Fondi Monetar Ndërkombëtar i sugjeron Bankës së Shqipërisë të vijojë të monitorojë kursin e këmbimit dhe normën bazë të interesit. Gjatë takimit me guvernatorin Gent Sejko, drejtori ekzekutiv i FMN për Shqipërinë Riccardo Ercoli, u shpreh se duhet të vijojë me regjim të lirë në kursin e këmbimit si dhe të mbajë nën kontroll inflacionin për të bërë të mundur kthimin e tij në objektiv prej 3% brenda këtij viti.
Ndërsa Sejko i prezantoi drejtorit të FMN-së ndryshimet rregullatorë të ndërmarra për të mbrojtur konsumatorët nga kreditë. Ndryshime që sipas Sejkos kanë sjellë ulje të kostove për qytetarët, dhe më shumë transparencë mbi komisionet dhe kushtet e kredive. Pavarësisht këtyre ndryshimeve Sejko ka theksuar se do të vijojnë monitorimet për interesat e kredive konsumatore.
Kreditimi i ekonomisë do të marrë një hov tjetër gjatë këtij viti, pasi do të fillojë zbatimi i programit me kredi të buta të bizneseve të vogla dhe të mesme. Janë 25 miliardë lekë që banka qendrore ka vendosur në dispozicion të bankave tregtare në mënyrë që të japin hua për sektorë të nënfinancuar si bujqësia apo agroturizmi.
Përtej sfidave ka thënë Sejko ekonomia e vendit vijon të rritet, e për pasojë po hapen vende të reja pune, po rriten pagat dhe mirëqenia në tërësi. Sa i takon treguesve financiar, inflacionit, kredive me probleme dhe bilancet e sektorit bankar ato janë në përmirësim është shprehur guvernatori.
Pjesë e diskutimit ishte edhe anëtarësimi i vendit në SEPA, që pritet të shoqërohet me ulje të ndjeshme të komisioneve për transfertat jashtë vendit, apo për dërgesat që bëhen drejt Shqipërisë.
Komente
