat përkatëse, për korrupsion të lartë shtetëror, për shpërdorim të detyrës, për mos deklarim të të ardhurave dhe për pastrim të parave nga krimi. SPAK ia çova dosjen në maj, në korrik i thashë Dumanit, çfarë është bërë. Dumani thotë, zoti Beqiri, iu informoj se SPAK ka regjistruar procedim penal. Ky procedim penal ndodhet në fazën e hetimeve paraprake. Ai do japë llogari për këto krime që ka bërë. Masa e dënimit shkon në 15 vite burg”, theksoi Idajet Beqiri.
Beqiri theksoi se SPAK ka nisur hetimet ndaj Nokës, pasi nuk justifikon miliona euro pasuri.
“Flamur Noka, krimet që ka bërë, është regjistruar procedim penal. Po bëhen hetime ndaj tij, edhe për pastrime të parave të pista, korrupsion pasiv, edhe për mos deklarim të të ardhurave dhe deklarime të rreme. Janë 3 vepra penale jashtëzakonisht të rënda, po hetohet për këto. Nuk justifikon milionat e eurove, që i ka bërë pasuri të paluajtshme për vete dhe për pjesëtarët e familjes së tij. Ai korrupsion i lartë shtetëror që ka bërë sidomos kur ishte ministër i Brendshëm, por dhe kur ishte te Enti i Banesave, do japë llogari për këto”, theksoi ai./Ora e Fundit
Komente
