Athena është një pastor gjerman në Florida dhe kishte humbur për plot nëntë ditë, duke lënë familjen e saj të shqetësuar dhe të dëshpëruar. Ajo ishte zhdukur më 15 dhjetor.
Fletushka në lagje, kamera rreth shtëpisë dhe thirrje të dëshpëruara në rrjetet sociale e mbanin gjallë shpresën për gjetjen e saj, por netët pa të dukeshin të pafundme, sipas pronarëve.
Pastaj, në orët e para të 24 dhjetorit, ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Ishte rreth orës 2:30 të mëngjesit kur, papritur, zilja e derës filloi të bjerë. Familja, gjysmë e përgjumur, kontrolloi kamerën e sigurisë të lidhur me zilen. Dhe aty, para derës së shtëpisë, ishte Athena.
Brooke, pronarja e saj, nuk mund t’i besonte syve. “Kërceva nga shtrati dhe vrapova drejt derës - tregoi ajo. - Ishte si një tronditje. Ishte vërtet ajo! Ishte kthyer në shtëpi vetë, sikur të dinte saktësisht ku të shkonte dhe si të na njoftonte se kishte arritur.”
Pamjet nga kamera tregojnë Athenën që shtyp butonin e ziles me hundë, sikur të ishte një veprim i natyrshëm për të. Edhe Liam, djali i Brooke-s, pati një zgjim të paharrueshëm.
“Po flija në divan dhe u zgjova me të që më lëpinte fytyrën,” tha ai me një buzëqeshje. “Ishte dhurata më e bukur e Krishtlindjeve që mund të merrja ndonjëherë.”