Foto e posterit per Terminologjinë e Violinës

Florian Vlashi paraqet ‘anatominë’ e violinës në gjuhën shqipe

17 Janar 2019, 07:49| Përditesimi: 17 Janar 2019, 07:51

  • Share

Artisti Florian Vlashi i ka uruar në një mënyrë krejt të veçantë instrumentistët violinistë bashkëkombas për Vitin e Ri 2019. Pas një periudhe të gjatë meditimi dhe pune Floriani i ka kaluar përsëri sinorët e tij artistikë dhe këtë herë nuk ka paraqitur një interpretim, por një Fjalorth të 47 pjesëve të violinës në gjuhën shqipe shkruar me shumë mund dhe … dashuri.

Kolegët e tij janë shprehur të entusiazmuar në rrjetet sociale. “Punë me përgjegjësi të lartë kombëtare”, e quan muzikologu dhe kompozitori Rafet Rudi, ndërsa gjuhëtari Kristaq Jorgo e vlerëson “tepër të vyer dhe fantastike” terminologjinë shqipe të violinës.

“Prej kohësh kisha vënë re një konfuzion total në emërtimin e tyre në shqip ku secili i quante në gjuhën që ka lexuar, studjuar apo nga shkolla ku kishin studjuar profesorët tanë - tregon Florian Vlashi, i cili që nga viti 1992 jeton dhe punon në Orkestrën Sinfonike të Galicisë (Spanjë).

“Po ashtu mora shkas prej një poezie të mrekullueshme nga Frederik Reshpja, një nga vargjet e së cilës ishte, "kurdisën violinat"... ! – vijon dëshminë e tij Floriani, duke shtuar: “Megjithëse poetëve u falet çdo gjë, janë disa fjalë që në muzikë nuk mund të ndërrohen tashmë - vetë fjala muzikë, violinë apo akordoj”. 

Pra, sipas Florianit, nje arsye me shumë që kjo sprovë nuk do t´u shërbente vetëm muzikantëve.

Violinisti 56-vjeçar nga Durrësi ka filluar të punojë për fjalorin dy vjet më parë, duke pranuar se veç pjesëve të violinës në gjuhë të tjera, duhet të njihte shumë mirë edhe... shqipen. Librat mbi violinën dhe luterinë në bibliotekën e tij, (një koleksion i pasur mbi këtë literaturë të mbledhur përgjatë 30 viteve) dhe puna e përditshme në Sinfonica de Galicia, një orkestër ndërkombëtare me instrumentistë nga mbi 20 vende të botës e kanë ndihmuar në këtë ndërmarrje.

“Me kolegët konsultohesha mbi emërtimet, jo vetëm në italisht e frëngjisht, por edhe në finlandisht apo japonisht, në disa raste edhe në ... esperanto. Ndërsa për pastërtinë e gjuhës dhe saktësimin e terminologjisë, gjithmonë jam këshilluar me Biblën e shqipes në krah – “Fjalorin e gjuhës shqipe” - vlerëson violinisti I njohur. “Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe - shkruan gazetari durrsak Thanas Mustaqi. Një instrumentist i nivelit ndërkombëtar si Florian Vlashi, padyshim, do të kontribuojë dhe në terminologjinë shqipe të muzikës, duke luajtur dhe një rol pionieri.

“Do ta quaj "Anatomia e nje mrekullie - (apo sprovë për një fjalorth shqip të pjesëve të violinës)...-shkruan mjaft modest Floriani.

Florian Vlashi është formuar në shkollën e mesme artistike në Durrës dhe në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ai njihet në atdhe, veçanërisht si themelues I  Bienales “Netët e Muzikës Klasike”, që organizon nga viti 2003 në Durrës, qytetin e tij të lindjes. Ndërkohë që veç punës në Orkestrën sinfonike spanjolle të Galicisë, ai ka krijuar 23 vjet më parë në Korunja dhe drejton rregullisht Ansamblin Instrumental “Shekulli XX”, duke sjellë në Spanjë edhe kompozitorë shqiptarë si Çesk Zadeja, Hajg Zacharian, Feim Ibrahimi, Edmond Buharaja, Zeqirja Ballata, Akil Koci, Rafet Rudi, Thoma Simaku e Dorian Çene.

Në fillim të shkurtit ai do të jetë në Madrid dhe në Romë, ku është ftuar për dy koncerte solistike. I pari në Ateneo de Madrid, i dyti në Auditorio Conservatorio Santa Cecilia Romë.

Veprimtaria e violinistit shqiptar në Spanjë shtrihet në pedagogji, publikime në aktivitetet estetike dhe interpretuese si pedagog dhe nlektor.  Në Konservatorin Betanzos ai aktualisht drejton Camerata Brigantina - Dhoma e Orkestrës Rinore. Në fund të viteve 1980 Floriani punoi si pedagog dhe drejtues  Orkestrës “Jan Kukuzeli” në shkollën artistike të Durrësit, që aktualisht mban këtë emër.

Megjithatë, impenjimet e shumta Flori e konsideron Fjalorin e përgatitur një përpjekje jo vetëm pasioni. Ai uron që në Durrës, në shkollën ku ka qenë nxënës dhe mësues i violinës, të rinjtë ti mësojnë pjesët e instrumentit në gjuhën shqipe.

“Nuk e di se sa vlerë mund të ketë kjo punë që po paraqes. Mbase fare pak-shkruan Flori, duke shtuar: Por unë mendoj gjithmonë enciklopedistin e madh francez Diderot i cili shkruan " On doit exiger de moi que je cherche la vérité, no que je la trouve" (Duhet të më detyroni që të kërkoj të vërteten, por jo që ta gjej atë). Ju siguroj që brenda këtyre 47 fjalëve ka shumë mund dhe ... dashuri”- përfundon nga Spanja violinist Florian Vlashi.
 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?