Sociale

Fluks emigrantësh në Kapshticë dhe Qafë-Thanë, mbi 11 mijë në hyrje dhe rreth 9 mijë në dalje vetëm dje! Grekët me 4 sportele, pala shqiptare me 6-të (VIDEO)

9 Gusht, 15:32| Përditesimi: 9 Gusht, 17:02

  • Share

Pika e kalimit kufitar të Kapshticës ka regjistruar sot një fluks të lartë hyrjesh nga Greqia drejt Shqipërisë.

Dhjetëra automjete janë rreshtuar në kolonë, ndërsa pala shqiptare po punon me katër sportele në hyrje dhe dy në dalje, duke aplikuar procedurë të përshpejtuar për të shmangur pritjet e gjata.

“Po vij nga Selaniku me nipërit dhe po shkoj në Korçë. Pala greke punonte me dy sportele dhe kalova për dy minuta, s’pati probleme. Do rri të bëj Shën Mërinë dhe do kthehem”, shprehet një emigrant korçar.

Nga ana tjetër, pala greke ka hapur katër sportele në dalje, por për shkak të numrit të madh të emigrantëve shqiptarë që po kthehen për pushime, është krijuar ngarkesë në segmentin kufitar.

“Situata në krahun grek të doganës ishte e qetë. Kam ardhur për pushime me familjen”, thotë një tjetër emigrant.

Sipas të dhënave zyrtare, më 8 gusht 2025, në Kapshticë kanë hyrë 6242 shtetas dhe kanë dalë 3557. Në pikën kufitare të Qafë-Thanës janë regjistruar 5248 hyrje dhe 5073 dalje, ç’ka tregon se fluksi është i lartë në të dyja pikat kufitare, me dominim të hyrjeve nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

Autoritetet kufitare rekomandojnë që udhëtarët të planifikojnë lëvizjet në orare më pak të ngarkuara, për të shmangur vonesat në hyrje-daljet ndërmjet dy vendeve.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po i liron hapësirat publike aksioni i qeverisë?