Tirane- Të ftuarit e radhës në podcastin e kryeministrit Rama ishin dy ish-basketbollistët Franko Bushati dhe Klaudio Ndoja, të cilët kanë shkruar emrin me gërma të arta në Itali duke luajtur në Seria A. Mirëpo prej pak muajsh, dy ish-basketbollistët të cilët kanë veshur edhe fanellën kuqezi, e kanë mbyllur me sportin e luajtur dhe kanë vendosur të rikthehen në Shqipëri për të dhënë kontributin e tyre.
“Lidhja me Shqipërinë ka qenë shumë e fortë dhe e kisha ndarë mendjen që do u ktheja. Po kur më erdhi kjo mundësi u takova me presidentin e basketbollit dhe më tha do të pres. Më pas shkova te ekipi im në Itali u thash faleminderit për gjithçka se unë po kthehem në Shqipëri”, u shpreh Franko Bushati, sekretar i përgjithshëm i FSHB.
“Duhet ti them faleminderit Frankos se u bë arsye për t’u kthyer. Kur luan basketboll je për vete dhe ekipin, ndërsa tani je për 3 milionë banorë tani dhe është diçka shumë më e madhe se unë. Atë që jkemi mësuar andej ta vejmë në zbatim tani”, tha Klaudio Ndoja, ish-basketbollist.
Sipas kryeministrit rikthimi i dy ish-basketbollistëve të mëdhenj, tani pjesë e federatës shqiptare, përkon me një periudhë të mirë të sportit shqiptar.
“Ju vini në një moment që ka diçka të re, që është organizimi që kemi bërë në shkolla. Tani ka shumë palestra. Jo vetëm shkollat e reja që nuk bëhen pa palestra, por edhe atë që rikonstruktohen nuk bëhen pa palestra. U bashkuam për të ndërtuar rrjetin e ekipeve sportive në shkolla. Kemi kaluar numrin e 10 mijë të regjistruarave. Me uniforma, me të gjitha mjetet, çantat me krenarinë që mbajnë emrin e vendit në bluzë”, tha Rama.
Në vitin e dytë të ekipeve sportive në shkolla janë përfshirë edhe fëmijët nga 8-11 vjeç, ndërsa përveç basketbollit dhe volejbollit pritet ti shtohen edhe disiplinat e tjera sportive si futbolli dhe atletika.