Flutura Açka, i ka drejtuar një kërkesë publike për ndjesë Gazment Bardhit.
E ftuar në emisionin 'Dekalog' Açka u shpreh e prerë se pa këtë ndjesë publike, nuk do të ketë asnjë bashkëbisedim apo pajtim mes tyre.
"Më kërko falje!"-ishte kërkesa e drejtpërdrejtë që Açka i bëri Gazment Bardhit gjatë intervistës.
Ajo deklaroi se Partia Demokratike është e copëtuar dhe se përçarja nuk mund të tejkalohet pa një proces të qartë pajtimi dhe pastrimi, i cili duhet të nisë nga individët që kanë krijuar ndasi të thella brenda partisë.
"PD nuk i fiton më zgjedhjet sepse strukturat e partisë janë ndarë, janë copëzuar. Janë ndarë për çështje parimore. Këto pjesë nuk bashkohen po nuk u pajtuan. Kanë harruar një proces shumë të rëndësishëm që është pastrimi dhe pajtimi", tha Açka.
Duke iu referuar marrëdhënieve të saj me Gazment Bardhin, ajo theksoi se është e pamundur të ulet në një tavolinë me të, për sa kohë ai nuk ka reflektuar publikisht.
"Si mund të ulem unë me Gazment Bardhin pas masakrimit që më ka bërë në Parlament. Absolutisht jo. Pa një ndjesë publike nga ana e tij, nuk do të ndodhë kurrë që unë dhe ai të ulemi në një tavolinë. Ai të bëjë një ndjesë publike ndaj meje, dhe pastaj mund të ulemi e të diskutojmë për pajtimin e PD-së."
Sipas Açkës, ofendimi ndaj saj ishte publik, dhe për këtë arsye kërkesa për ndjesë duhet të bëhet po ashtu në publik.
"Ofendimet ai i ka bërë publikisht, ndaj edhe ndjesa duhet të jetë e tillë. Dhe si unë janë një pjesë e madhe e PD-së", përfundon Açka./ Dritare
Komente
