Ishte përballje delikate dhe pritej të ngjante me shumë si lojë shahu, por Flamurtari ka mposhtur Dinamon me shifrat e thella 1-5 në ‘Selman Stërmasi’ dhe për pasojë ka marrë kreun e Kategorisë së Parë.
Në kryeqytet Pjeshka dhe Fausto realizuan para se Fetaj të linte dinamovitët me një lojtar më pak, si pasojë e kartonit të dytë të verdhë. Gjithsesi kjo nuk e pengoi Denilson të shkurtonte shifrat për të besuarit e Nevil Dedes, por po brenda pjesës së parë një tjetër gol i Fausto-s, i dërgoi shifrat në 1-3. Në minutat e fundit të sfidës Camargo shënoi dy herë, duke stampuar edhe shifrat përfundimtare të supersfidës.
“Goleadë, por luajtëm me një lojtar më shumë. Ishte një ndeshje Superlige, por mos ta ekzagjerojmë më shumë se kaq. Më mirë një fillim i vështirë dhe një fund i lumtur se sa një fund i hidhur dhe fillim i mirë,”-u shpreh Sinan Idrizi, presidenti i Flamurtarit.
“Ishte një fitore shumë e rëndësishme dhe kjo fitore erdhi pas disa ndeshjeve që kemi luajtur shumë mirë. nuk mund të them se jam shumë i gëzuar, pasi kjo do të ndodhë kur të arrijmë qëllimin për t'u ngjitur në superligë,”-deklaroi Marcelo Troisi, trajner i Flamurtarit.
“Është dështim. Ndoshta meritonim të ndëshkoheshim edhe herë të tjera. Mentalitetin se kishim aty ku duhej. Mbas kësaj ndeshje gjithsekush duhet të reflektojë shumë nga gjithë skuadra e duke filluar tek unë i pari,”-tha Nevil Dede, trajner i Dinamos.
Pas 7 javësh kampionat Flamurtari udhëheq me 14 pikë, po aq sa Dinamo, që tani ka disavantazhin e përballjeve direkte.