Flasin për Report Tv e para e socialistëve dhe e katërta e PD në Shkodër! Edona Bilali: Forca e PS listat përfaqësuese! Bardeli: Programi i opozitës, në shërbim të njerëzve

11 Mars 2021, 18:21| Përditesimi: 11 Mars 2021, 18:32

  • Share

Në zgjedhjet e 25 prillit një nga qarqet me përballjen më interesante është ai i Shkodrës. 11 mandatet e kryeqendrës së veriut pritet të jenë 'fushëbetejë' për 6 parti të ndryshme politike.

PD dhe PS pritet të luftojnë me socialistët që vijnë me një ekip totalisht të rinovuar dhe me demokratët që këtë herë janë munduar të kenë kandidatët nga të gjitha zonat.

Për këtë përballje kanë folur për mikrofonin e Report Tv Edona Bilali, e para e kandidatëve të PS dhe Greta Bardeli, e katërta e PD-së, të dyja pritet të jenë në Kuvendin e ardhshëm pasi konsiderohen në zonë fituese.

Znj. Bilali, një vajzë e re pa eksperiencë politike, tregon se ka përvojë të gjatë profesionale, me kontribute të mëdha për komunitetin e bizneseve dhe të rinjtë në Shkodër.

"Ftesën e Kryeministrit e kam mirëpritur. Jam shumë e kënaqur që do të përfaqësoj një pjesë të Shkodrës, e cila është ndier e papërfaqësuar gjithë këto vite. Jam shumë e motivuar për të bërë shumë për Shkodrën për të cilën sado të bësh nuk është kurrë e mjaftueshme.  Unë vij me 11 vite eksperiencë pune gjatë të cilës nuk e kam ndalë ritmin aspak. Atë që kam bërë deri më tani për komunitetin e bizneseve në Shkodër, për të rinjtë në Shkodër, po më jepet mundësia për ta bërë në një nivel shumë më të madh ku përfituesit do të jenë shumë më shumë", thotë ajo për gazetarin e Report Tv, Ergys Kavaja.

Sipas numrit 1 të socialistëve në Shkodër kandidatët janë pika më e fortë e PS-së në këto zgjedhje pasi janë përfaqësues të të gjitha komuniteteve dhe me integritet.

"Në të gjithë Shqipërinë dhe në Shkodër pika më e fortë e Partisë Socialiste janë listat e kandidatëve. Janë shumë përfaqësuese këtë herë. Në të gjithë qarqet gjejmë figura të cilat janë të spikatura në profesionet e tyre, persona me integritet ku gjithkush e gjen veten. Kishte ardhur koha për të pasur shumë gra dhe vajza të cilat kryesojnë listat. Unë kam lobuar për Shkodrën të gjithë karrierën time. Në Shkodër Partia Socialiste ka bërë disa iniciativa të cilat duhen përgëzuar! Ka patjetër shumë më shumë për tu bërë. Shkodra është një qytet i mrekullueshëm, me disa pasuri natyrore por edhe vlera historiko-kulturore dhe intelektuale të cilat përfundimisht të jemi në majë", është shprehur ndër të tjera Edona Bilali.

Ndërkohë që kandidatja e PD-së, Greta Bardeli, ish kryetare e Qarkut të Shkodrës e cila do të jetë numri 4 në listë, tregon se si i ka ngjitur shkallët karrierës politike.

"Ky qytet është i lidhur ngushtë me politikën. Për shkak të shumë rrethanave është një nga rajonet, qarqet më të persekutuara nga regjimi diktatorial. Mund të them se hapat e demokracisë dhe parimeve të lirisë, ishte Shkodra ajo që i nxori në pah. Për shkak të disa persekutimeve që u bënë me burgim dhe pushkatim të disa familjarëve të mi lanë një hije, shenjë në rritjen time. U rrita mbi ato parime që mbizotëronte fjala e lirë dhe demokracia dhe për mua nuk ishte rastësore anëtarësimi në partinë Demokratike. Rrugëtimi im në këtë parti ka nisur shumë herët. Jam anëtarësuar në këtë parti që në moshën 16 vjeçare. I kam ngritur shkallët e strukturave të PD një pas një. Them pa frikë se e njoh bazën. Di si punohet. Kam marrëdhënie vazhdimisht me qytetarët. Jam bijë e këtij qyteti", ka nënvizuar Bardeli.

Sipas saj PD ka ofruar për qytetarët një program në shërbim të tyre.

"Nuk ka vetëm një pikë të fortë PD. Sot Partia Demokratik hyn në një pakt, pasi shtrin dorën çdo qytetari. Të majtë, të djathtë dhe ato që nuk janë ndjerë të përfshirë. PD i propozon një program që vjen vetëm në shërbim të qytetarit. I propozon qytetarit një listë prestigjioze. Me profesionistë që janë të aftë dhe dinjitoz.  Për shkak të pozicionit tim të mëparshëm, si drejtuese e Institucioni të këshillit të qarkut Shkodër,  si profesoreshë në Fakultetin e Drejtësisë, si bijë e këtij qyteti unë kam pasur mundësi për të takuar një pjesë të madhe këtij rajoni që hallet nuk i ka të pakta, do ti kthejmë faqen dhe atë bukuri që i takon këtij rajoni", ka përfunduar kandidatja e PD-së për Shkodrën, Greta Bardeli.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?