TIRANË- Virozat e stinës kanë sjellë fluks pacientësh në qendrat shëndetësore. Gazetarja e Report Tv, Enxhi Musaj ishte e pranishme pasditen e sotme në qendrën shëndetësore numër 6 në Tiranë, ku zhvilloi një intervistë me mjekun e familjes, Besar Hysi, i cili tha se fluksi është rritur menjëherë pas periudhës së festave.
Duke qenë se në vend po qarkullon njëkohësisht edhe varianti i ri i COVID edhe virozat e stinës, mjeku thotë se qytetarët paraqiten menjëherë për tu vizituar pasi tremben duke qenë se simptomat janë të ngjashme. Duke u ndalur në shifra, Hysi thotë se në ditë kryhen rreth 60 vizita, teksa thekson se është vënë re një rritje e rasteve pozitive me COVID tek fëmijët nga mosha 5 deri në 14 vjeç. Ai thotë se në përgjithësi fëmijët e kalojnë koronavirusin me simptoma përgjithësisht të lehta.
Mjeku i familjes thotë se simptomat me të cilat shfaqen pacientët kryesisht janë temperaturë e lartë, kollë, diarre, dhimbje koke e kockash, si edhe vështirësi frymëmarrjeje.
“Fluksi i pacientëve ka ardhur në rritje që pas festave, si te moshat pediatrike edhe tek të rriturit, me simptomat e gripit stinor, të ngjashme me simptomat e COVID. Rreth 60 vizita në ditë me simptoma gripi, edhe tek mjekët pediatër janë shtuar vizitat për fëmijët. Mosha më e prekur është mosha 5-14 vjeçare, kemi vënë re tek fëmijët shtim të rasteve me COVID. Në pjesën më të madhe të rasteve e kalojnë lehtë dhe nuk kemi pasur raste të rënda”, u shpreh mjeku për Report Tv.
Ndërkohë, mjeku theksoi se në qendrën shëndetësore numër 6 kryhen rreth 100 testime në ditë, ku rreth 45% e tyre dalin pozitivë me koronavirus.
“Janë rritur edhe kërkesat për teste, si pasojë e rritjes së numrit të vizitave, rreth 90-100 teste në ditë, ka raste që tejkalohet. Në dy-tre ditët e fundit janë shtuar, rreth 45% e testeve dalin pozitiv. Në krahasim me muajin dhjetor, një shtim i rasteve, afro dyfishim i rasteve me COVID, Kryesisht janë persona të pavaksinuar, i përkasin moshës aktive, që janë në punë dhe mosha adult. Ka dhe raste që janë të vaksinuar por e kalojnë me simptoma të lehta. Kemi një rritje të personave që duan të marrin dozën e parë të vaksinës COVID, kemi rritje dhe të moshave të treta që kërkojnë dozën e tretë”, tha mjeku.