Pilotja 82-vjeçare që shoqëroi miliarderin amerikan Jeff Bezos në udhëtimin e parë historik turistik në univers duket e zhgënjyer. Pilotja Wally Funk është shprehur se anija raketë nuk ka shkuar shumë lart dhe se gjithçka ishte errësirë.
“Ne u ngjitëm shpejt dhe pashë errësirë. Mendova se do të shihja botën, por nuk ishim mjaft lart" shprehet 82-vjeçarja për një media të huaj (Fox News).
Ndër të tjera Funk ka falenderuar Jeff Bezos që mundësoi fluturimin dhe u bë një nga personat më të vjetër që ka udhëtuar në hapësirë. Por mesa duket pilotja Wally Funk nuk është e kënaqur me udhëtimin dhe do dëshironte që të ishte me i gjatë.
"E doja çdo minutë të saj, unë thjesht do të doja të kishte qenë më e gjatë” shprehet Funk.
Kujtojmë që udhëtimi turistik u realizua nga Jeff Bezos në 20 korrik, me anijen raketë të ndërtuar nga kompania e tij, Blue Origin. Fluturimi zgjati gati 11 minuta në total dhe arriti në 66.5 milje në lartësi.
Miliarderi Bezos u shoqërua nga vëllai i tij, Mark, pilotja 82-vjeçare, Wally Funk, dhe një student 18-vjeçar, Oliver Daemen, i cili tashmë njihet si personi më i ri në moshë që ka bërë një udhëtim në hapësirë.
Në përfundim të udhëtimit më datë 20 korrik, Jeff Bezos u shpreh se ishte dita më e bukur e jetës së tij.
Të katër udhëtarët patën mundësinë të përjetojnë tre minuta me gravitet zero në pafundësinë e universit.