Turistët në portin e Durrësit gjatë sezonit veror

Flukset e turistëve të huaj, Organizata Botërore e Turizmit e rendit Shqipërinë të parën në Europë dhe të dytën në rang global

4 Tetor 2022, 18:42| Përditesimi: 4 Tetor 2022, 18:47

  • Share

Organizata Botërore e Turizmit e ka renditur Shqipërinë në vend të dytë në botë përsa i përket normës së turistëve ndërkombëtarë. Në “Barometrin e Turizmit Botëror”, publikuar me të dhënat e sektorit të turizmit në nivel global nga janari në korrik të vitit 2022, OBT konfirmon Shqipërinë me një rritje 19% krahasuar me vitin 2019, duke arritur një ndër performancat më të mira të rikuperimit të sektorit pas pandemisë. Po ashtu, vendi ka tregues pozitiv edhe në të ardhurat e gjeneruara prej turistëve të huaj, ku renditet në vend të katërt, me një rritje 32% krahasuar me të ardhurat e vitit 2019.

Në periudhën janar-gusht, Shqipëria numëroi mbi 5,6 milionë vizitorë të huaj, rreth 800 mijë më shumë se viti 2019, teksa vizitorët në zonat e mbrojtura (3,3 milionë në tetë muajt e parë të vitit) dhe preferenca e turistëve të huaj për rajonin e veriut (41%) tregojnë për një diversifikim të ofertës turistike dhe zgjatje të sezonit. Ndërsa pesha e turizmit në Prodhimin e Brendshëm Bruto vlerësohet të jetë mbi 17%. Sipas Barometrit të botuar rishtazi, në nivel global flukset ndërkombëtare të turistëve pothuajse u trefishuan nga janari deri në korrik 2022 (+172%) krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, por sektori mbetet ende në 60% të nivelit të vitit 2019, pasi shumë vende po hasin vështërësi të rikuperojnë trendet.

Në eventin e organizuar në datë 27 shtator me rastin e Ditës Botërore të Turizmit, ministrja Mirela Kumbaro njoftoi se ka nisur përgatitja për sezonin e ardhshëm turistik dhe çdo procedurë për vitin 2023 do të mbyllet brenda muajit dhjetor. Kjo sipas Kumbaros do t’i japë mundësi sektorit privat të planifikojë më mirë punën për të menaxhuar flukset e turistëve, duke vendosur një standard të ri për organizimin e sezoneve turistike.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?