Harta e fluturimit të avionit të Netanyahut në Evropë

Bota

Fluturimi i pazakontë i avionit të Netanyahut mbi Evropë, frikë nga urdhër-arresti ndërkombëtar?

25 Shtator, 17:40| Përditesimi: 25 Shtator, 17:42

  • Share

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka ndjekur një rrugë të pazakontë gjatë udhëtimit të tij drejt Shteteve të Bashkuara, me qëllim për të shmangur vendet që mund të zbatojnë një urdhër-arrest ndërkombëtar kundër tij, për akuza për krime lufte.

Netanyahu u nis nga Tel Avivi të mërkurën në mbrëmje për të mbajtur një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe për t’u takuar me Presidentin amerikan Donald Trump.

Zakonisht, fluturimi i tij do të kalonte mbi disa vende europiane, por këtë herë avioni fluturoi përgjatë të gjithë Detit Mesdhe dhe përmes Ngushticës së Gjibraltarit.

Sipas të dhënave të faqes ‘FlightRadar24’, avioni kaloi shkurtimisht mbi Greqi dhe Itali, por shmangu plotësisht hapësirën ajrore franceze dhe spanjolle, gjë që zgjati kohëzgjatjen e udhëtimit.

Zyra e Kryeministrit izraelit nuk ka dhënë një shpjegim zyrtar për këtë devijim të pazakontë të itinerarit.

Pak javë më parë, Zyra e Kryeministrit njoftoi se disa gazetarë dhe anëtarë të delegacionit nuk do ta shoqëronin Netanyahun për arsye “teknike që lidhen me vendosjen në avion dhe sigurinë”.

Sipas The Jerusalem Post, kjo masë u mor për të kompensuar sasinë shtesë të karburantit të nevojshëm për rrugën më të gjatë.

Një burim diplomatik francez bëri të ditur se Franca kishte pranuar kërkesën e Izraelit për të fluturuar mbi hapësirën ajrore franceze. “Në fund, ata vendosën të ndjekin një itinerar tjetër dhe nuk e dimë arsyen,” tha burimi diplomatik.

Gjatë vizitës së tij të fundit në SHBA në korrik, Netanyahu kishte fluturuar mbi Greqi, Itali dhe Francë, sipas të dhënave nga një tjetër faqe për ndjekjen e fluturimeve, ADS-B Exchange.

Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) lëshoi një urdhër-arrest ndaj Netanyahut në nëntorin e kaluar, me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Fluturimi mbi vende europiane që janë anëtare të Gjykatës së Hagës mund të sillte rrezikun që ai të detyrohej të ulej dhe të arrestohej.

As Izraeli dhe as Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?