Deputetja e PD, Dhurata Çupi ka reaguar për shfaqjen e flamurit me yllin komunist në festivalin e 'Sunny Hill' duke thënë se organizatorët e festivalit duhet të kërkojnë ndjesë dhe të japin një shpjegim se përse ka ndodhur.
"Një nga vendimet e para të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 22 Marsit 1992 ishte heqja e yllit komunist nga flamuri shtetëror i Republikës së Shqipërisë. 30 vjet më pas, ylli është rishfaqur gjigand atje ku nuk pritej, në festivalin e organizuar ne Tiranë, i cili duhet te promovonte kudo simbolet kombëtare të shqiptarëve. Ndoshta mijëra të rinjtë që ishin atje për t’u argëtuar nuk e kanë vënë re detajin dhe ndoshta s’u bën as përshtypje, por organizatorët e festivalit na detyrohen një shpjegim dhe një ndjesë. Shqipëria ka shumë nevojë të promovohet si një vend normal, ku performojnë artistë të mirënjohur, rinia ka shumë nevojë të ketë mundësi për argëtim, shoqëria e ka të domosdoshme të emancipohet. Por as Shqipëria, as rinia, as shoqëria nuk mund të ecin përpara me simbolet e së keqes.
Ylli në flamurin e Shqipërisë është kthim mbrapa, jo modernizëm. Është simbol i diktaturës më gjakatare të Europës që na la të izoluar, që vrau, ndëshkoi, internoi pa gjyq mijëra e mijëra shqiptarë. Është simboli i diktaturës që gjymtoi një shoqëri të tërë nga ana shpirtërore, intelektuale dhe psikologjike. Është simboli i vasalitetit të diktaturës së Enver Hoxhës ndaj Jugosllavisë, simboli i tradhtisë kombëtare të diktaturës komuniste ndaj Kosovës. Ylli në flamurin tonë kombëtar është përdhosje e sakrifikës së mijëra e mijëra shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës që dhanë jetën për lirinë dhe për flamurin kuq e zi, pa yllin komunist", shkruan deputetja.
Ndër të tjera, Çupi përmend edhe Dua Lipën, sipas së cilës ajo është ndjerë e turpëruar nga ylli komunist në këtë festival në Tiranë.
"Shqiptarët e meritojnë sot një shpjegim dhe një ndjesë. Jam e bindur se edhe Dua Lipa do të jetë ndier e turpëruar nga ylli komunist në këtë festival në Tiranë", përfundon Çupi.
Nga ana tjetër, reagim nga ish-deputeti Gent Stazimiri. Ai e sheh këtë veprim me prapavijë politike duke thënë se një gjë e i tillë vjen si pasojë e një udhëheqjeje nga "djemtë e gabuar".
"Ky vend qeveriset nga wrong_guys , nostalgjikët e Stalinit dhe "Bashkimit të madh Sovjetik", atij, që po përpiqet të rikthejë me zjarr dhe hekur Vladimir Putin...Ky vend qeveriset nga wrong_guys, aleatët e Aleksandër Vuçiç, zgjatimit të Putinit në Ballkan, të cilin NATO e paralajmëroi të mos tentojë të "ukrainizojë" kufirin me Kosovën, sepse reagimi do të ishte punë minutash... Ky vend qeveriset nga ërong_guys, që ende shpalosin krenarë simbolin stalinist, nën të cilin u vranë më shumë shqiptarë, patriotë pro-amerikanë, nga ç'vrau, e la pa varr Milosheviçi në Kosovë... Ky vend është njëkohësisht edhe vend anëtar i NATO-s...(?!) Në këtë vendin e përshkruar më sipër, edhe NATO dhe interesat euro-atlantike janë jetime... sepse ata që paguhen për t'i mbrojtur, janë "me pushime"...Kaq", shkruan Stazimiri.
Lajmi kryesor: