Kultura

“Fllad vere”, peizazhe, ngjyra dhe det përmes një ekspozite! Piktori Mario Shemaj: Figurat janë simbolikë e intimes

23 Korrik, 11:50| Përditesimi: 23 Korrik, 15:03

  • Share

Peizazhe verore me sfond detin apo bregdetin me pisha! Figura njerëzore të zhytura në veprime të thjeshta të përditshmërisë: një përqafim, një përkëdhelje, lexim ose thjesht qëndrim në heshtje përballë horizontit e që lëvizin qetësisht nëpër peizazhe që ngjasojnë më shumë me ëndrrat se me realitetin.

Kjo është ajo çfarë ofrojnë pikturat e artistit të ri Mario Shemaj në ekspozitën e parë të çelur prej tij në galerinë e Tiranës.

“Ka filluar për pasion: me peizazhe verore, ku në sfond janë deti e pishat, gradualisht duke i shtuar figura, që krijojnë lidhje të drejtpërdrejta me natyrën e gati intime. Shumica e figurave janë të kthyera me kurriz, simbolikë intimiteti e një momenti melankolik e nostalgjik.", - thotë Shemaj për "Report TV".

Personazhet, njëherësh të njohur e të panjohur, i kthejnë shpinën shikuesit. Jo për t’u larguar por për të ruajtur intimitetin e brishtë të çastit. Kjo mosprezencë e drejtpërdrejtë krijon një hapësirë reflektimi, ku çdo shikues është i ftuar të projektojë përjetimet e veta.

“Nisën para katër vitesh me skica, me vizatime të thjeshta, me peizazhe. Vazhdimisht punoja, bëja dhe punë të tjera, por këto piktura, që ndërtoja në periudhën e verës, më vinin më të gëzueshme.”, - vëren artisti.

Sfondet janë të ndezura, të zhytura në dritë, ku qielli dhe deti shkrihen në një të vetme. Format katrore të telajos sjellin një ndjesi stabiliteti dhe ndaljeje, ndërsa loja delikate e kompozimeve dhe e ngjyrës përçon idenë e një kohe që nuk matet me sekonda, por me ndjenja. Një kohë pa kohë, ku gjithçka qëndron pezull, ashtu si flladi i një vere që nuk mbaron.

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Sigurim i detyrueshëm i banesave ose s’merr shërbim nga shteti, si ju duket?