Në javën e fundit të mandatit të saj si deputete, demokratja Flutura Açka falënderoi ata që e besuan dhe akuzoi PD-në si faktor kryesor të fitores së Edi Ramës. Ajo mbajti një konferencë shtypi duke akuzuar PD-në se i fali fitoren Edi Ramës përmes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
“Ne jemi ndëshkuar nga shqiptarët mes të tjerash për amoralitetin e Kodit Zgjedhor që u gatua këtu në Kuvend. Opozitarët që e votuan, në fakt shkatërruan mundësinë për fitoren e PD dhe ia lehtësuan fitoren Ramës. Madje, i dhuruan me Kod fitoren Ramës me plot 12 mandate në Kuvend. Dhe përdorimit të Kuvend për përndjekjen e reformatorëve opozitarë”, tha Açka.
Açka sheh me shpresë partitë e reja, nëse PD nuk ndryshon seriozisht.
“Fitoren sistemi vendos të ta vjedhë, njësoj siç ia vodhi Adriatik Lapajt. Në fakt nuk kanë humbur partitë e reja, janë vjedhur partitë e reja. Të gjithave bashkë u janë grabitur mbi 10 deputetë. Vetëm partitë e reja do ta shpëtojnë Shqipërinë, bashkë me PD-në nëse ajo ndërron lëkurë”, theksoi Açka.
Shkrimtarja Flutura Açka hyri në parlament në vitin 2021, si një nga prurjet më të spikatura të Lulzim Bashës.
Pas konflikteve të fundit në PD, ajo u distancua edhe nga Basha, edhe nga Berisha, dhe Gazment Bardhi e shkarkoi nga posti i kryetares së Komisionit të Edukimit.
Komente
