Deputetja demokrate, Flutura Açka, në fjalën e mbajtur në Kuvendin Kombëtar ka konsideruar dy shembje të thella për Partinë Demokratike efektet e zgjedhje në 25 prill dhe shpalljen “non grata” të Berishës. Açka u shpreh se vetëm ngaqë ka thënë të vërtetën kundër Berishës, e kanë fyer dhe kërcënuar.
“Në këto muaj më është dashur të përjetoj bashkë me ju edhe dy shembje të thella në ngrehinën 30 vjeçare demokratike. Atë të efekteve në Kodin Zgjedhor në 25 prill nga përçarja për të cilin ende nuk jemi çliruar, dhe atë të kodit kanunor të shpalljes ’non grata’ të ish-liderit tonë historik, nga efekti i të cilit duket sikur jemi dy palë ‘armike’. Në rastin e parë përtej trishtimit që me jep që gjatë fushatës të shihje kolegun tënd të manipulonte për vota edhe të afërmit e tu nuk mund të kishe ndonjë brengë të madhe sepse e gjitha shkonte në thesin e demokratëve. Në rastin e dytë, u thirrën në skenë njerëz me qëllimin e vetëm për një fushatë linçimi ndaj pjesës tjetër të demokratëve me një fjalor anti-demokratik, pse jo dhe anti-njerëzor. Vetëm pse kam thënë të vërtetën time që kjo parti duhet të shoh përpara dhe të ketë qasje euro-atlantike kam qenë për javë të tëra në një rrebesh akut fyerjesh, poshtërimesh deri edhe kërcënimesh.
Nuk më shqetësojnë fare vërejtjet e demokratëve të thjeshtë që janë thjesht nën manipulim, apo nën pezm, ata kanë një sens mahintës mirëkuptimi, por çështja është te një shpurë ish-ministrash, diplomatë, gazetarë, ish-deputetë, deputetë, ish-masovikë të kohës së Enver Hoxhës që PD i kishte apo i ka ende në radhët e saj. Lincimi ndaj personit, familjarëve të afërmve ishin në kufijtë e anti-njerëzoresh. Është një urrejtje që nuk do ta kisha besuar po të mos ta kisha njohur. Për ta PD në pushtet u jep mirazhin e majmërisë, vilat, honorarët, tenderat, gardërobën e shtrenjtë. Ende nuk e kanë kuptuar që e kanë kthyer PD-në në shkretëtirë qoftë me heshtjen e tyre. Nuk kanë lënë rast nga takimet me ambasadat të flasin për mungesë lidershipi. Ata e sollën partinë në tranzicion të ri që jemi të detyruar t’i japim fund sot. Partia nuk përdoret vetëm për privilegje dhe për t’u krekosur, PD duhet të ndahet sot nga kjo mënyrë e të bërit politikë”, tha Açka.
Lajmi kryesor:
Kuvendi i PD, 5004 delegatë rrëzojnë '11 dhjetorin' dhe anulojnë referendumin! Miratohet neni 'Anti Berisha', përjashtohet nga pozicionet drejtuese! Basha: Ta nxjerrim nga radhët tona (VIDEO)
SI.E./ReportTv.al