FMN: Kursi i këmbimit, nuk nevojitet ndërhyrje nga Banka e Shqipërisë

25 Janar, 16:25| Përditesimi: 25 Janar, 16:26

  • Share

Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut nuk i përmbush kushtet për një ndërhyrje nga Banka e Shqipërisë, në kontekstin aktual makroekonomik.

Një analizë e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) arrin në përfundimin se Banka e Shqipërisë duhet të ruajë kursin aktual të mosndërhyrjes në kursin e këmbimit, në linjë edhe me rekomandimet e mëparshme të FMN.

Sipas analizës, nuk vërehen tronditje në flukset e kapitalit që do të justifikonin një ndërhyrje në kursin e këmbimit, megjithëse tregu i këmbimeve valutore në Shqipëri është i cekët dhe prania e huave të ekspozuara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit është e konsiderueshme.

FMN vlerëson se rreziqet e lidhur me kursin e këmbimit duhen adresuar sidomos nëpërmjet përpjekjeve për të ulur euroizimin e ekonomisë dhe nëpërmjet masave makroprudenciale, që synojnë shmangien e marrjes përsipër të rrezikut të kursit të këmbimit nga bankat dhe klientët e tyre.

Megjithatë, FMN vëren se rreziqet deflacioniste të lidhur me një mbiçmim të vazhdueshëm të Lekut duhet të monitorohen. Megjithatë, FMN vlerëson se ndërhyrje të tilla nuk duhet të kenë natyrë parandaluese (ex-ante), por mund të ndërmerren vetëm kur vërehet një zhvendosje e pritjeve inflacioniste si rezultat i forcimit të kursit të këmbimit të monedhës.

Deri tani, vlerësimet e FMN sidoqoftë tregojnë se përcjellja e efekteve të mbiçmimit të kursit në inflacion është relativisht e vogël.

Pavarësisht forcimit të Lekut, ekonomia ende ndodhet në një fazë inflacioniste. Inflacioni vjetor në fund të vitit 2023 shënoi nivelin 4%, ndërsa Banka e Shqipërisë pret që rënia pranë objektivit të 3% mund të ndodhë vetëm në pjesën e dytë të këtij viti. Në vlerësimet e Bankës së Shqipërisë, forcimi i Lekut ka ndihmuar në uljen e inflacionit, por duke qenë se inflacioni ndodhet ende sipër objektivit është ende herët të flitet për rrezik deflacionist.

FMN ka këshilluar vazhdimisht Bankën e Shqipërisë që të lejojë kursin e këmbimit të veprojë si një përthithës të goditjeve në ekonomi dhe t’i kufizojë ndërhyrjet vetëm në rast të çrregullimeve në tregun valutor.

Megjithatë, sipas Kuadrit të Integruar të Politikave të FMN, ndërhyrja në kursin e këmbimit mund të justifikohet në raste kur tregu valutor është shumë i cekët, kur ka mospërputhje të mëdha valutore që kërcënojnë stabilitetin makorekonomik ose kursi i këmbimit mund të cenojë objektivin e inflacionit. Megjithatë, analiza e FMN tregon se asnjë nga faktorët e mësipërm për momentin nuk shtron rreziqe që do të justifikonin ndërhyrje të Bankës së Shqipërisë në kursin e këmbimit valutor.

Vitin e kaluar, kursi i këmbimit Euro-Lek ra me 9.1% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, në momente të veçanta, veçanësisht në sezonin veror, rënia vjetore arriti deri në 14%.

Banka e Shqipërisë ka theksuar se ngelet e përkushtuar ndaj regjimit të lirë të kursit të këmbimit, por megjithatë vitin e kaluar ndërmori dy ndërhyrje në kursin e këmbimit valutor, për të frenuar rënien e shpejtë të kursit të Euros.

Më datë 9 qershor, banka qendrore bleu 5 milionë euro, ndërsa më datë 20 korrik (pasi Euro arriti nivelin minimal historik prej 100.49 lekësh) bleu 12.1 milionë euro të tjera.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë shumën e blerjeve nëpërmjet ankandeve të planifikuara për nevojat e administrimit të rezervës valutore. Në total, vlerësohet se Banka e Shqipërisë bleu rreth 250 milionë euro në tregun e brendshëm valutor vitin e kaluar./ Monitor

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?