Flutura Açka dhe prezantimi i kandidatëve të PD në Elbasan

Politikë

Flutura Açka flet për kandidatët e PD në Elbasan: Ishte një kokorroç, i kishte dhënë besën profesorit e më përgjonte! Tjetri bënte guerrillet për votat e PS

7 Prill, 19:01| Përditesimi: 7 Prill, 19:09

  • Share

Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka e cila në zgjedhjet e 11 majit pas shkëputjes së saj nga forca politike ku dhe bën pjesë, nuk do të kandidojë sërish për një vend në Kuvendin e Shqipërisë ka reaguar pasi kryedemokrati prezantoi një ditë më parë kandidatët e PD-Aleancës për Shqipërinë Madhështore në qarkun e Elbasanit.

Përmes një postimi në “Facebook”, Açka e keqardhur nga lista e atyre ku dikur bënte pjesë vetë, nuk ka lënë anash as ironitë për kolegët e saj, por dhe për ata të “rinj” të cilët në zgjedhjet e 11 majit do të garojnë me sloganin e bluve.

Ndër rreshta deputetja demokrate tha se në radhët e kandidatëve që u prezantuan dje nga Sali Berisha qëndronte dikush i cili për shkak të “besës që i kishte dhënë profesorit”, duke nënkuptuar kështu Luçiano Boçit, nuk i fliste, madje raportonte dhe përgjonte çdo lëvizje që Açka bënte.

“Njërin, një kokorroç, e kujtoj mirë gjatë fushatës së vitit 2021. Ai, edhe pse i zonës sime, prej besës që i kishte dhënë Profesorit – politikanit të vërtetë! – jo vetëm që s’më takoi kurrë, por me detyrën e langoit përgjonte gjurmët e mia, raportonte kë takoja, dhe u bënte presin që t’ua merrte votën time për të zotin”, shkruan Açka, duke vijuar më tej me një tjetër kandidat i cili gjatë zgjedhjeve të 2021 dilte hapur për Partinë Demokratike, ndërkohë gjatë “natës” bënte aleanca me socialistët.

Reagimi i plotë i Açkës:

Si deputete e demokratëve të qarkut të Elbasanit, edhe pse nuk rikandidova, i ndjek zhvillimet e fushatës së zgjedhjeve të 11 majit aty.

Në listën e kandidatëve të PD-së që u paraqit dje, një pjesë nuk e njoh, një pjesë e njoh nga larg dhe besoj se ata që i kanë zgjedhur, kanë vënë nderin, ose interesat e tyre, kur i kanë rekomanduar.

Njërin, një kokorroç, e kujtoj mirë gjatë fushatës së vitit 2021. Ai, edhe pse i zonës sime, prej besës që i kishte dhënë Profesorit – politikanit të vërtetë! – jo vetëm që s’më takoi kurrë, por me detyrën e langoit përgjonte gjurmët e mia, raportonte kë takoja, dhe u bënte presin që t’ua merrte votën time për të zotin.

Me të njëjtin përbetim u soll edhe një kandidate tjetër në këtë foto. Gjatë numërimit në KZAZ 48, bërë def nga numëruesi i ndershëm, kolegu im urdhëroi ta hiqnin dhe vërtet pak pak u shfaq vajzukja besnike, e cila, jo vetëm u tregua bujare me herës-thyesin, por siguroi edhe të ardhmen e vet politike me këtë shërbim. Siç flitet dhe siç duket.

Masakra në sjellje dhe numërim të kolegut ndaj kolegut në 2021 në Elbasan, nuk rrëfehet! Kush ka dyshime, të analizojë: rezultatin e vitit 2017, diferencën me tre deputetëve më 2021 dhe gropën me 8500 vota e vitit 2023. Të gjitha kemi rast t’i vërtetojmë tani më 2025.

Mes kandidatëve pashë një lagjjarin tim të vjetër, i cili më 2021, edhe pse pinte kafe me ne ditën, natën bënte guerrillet për votat e PS.

Por thagma ishte një kolegu im kandidat, i cili habitshëm, për hatër të aksioneve idiote të Gazit në dimrin 2023-24, jo vetëm nuk më fliste, po i jepte pëlqime pa i lexuar fare ca shkrimeve të turpshme të nja dy kolegëve të mi që kandisën të shkruanin për mua rebelen.

Ai kishte shkuar ndër fis e demokratët e mi për të kërkuar vota nga respekti i madh që kishte për mua. Dhe meqenëse mua nuk më hynin në punë, bujarisht mund tē ishin për të!

Ja kështu, përveç nja dy kandidatëve të respektuar, që kanë qenë dhe mbeten në bosht, dhe të atyre të paktëve që nuk i njoh, ajo listë më shkakton keqardhje.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Produktet e kontaminuara, si e vlerësoni sigurinë ushqimore në Shqipëri?