Këto tre ambulanca erdhën në pak minuta në urgjencën e pediatrisë së Qendrës Spitalore 'Nënë Tereza' në Tiranë. Me urgjencë mbërritën foshnje vetëm disa javëshe pasi temperatura e lartë nuk po ulej.
Me temperaturë, infeksione të rrugëve të frymëmarrjes apo dhimbje barku, çdo ditë në urgjencën e pediatrisë kërkojnë ndihmë mjekësore mbi 300 të vegjël, por në fundjavë kjo shifër shkoi në 800 për 48 orë.
ISHP bën me dije se në të gjithë vendin gjatë një jave regjistrohen mbi 15 mijë qytetarë me viroza dhe grip. Të ngarkuara janë edhe qendrat shëndetësore e sidomos ato 24 orëshe.
“Urgjenca e pediatrisë në QSUT është e mbushur me pacientë të vegjël. Ka një miks virusesh që i bëjnë prindërit që t’i dërgojnë fëmijët në spital. Infeksionet e rrugëve respiratore dominojnë, por nuk mungojnë as rastet me bronkopneumoni dhe pneumoni. Gjatë 2 ditëve të fundjavës në urgjencën e pediatrisë janë paraqitur rreth 800 pacientë të vegjël, ndërsa gjatë javës kjo shifër në 24 orë shkon rreth 300. Gjatë javës në të gjithë vendin janë regjistruar rreth 15 mijë qytetarë në të gjithë vendin me viroza respiratore dhe 90 qytetarë janë regjistruar me grip. Edhe në qendrën spitalore numër 10 në kryeqytet e cila funksionon 24 orë në 7 ditë të javës ka fluks të shtuar qytetarësh”, tha Jonida Diko, drejtoresha e qendrës shëndetësore nr. 10.
Drejtoresha e qendrës shëndetësore numër 10, Jonida Diko kërkon nga qytetarët që të bëjnë vaksinën e gripit, ndërsa këshillon që të mos anashkalohet asnjë simptomë.
Situatë të ngjashme Report TV ka raportuar dhe në disa qytete te vendit, ku pacientët që u drejtohen spitaleve janë fëmijët dhe të moshuarit.