Flamurtari në basketboll për vajza përveç kampionbatit po shkëlqen edhe në Ligën Unike. Së fundmi vajzat vlonjate dominuan plotësisht ndeshjen përballë Tiranës, duke fituar në pallatin e sportit të qytetit bregdetar 71-58 me pikë. Për rrjedhojë Flamurtari renditet i pari në kompeticionin ku bëjnë pjesë 6 skuadra, 3 nga Shqipëria dhe 3 nga Kosova.
“Kjo ndeshje na siguroi katërshen, ndërsa për vendin e parë kemi edhe dy ndeshje akoma. Tani kemi objektiva të tjerë, por fillimisht të rregullojmë gjendjen fizike, pasi ka patur shumë ndeshje. Në një javë kanë qenë 3 ndeshje,”-u shpreh Elona Hasanaj, trajnere e Flamurtarit.
“Ne jemi larguar pak nga objektivat për të siguruar katërshen, pasi kemi vetëm dy fitore. Gjithsesi kjo nuk do të thotë se duhet të luanim mirë. Tani i vetmi objektiv që kemi është kampionati dhe të shkojmë deri në finale,”-deklaroi Mirza Alibegaj, trajnere e Tiranës.
Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje në Ligën Unike Flamurtari kryeson renditjen me 15 pikë, 2 në më shumë se skuadra e Bashkimit që renditet e dyta.