Bota

Flet për herë të parë nga burgu Protasevich: Personeli po më sillet në përputhje me ligjin! Opozita bjelloruse: Ka shenja dhune, të lirohet menjëherë (VIDEO)

25 Maj 2021, 10:44| Përditesimi: 25 Maj 2021, 10:51

  • Share

Gazetari opozitar, Roman Protasevich i cili u arrestua 2 ditë më parë pas “rrëmbimit” të avionit Ryanair, është shfaqur për herë të parë në një video ku ka folur lidhur me burgimin e tij dhe kushtet me të cilat po trajtohet.

“Personeli po sillet siç duhet me mua dhe kanë qenë korrekt. Çdo gjë ka qenë në përputhje me ligjin.”, shprehet ai.

Gjatë videos gazetari ka pranuar se ndodhet në burgun hetimor, Nr.1 në Minsk, dhe se do të vazhdojë të bashkëpunojë me hetuesit.

Ai gjithashtu ka pranuar se ka organizuar protesta masive në qytetin Minsk.

"Do të vazhdoj të bashkëpunoj me hetuesit dhe pranoj, se kam organizuar protestat masive në qytetin Minsk", thotë në video Protasevitsh.

Megjithatë pavarësisht se ai ka dal me zë dhe figurë dhe ka treguar se është i sigurt, mbështetësit e tij, nuk besojnë se këto fjalë ai i ka thënë me vullnetin e tij të lirë.

Sipas opozitës bjelloruse, videoja është regjistruar nën presion. “Roman nuk ka thënë asnjëherë me vullnet atë që thotë tani në kamera”, thuhet në Telegram. “Fytyra e tij ka makijazh, gjurmët e goditjeve janë të dukshme, hunda është e thyer.”

Udhëheqësja e opozitës, e cila ka garuar përballë Lukashenkos, ka reaguar lidhur me videon, në të cilët shfaqet Protasevich. Përmes një postimi në rrjetin e saj social Twitter, shkruan se “Roman duket nën presionin fizik dhe moral”, duke kërkuar edhe lirimin e tij të menjëhershëm.

Lidhur me videon ka reaguar edhe babai i Protasevich, Dmitry Protasevich, i cili tha për CNN, se ai ka frikë se djali i tij po dhunohet fizikisht nga autoritetet bjelloruse.

"Ne jemi shumë të shqetësuar, pasi mendojmë se ndaj djalit tonë po ushtrohet dhunë fizike, edhe duke ditur metodat e KGB. Ata kanë ndjekur djalin tonë për në kohë të gjatë.”, tha ai.

Si u arrestua gazetari opozitar Roman Protasevich?

Ngjarja ndodhi dy ditë më parë kur një avion që u nis nga Athina me 171 pasagjerë në bord drejt Lituanisë u detyrua të devijonte në aeroportin Bjellorus të Minskut, për arsye sigurie, pas një alarmi të rremë për bombë.

Alarmi për bombë erdhi nga Bjellorusia, me qëllim arrestimin e 26-vjeçarit, i cili pre kohësh ishte nën shënjestrën e Lukashenkos.

Protasevich, është themelues dhe themelues i “Nexta”, kanalit më të madh informativ të vendit kundër presidentit autoritar të Bjellorusisë.

Pas këtij arrestimi, Bashkimi Evropian ka reaguar duke marrë masa ndaj Bjellorusisë.

Bashkimi Evropian ra dakord ditën e djeshme, që të vendosë sanksione kundër Bjellorusisë, përfshirë ndalimin e përdorimit të hapësirës ajrore dhe aeroporteve të  27 vendeve të BE nga linjat ajrore bjelloruse, si reagim ndaj devijimit të detyruar të një avioni pasagjerësh për të arrestuar një gazetar të opozitës.

Udhëheqësit e BE-së e kanë denoncuar "rrëmbimin" e avionit Ryanair, si dhe kërkuan lirimin e menjëhershëm të gazetarit Roman Protasevich.

 

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?