Nga kontrolli i 8 banesave në disa lagje të qytetit të Shkodrës janë gjetur arsenal armësh, mina, tritol, fishekë dhe aparatë për bllokim valësh që dyshohet se janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë. Në pranga kanë rënë Petrit Kubazi, 52 vjeç, dhe djali i tij, Gledis Kubazi, 20 vjeç. Gjithashtu do të hetohet në gjendje të lirë Gerlad Kubazi, 16 vjeç.
Gjatë kontrollit të forcave RENEA dhe FNSH Në banesën e tyre u gjetën: 3 mina me telekomandë, të lidhura me telefon, 8 kallëpe tritoli C4, gati për përdorim, me peshë totale 1 kilogramë e 600 gramë, kapsolla detonatore të lidhura me tela, të gatshme për përdorim, 1 armë gjahu (shotgun) me 2 gjerdanë dhe 50 fishekë, 1 radio si ato të Policisë, 1 aparat për bllokimin e valëve, 3 aparate celulare dhe 1 armë sportive.
Gjithashtu janë zhvilluar kontrolle në banesën e Cuf Mataj, i cili po hetohet në gjendje të lirë për shkak të moshës së madhe ndërsa i biri Ismet Mataj, 45 vjeç, është shpallur në kërkim. Ai nuk ishte në shtëpi kur mbërriti policia.
Forcat blu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri kallashnikov, 5 krehra me fishekë dhe një sasi tjetër fishekësh kallashnikovi (gjithsej 280 fishekë), 1 armë zjarri pistoletë tip TT, me krehër me 7 fishekë, 20 fishekë luftarakë të kalibrit 7.9 mm, që përdoren për pushkë snajper, 5 krehra pistolete të kalibrit 9 mm me fishekë në të, 1 armë gjahu, 1 radio si ato të Policisë dhe 2 aparate celulare.
Po vijon puna për zbardhjen e qëllimit të prodhimit dhe mbajtjes së minave me telekomandë, të cilat, nga veprimet e para hetimore dyshohet se do të përdoreshin nga një grup kriminal.