Një deputete laburiste në Britaninë e Madhe ka thënë se ishte "bombarduar" me kërcënime me vdekje dhe përdhunim pasi foli kundër influencuesit misogjen të mediave sociale, Andrew Tate.
Alex Davies-Jones tha se kishte marrë kërcënime në rrjetet sociale dhe gjithashtu edhe në zyrën e saj. Deputetja falenderoi policinë lokale për hetimin e personave që e kanë kërcënuar. Ajo përdori një debat të Commons mbi policimin e lagjes për të falënderuar forcën e saj policore për mbështetjen e saj.
“Unë kam folur për abuzimin dhe sjelljen e tmerrshme të Andrew Tate në internet. Si rezultat, kutia ime postare dhe zyra ime janë bombarduar me kërcënime me vdekje, kërcënime për përdhunim”-u shpreh deputetja britanike.
Tate u arrestua në Rumani pasi u akuzua për trafikim njerëzor dhe pjesë e një bande të krimit të organizuar. Ai do të qëndrojë në paraburgim deri në fund të shkurtit, pasi një gjykatës pranoi kërkesën për zgjatjen e paraburgimit me 30 ditë për herë të dytë. Tate së bashku me vëllain e tij i kanë mohuar akuzat.