Presidenti serb Vuçiç ka folur për takimin që zhvilloi me emisarët specialë të dërguar nga SHBA dhe BE dhe mbrëmjen e sotme ka deklaruar se është “gjetur në udhëkryq” midis dy zgjedhjeve shumë të vështira, pas propozimit të tyre të planit franko-gjerman. Vuçiç është shprehur se ka qenë një zgjedhje e vështirë pasi i ishte thënë se nëse Serbia nuk do pranonte propozimin për planin franko-gjerman mbi Kosovë, atëherë do ndërpritej procesi i anëtarësimit në BE. Sipas Vuçiç, nuk ka pasur zgjidhje tjetër përveç pranimit të kësaj kërkese, edhe se thekson se i ka bërë të qarta pikëpamjet e shtetit serb.
“Të nderuar qytetarë të Serbisë, para dy ditësh kam thënë të vërtetën për të gjitha problemet me të cilat po ballafaqohemi në lidhje me Kosovën dhe Metohinë. Asgjë nuk kam fshehur nga ju. Ju kam thënë se si dhe sa kemi luftuar dhe si synojmë të luftojmë në të ardhmen për vendin tonë. “Shteti i Serbisë dhe interesat e tij duhet të jenë gjithmonë para atyre partiake dhe individuale. Vetëm së bashku dhe të bashkuar mund të luftojmë për një të ardhme më të mirë të vendit tonë”,kështu u shpreh presidenti i Serbisë, në një kohë kur janë shtuar ndjeshëm presionet ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. tha Vuçiç.
Presidenti theksoi se u ka ofruar të gjithë aktorëve politikë njohjen e tyre “me presione” dhe me të gjitha ato me të cilat po përballet Serbia.
“Kanë thënë se nuk duan të flasin, ose të paktën një pjesë e mirë e tyre, por duan një demonstratë publike, një shfaqje për veprimin e tyre politik. Më vjen keq që nuk e kuptuan se shteti është më i rëndësishëm se interesat politike të ndonjë partie dhe të cilitdo prej nesh. Gjithsesi, është detyra ime të respektoj parlamentin dhe t’i plotësoj të gjitha kërkesat. Do të paraqitem në Kuvendin Kombëtar, do t’i përgjigjem të gjitha pyetjeve dhe do të luftoj për Kosovën dhe Metohinë dhe Serbinë tonë”, ka thënë Vuçiç në “Instagram”.
Vuçiç shtoi se të dërguarit specialë i kanë thënë se Serbia do të përballet me ndalimin dhe tërheqjen e investimeve që do të sillte probleme ekonomike për vendin.
“Po t’i kisha larguar dhe të thoja që nuk do të negocioja, regjimi ynë pa viza do të ishte hequr. Gjëja e dytë që do të na ndodhte është se nuk do të kishim më investime dhe investitorët do të tërhiqeshin”, shpjegoi ai.
Mirëpo, siç shtoi ai, i ka bërë të qartë atyre se çfarë është e papranueshme për Serbinë. Në fillim ai theksoi se të gjithë e kanë parë në media versionin e parë të planit franko-gjerman në ditët e kaluara, i cili nuk ka asnjë ndryshim nga versioni i dytë.