Kriza në Partinë Demokratike sa vjen edhe thellohet, teksa zërat kritikë që kërkojnë hapjen e saj dhe reformimin, po shtohen çdo ditë edhe më shumë pas humbjes historike të zgjedhjeve të 11 majit.
Edhe deputetja demokrate Flutura Açka, ka reaguar ndaj situatës së brendshme të opozitës, duke e cilësuar atë si ‘të paaftë për të gjetur një zgjidhje’.
Me një postim në rrjetin social Facebook, Açka shkruan se PD-ja është futur në një “hall” nga i cili nuk di të dalë dhe se partia duhet të nisë nga e para.
Sipas saj, nga kjo gjendje e opozitës, Shqipëria po përballet me një “depresion shoqëror”, ndërsa komunistët vijojnë të mbajnë pushtetin prej dekadash.
Ajo e ironizon PD-në edhe me një foto gati humoristike, duke e krahasuar me një program apo softuer që nuk punon dhe që ka nevojë për një riformatim.
“Komunistëve po iu bëhen 80 vjet në pushtet dhe shqiptarët kanë marrë sytë këmbët. A kemi më moral?” – shkruan Açka.
Gjithashtu ajo vë në dyshim ekzistencën e një elite të vërtetë brenda PD-së.
Postimi i plotë:
“Mos u fshihni më pas gishtit! PD juaj ka rënë në një hall që nuk ia del ta zgjidhë dot, ndaj duhet të nisë nga e para.
Prej kësaj PD-je të ndryshkur, Shqipëria po shkon në Depresion Shoqëror. Komunistëve po iu bëhen 80 vjet në pushtet dhe shqiptarët kanë marrë sytë këmbët! A kemi më moral?
Çështja është: a ka elitë PD-ja?
Çështja është: a do ta durojnë demokratët këtë lloj elite që kanë?
Në zgjedhje duruan…
Por zgjedhjet kanë mbaruar, ka kohë që kanë mbaruar, or të uruar!”
Postimi ironik i deputetes së PD, Flutura Açka
Komente
