Flet çifti shqiptar që kurorëzoi dashurinë në kohë koronavirusi! Dhurata më e çmuar: Dy maska...Muaji i mjaltit?! Në shtëpi!

20 Mars 2020, 10:57| Përditesimi: 20 Mars 2020, 15:29

  • Share

Hermesi dhe Ariola janë dy të rinjtë shqiptarë, të dy 23-vjeçarë që u martuan në kohë koronavirusi.

Një ceremoni e thjeshtë martesore, me maksimumi 10 veta, të gjithë me maska e duke respektuar rregullat e distancës për të parandaluar kështu përhapjen ose rrezikun nga COVID-19.

Në një lidhje me Skype nga Londra për Report Tv, Hermesi dhe Ariola thonë se nuk donin të anulonin datën e dasmës të cilën e kishin vendosur para se në botë të shpërthente epidemia.

Hermesi ka lindur në Itali, pasi babai i tij është italian, por është rritur në Tiranë pasi nëna e tij është shqiptare. Ai ka studiuar për Gjuhë të Huaja. Ndërsa bashkëshortja e tij, Ariola me origjinë nga Dibra ka studiuar infermieri në Tiranë. Të dy jetojnë në Angli, dhe ndryshe nga çdo herë tjetër muajin e mjaltit do ta kalojnë në shtëpi.

Ata thonë se ashtu siç kanë bërë edhe familjarët e tyre në Shqipëri, do të qëndrojnë në shtëpi, edhe pse në Angli masat janë marrë vetëm dy ditët e fundit ku janë mbyllur dyqane e lokale dhe është pezulluar transporti publik. Nuk ka ende një urdhër të qeverisë për të qëndruar brenda në shtëpi, megjithatë çifti i ri po bëjnë gjithçka të jenë të sigurt për shëndetin e tyre.

Ata kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë ditën e djeshme, dhe dhurata më e veçantë që morën ishin dy maska nga motra e Ariolës, me të cilat bënë edhe foton që u bë virale në rrjetet sociale.

1584698663_Screenshot2.jpg

"Në fakt duke dëgjuar të gjithë që thonin duhet të anuloni datën e martesës, është bërë alarmante, por ne e kishim vendosur dhe nuk donim të ktheheshim mbrapa.

E kishim vendosur datën dhe e bëmë dasmën ashtu siç ne donim.

Nuk kemi pasur shumë të ftuar, ishin diku tek 10 persona, familjarët, njerëzit më të dashur. Ishte ideja e motrës së Arjolës, na i ka bërë dhuratë ditën e martesës maskat.

Më shumë ishte si moment i gëzueshëm, gallate, sesa uau çfarë po bëjnë këta të dy.

Ne e kishim vendosur ditën e dasmës, nuk donim ta anulonim, sepse sic po shihet nuk i dihet fundi kësaj epidemie të përhapur në gjithë botën, dhe mund të shtyhej me muaj të tërë. Koronavirusi ishte i papritur për ne, ne e kishim vendosur para koronavirusit.

Nuk do planifikojmë asgjë për muaj mjalti. Janë dy ditët e fundit që kemi dalë, nuk sheh këmbë njeriu në rrugë, dy ditët e fundit e kanë marrë seriozisht edhe qytetarët e Londrës. Do kalojmë muaj mjalti në shtëpi.

Edhe ne si gjithë shqiptarët dhe familjarët tanë edhe ne kemi vendosur të ngujohemi, deri nuk e dimë se sa do të zgjasë. Shteti nuk e ka dhënë ndonjë lajm që të mbyllemi, por duke parë se na kanë mbyllur punën e gjithçka, ne do të rrimë në shtëpi.

Lokalet, trenat, metrotë janë bosh, kjo është vendosur vetëm ditët e fundit. Se më parë shikonim të moshuar që dilnin pa maska të pandërgjegjësuar. Shoping bëjnë në mëngjes, por të gjitha rastet janë bosh", thanë Hermesi dhe Ariola në një komunikim të drejtpërdrejt me gazetarin e Report Tv, Andi Kapxhiu.

G.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sifi: 20/03/2020 14:47

    Te trashegoheni dhe megjithse ishte mire qe muajin e mjaltit ta kalonit ne nje vend te bukur turistik dhe shtepia ka te miren e vet kete kohe ,se ju ruan dhe mos ju ndani seksit se rrit imunitetin ne irganizem

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?