Autori Gleard Gusholli dhe 28-vjeçarja e dhunuar

Flet babai i 28-vjeçares të dhunuar nga i dashuri: Ai i kishte dhënë shenjat që në Gjermani! Kam fotografi, e ka masakruar! Uroj mos ta provojë asnjë vajzë

18 Prill 2023, 22:48| Përditesimi: 18 Prill 2023, 22:54

  • Share

TIRANË- Në Tiranë, gjykata mbajti në arrest me burg 31-vjeçarin Gleard Gusholli, i dyshuar për dhunë në familje dhe heqje e paligjshme e lirisë ndaj bashkëjetueses së tij.

Vajza e dhunuar sapo i ka shpëtuar izolimit prej bashkëjetuesit të saj dhe tani po mjekon në Spitalin e Traumës në Tiranë plagët e shumta që ka në gjithë trupin, disa nga të cilat mbizotërojnë në fytyrë, siç është një çarje e qepur në ballë.

Ajo i tha Zërit të Amerikës se kishte mbajtur shpresa për të ndërtuar një jetë të rregullt me të dashurin e saj, por ai e dhunoi në Shqipëri shumë më ashpër se sa në Gjermani, ku edhe ishin njohur. Portreti, zëri dhe emri i vajzës në intervistë janë fshehur për arsye sigurie.

“Java e dytë në Tiranë ka qenë tmerr për mua. Kam parë tmerr me sy. Kam parë vdekjen me sy. Ai më ka dhunuar rëndë. Më ka goditur me grushta në kokë dhe në fytyrë. Më ka goditur me shkelma në kokë, në fytyrë dhe në trup. Më ka goditur me një dru të mbushur me gozhda. Më tregonte thikën dhe më kërcënonte: Do ta çaj barkun. Më fuste gishtat thellë në fyt, gati të më mbyste”, rrëfen Alma 28 vjeçare, vajza e një familje emigrantësh shqiptarë në Gjermani.

Ajo tregon se krahas dhunës fizike, Gleardi e kërcënonte që do t’i vriste familjarët në Gjermani, se do ta hidhte trupin në lumë.

Ata u njohën një vit e gjysmë më parë në Gjermani, kur Gleardi u gjend rastësisht për mjekim në spitalin, ku Alma punonte si infermiere dhe ku iu desh të përkthente mjekëve gjermanë për këtë pacient.

Jetuan së bashku në shtëpinë ngjitur me atë të prindërve të vajzës, ku Gleardi qëndronte pa punë dhe nisi dhunën.

“Fillimisht kemi jetuar shumë mirë, pastaj pas katër a pesë javësh nisi dhunën ndaj meje, por jo aq ekstreme sa këtu në Shqipëri. Prindërit e mi e morën vesh këtë dhe i thanë: Të lutemi, merri gjërat e tua dhe ik nga shtëpia, se e kemi rritur 28 vjeç këtë fëmijë dhe nuk e kemi prekur një herë me dorë, dhe vjen ti dhe na e godet", tha ajo. 

Gleardi e bindi Almën se do të nisnin një jetë të re në Shqipëri pas 3 muajsh nga largimi prej Gjermanisë pa komunikuar mes tyre. Ajo erdhi në Shqipëri më 1 prill për të rindërtuar një jetë të re së bashku. Javën e parë rregulluan banesën, por javën e dytë nisi një dhunë shumë herë më e madhe se sa në Gjermani.

Agroni, babai i vajzës kërkon drejtësi dhe uron që dhunën ndaj vajzës së tij të mos provojë kurrë asnjë vajzë tjetër.

Ai tregoi se Gleardi ka qenë vazhdimisht i dhunshëm dhe ndaj e largoi nga shtëpia e Gjermanisë pas dhunës, që ai nisi ndaj vajzës.

“I dha shenjat ai qysh atje. Unë i kam edhe fotografitë që ai e ka dhunuar. Vajza ime kur e pyesja: Pse nuk ke shkuar në punë", ajo mbulonte kokën dhe thoshte: Jam pushim sot. Ai e kishte copë e kishte masakruar. Edhe prapë vajza ime i dha një shans pas disa muajsh dhe vendosi të bashkëjetojë këtu”, tha babai i Almës për Zërin e Amerikës.

Avokati i familjes, Enea Cenko, thotë se rasti ka nevojë për shumë kujdes në cilësimin e veprave penale.

“Në këtë rast kemi të bëjmë me tortura, me rrëmbim, me vrasje në tentativë. Kemi një sërë rrethana dhe vepra penale, si dhe përdorim me dhunë i lëndëve narkotike. Kam besim se drejtësia do të hedhë hapat e duhur në shqyrtimin e kësaj çështje, që i shtohet ngjarje të dhunshme ndaj vajzave”, thotë avokati Cenko.

Avokati thotë se ka ndjekur edhe herë të tjera çështje dhune brenda familjes, por format dhe pasojat që shfaqen në këtë rast janë të një niveli të lartë dhe avokatët rrallë e ndeshin në procese të tilla.

Ngjarja shfaqet shumë komplekse edhe për profesinistë si psikologia klinike Rudina Koromani, sepse bashkohen në një pengmarrja, kërcënimi për jetën, dhuna fizike, traumat psikologjike dhe abuzimi me substancat narkotike. Ndaj ajo thotë se të githë këta elemente kërkojnë një hetim të kujdesshëm.

“Mendoj se kjo ngjarje mund të ishte shmangur për faktin se marrëdhënia mes tyre ka shfaqur elementet e dhunës, nëse vajza do të ishte treguar e vendosur në mosfillimin e marrëdhënies pasi kishte pikasur elementet e dhunës, sigurisht kjo dhunë do të ishte evituar. Vajzat dhe gratë duhet të distancohen nga partnerët ose bashkëjetuesit e tyre të dhunshëm sapo të shohin shenjat e para të dhunës, dhe mos të presin që dhuna të përshkallëzohet, sepse me siguri dhuna do të përshkallëzohet, dhe mund të rrezikojnë edhe humbjen e jetës”, thotë psikologia Koromani.

Studimet e kësaj fushe vërejnë një tendencë përherë në rritje të denoncimeve të dhunës në familje, gjë që sipas tyre, tregon se edhe ndërgjegjësimin në rritje të grave dhe vajzave.

Ekspertët pohojnë se në Shqipëri ekziston ende kultura e fshehjes së dhunës në familje dhe mos nxjerrja e saj në publik, por sipas tyre, vajzat dhe gratë po e refuzojnë dhunën përherë e më shumë, dhe po ndërgjegjësohen se dhuna nuk ka të bëjë me dashurinë, por ajo është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.

Ndërsa në gjykatë seanca për masën e arrestit ndaj Gushollit u zhvillua me dyer të mbyllura. Megjithatë mësohet se i riu ka deklaruar përballë gjykatës se gjithçka ka ndodhur nga xhelozia.

Gjykata hodhi poshtë kërkesën e avokatit të tij mbrojtës për shtrim të detyruar dhe mjekime në spital. Nga ana tjetër, gjykata vendosi që të hetohen në gjendje të lirë katër personat e tjerë, që dyshohen se përkrahën autorin me veprime, që pengojnë zbulimin e të vërtetës si dhe moskallëzim krimi./VOA

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Anonim: 18/04/2023 23:28

    Un jetoj vet jasht shtetit. Kur degjon njerez qe flasin shqip rriji larg. Jan te bezdisur… jan xheloz…. Jan per te prish pun. Cfar pate moj aman qe u lidhe me nje nga shqiperia, nuk kishe gjerman plot

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?