Në pikën kufitare të Morinit, fundi i muajit maj u shënua nga kolonat e para të automjeteve që vinin nga Kosova. Rritja e temperaturave dhe nisja e sezonit veror kanë sjellë një shtim të ndjeshëm të lëvizjes së qytetarëve drejt bregdetit shqiptar.Që në orët e para të mëngjesit, sportelet kufitare kanë funksionuar me kapacitet të plotë për të përballuar fluksin në rritje.
Autoritetet konfirmojnë se, falë marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës, procedurat janë përshpejtuar ndjeshëm, duke e bërë kalimin më të shpejtë dhe më të lehtë.Në pikën kufitare Morinë–Vërmicë janë vënë në funksion 8 sportele në hyrje dhe 8 në dalje, një masë kjo që ka ndihmuar në shmangien e pritjeve të gjata që zakonisht karakterizojnë fundjavat me fluks të lartë.Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në 24 orët e fundit përmes kësaj pike kufitare kanë kaluar rreth 30 mijë udhëtarë, përfshirë afro 8,500 automjete dhe 87 autobusë.
Lëvizja është zhvilluar në mënyrë të qetë, edhe pse me kontrolle të shtuara për të garantuar sigurinë dhe për të parandaluar çdo përpjekje për kalime të paligjshme.
Sezoni turistik duket se ka nisur fuqishëm. Të dhënat e para tregojnë se Shqipëria vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara për pushuesit nga Kosova një zgjedhje që ndikohet nga afërsia gjeografike dhe mikpritja që është bërë tashmë një markë e njohur shqiptare.
Komente
