Flamurtari bojkoton FSHF-në, Sinan Idrizi për Report TV: Është pika e vlimit, Dinamon e dërgojmë në Prokurori! Gara e trukuar nga lart

4 Maj 2023, 13:39| Përditesimi: 4 Maj 2023, 13:49

  • Share

Presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi ka folur në emisionin "Sot Live në Shqipëri" me gazetarin Nertil Agalliu në Report TV. Vlonjatët kanë vendosur të bojkotojnë fjalën e drejtuesve të FSHF-së për projektin e stadiumit të ri dhe atë "Vlora Sport", duke konfirmuar edhe njëherë marrëdhëniet e tensionuara me organizmin e futbollit.

Të ndodhur në Kategorinë e Parë, Flamurtari është në garë për zonën play-off dhe kërkon ngjitjen në Superligë përmes ndeshjeve shtesë. Për Idrizin ky reagim i klubit vjen si shkak i dënimeve të shumta që FSHF i ka bërë vlonjatëve, çka ka sjellë edhe "pikën e vlimit".

Idrizi flet edhe për trukime dhe paracaktime ndeshjesh, me duelin e humbur me penallti kundër Dinamos që pritet të dërgohet në prokurori për një penallti jo të saktë që vendosi rezultatin dhe nxiti protestat e tifozëve.

"Bojkoti? Momenti i bojkotimit për FSHF-në në "Vlora Sport" është pika e vlimit mes klubit tonë dhe institucionit të futbollit. Ata që na kanë mbyllur stadiumin dhe kanë larguar tifozët, nuk janë të mirëpritur këtu. Kemi marrëdhënie me zig-zage. Ky projekt i ri nuk ka asgjë rol për FSHF-në, as financiar, as institucional dhe as emocional ndaj nuk duam të jenë këtu.

Kemi pakënaqësi, kjo është vija mes zërit dhe revoltës. Vija jonë e demarkacionit është kjo. Më duket se para katër vitesh bënë kopertinën e "Fermës së Kafshëve". Kur unë stadiumin e mbush plot, këta të FSHF-së na mbyllin stadiumin. Si do të jesh pjesë e një projekti për stadium të ri, kur t'i na mbyll stadiumin?

Nuk i di standartet e FSHF-së. Për ne, ata nuk janë dashamirës për futbollin. FSHF nuk mban përgjegjësi për rezultatet tona, ne kemi bërë disa ndeshje jo të mira. FSHF na ka dënuar disa herë me arbitrat, që na prishin lojën. Ne nuk bëhemi pjesë e lojës së FSHF-së për projektin "Vlora Sport", nuk duam t'i shohim dhe t'i dëgjojmë", tha fillimisht Idrizi.

Kreu i Flamurtarit më pas u ndal edhe te akuzat që Oriku, klubi tjetër i Kategorisë së Parë ka bërë për trukime në futbollin shqiptar.

"Akuzat e Orikut për korrupsion? Unë do dërgoj ndeshjen me Dinamon në prokurori, na është ngrënë haku. Kam dërguar edhe ndeshje të tjera në prokurori në Superligë. Le të shkojmë të denoncojmë ndeshjet që janë të trukuara. Në Shqipëri 50 përqind e futbollit luhet nga sportistët, 50 përqind nga të tjerët dhe politikanët.

Ndeshja me Dinamon? Nuk merrem me gjykimin. Merrem me këta që organizojnë garën. Nuk futem ishte ose jo penallti. Një ndeshje e trukuar, të parët janë ata që organizojnë. Arbitri është mjeran fare, nuk ka empati për futbollin as kreu i Federatës. Kur kreu i FSHF nuk ka empati për ata që harxhojnë lekët për futbollin, nuk e duam", vijoi presidenti i FSHF-së.

Sinan Idrizi kërkon që stadiumi i ri në Vlorë të jetë me të paktën 25 mijë vende, teksa ka cekur edhe largimin e tifozëve si pasojë e arbitrimit dhe komandimit të garës.

"Stadiumi i ri? Dua të ndërtoj një stadium me 25 mijë vende. E ka të domosdoshme Vlora diçka të tillë në një të ardhme të afërt. Largimi i tifozëve ka një shkak, organizimi i garës së paragjykuar. Janë 10 ekipe që nuk funksionon sistemi. Është njëshi i FSHF-së që vendos dhe të tjerët nuk flasin. Me këtë mentalitet nuk mbushen stadiumet.

Përpara disa vitesh Flamurtarit ju dha një penallti kundër dhe arbitri pranoi se nuk ishte. Ai duhet të jetë në prokurori sepse ka ndryshuar garën me urdhër", tha Idrizi për Report TV.

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?