TIRANE-Shoqata Shqiptare e Bankave ka reaguar pas shqetësimit të biznesit në lidhje me kryerjen e veprimeve pranë degëve. Shoqata thotë se nga verifikimet që ka bërë, ka konstatuar se ky problem ka qenë vetëm në degët e bankave të mëdha dhe kryesisht në orët e mëngjesit. Zgjidhja? Shoqata Shqiptare e Bankave këshillon që të mos përqendroheni në degët ku shikojnë që ka radhë.
"Sot, data 17 mars, ka pasur një shqetësim nga biznesi në lidhje me kryerjen e veprimeve pranë degëve të bankave në Tiranë. Shqetësimi ka të bëjë me radhën e gjatë dhe kohën e pritjes. Shoqata Shqiptare e Bankave, pasi bëri verifikimin me të gjitha bankat, konstaton se ky problem ka qenë vetëm në degët e bankave të mëdha dhe kryesisht në orët e mëngjesit. Ndërkohë që në degët e bankave të tjera ka pasur mundësi të bollshme për të kryer veprime.
Në përgjigje të këtij shqetësimi, duke përgënjeshtruar lajmet se radhët kishin të bënin me pagesa të kësteve të kredive dhe duke marrë në konsideratë që edhe bankat, si shumë biznese të tjera, për arsye të situatës me kufizime të shumta, janë edhe ato të prekura, i bëjmë thirrje biznesit të mos përqendrohet në degë ku shikon që ka radhë.
Detyrimet tatimore paguhen në çdo degë të çdo banke. Ju lutemi, për shërbimin tuaj më të mirë dhe më të shpejtë, përdorni degët ku nuk ka radhë! Për më tepër, përdorni kanalet digjitale për veprimet tuaja pa u paraqitur në degë" thuhet në njoftim.