Fregata ruse 'Neustrashimy', duke iu afruar kanalit të Siçilisë

Flota ruse zbarkon në Mesdhe, fregata 'Neustrashimy' pritet të mbërrijë nesër në kanalin siçilian

19 Gusht, 14:16| Përditesimi: 19 Gusht, 14:22

  • Share

Itali- Flota ruse zbarkon në Mesdhe. Fregata e njohur “Neustrashimy”, që cilësohet si ‘nëna’ e nëndetëseve, mund të mbërrijë nesër (20 Gusht) në kanalin e Siçilisë.

Është një anije masive e ndërtuar si shkatërrues periudhën e fundit të ish-Bashkimit Sovjetik dhe që i është nënshtruar rikonstruksioneve për tetë vite me radhë. 129 metra e gjatë, ka raketa lundrimi dhe kundërajrorë, raketa anti-nëndetëse; silurë, një top me zjarr të shpejtë, një mitraloz rrotullues dhe një helikopter. U rikthye në shërbim në vitin 2022.

Ajo vjen nga një ekspeditë në Havana, ku u stërvit me marinën Kubane. Flota ruse po forcon praninë e saj në Mesdhe, në përgjigje të vendosjes së madhe të marinës amerikane për krizën e Lindjes së Mesme, raporton “La Repubblica”.

Dje, fregata “Neustrashimy” kaloi Gjibraltarin së bashku me furnizuesin Yelnya: nëse nuk ndalen në Algjeri, e cila ka intensifikuar marrëdhëniet me marinën e Moskës, nesër do të jenë në ngushticën e Siçilisë.

Midis pajisjeve ka edhe sisteme të luftës elektronike të gjeneratës së fundit, për të analizuar dhe për të trazuar apo diktuar frekuencat: një instrument që shërben edhe për të spiunuar radarët e NATO-s.

Me ardhjen e saj, ekipi rus mesdhetar me bazë në portin sirian të Tartus, mund të llogarisë në tre fregata, një korvetë dhe një nëndetëse të klasit “Kilo”. Njësia më moderne është “Gorshkov”, e pajisur me raketa hipersonike “Zirkon”, të dizajnuara për të kapërcyer mbrojtjen e aeroplanmbajtësve amerikanë.

Fregata u largua nga baza siriane pak para mesit të gushtit, ndoshta për të monitoruar aktivitetin e task-forcës së marinës amerikane, të pozicionuar në ujërat e Qipros, si një pengesë për të ndaluar hakmarrjen e Hezbollahut kundër Izraelit.

Ndërsa deri në vjeshtën e kaluar “sfidat” me anijet e NATO-s ishin aktiviteti prioritar i reparteve ruse, që atëherë ato i janë përkushtuar mbi të gjitha për shoqërimin e cisternave të naftës dhe anijeve tregtare të ngarkuara me pajisje ushtarake, që furnizojnë aleatët e tyre, si ai sirian.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?