Drejtuesja e Fondacionit Friedrich Ebert në Shqipëri, Katharina Hofmann De Maura ka reaguar për një shkrim të saj lidhur me kryeministrin Edi Rama, të publikuar edhe në median pranë familjes së Sali Berishës.
Teksa lajmi është shtrembëruar dhe keqinterpretuar, duke iu referuar si një “analizë gjermane“, De Maura është detyruar që të bëjë një reagim, ku sqaron se në fakt artikulli është shkruar prej saj si autore e pavarur për IPS Magazine dhe nuk përfaqëson asnjë qëndrim zyrtar të Fondacionit Friedrich Ebert.
“Është shqetësuese të vërehet se përmbajtje të nxjerra jashtë kontekstit, tituj dhe përkthime të manipuluara po përdoren për të ndërtuar narrativa që nuk përkojnë aspak me punën apo qëndrimet tona. Edhe më problematike është që këto materiale po përdoren për qëllime të qarta politike dhe zgjedhore, duke keqpërdorur emrin dhe reputacionin e Fondacionit.”, shkruan ajo.
Më tej, De Maura thekson se analizat e tyre bëhen në mënyrë transparente dhe se nuk bëjnë qëndrime pro apo kundër një force të caktuar në Shqipëri, duke shtuar se distancohet nga përmbajtjet e manipuluara apo tentativat për të përdorur emrin e fondacionit për qëllime elektorale.
“Distancohem plotësisht nga çdo përmbajtje e manipuluar apo keqinterpretuar, si dhe nga çdo përpjekje për të instrumentalizuar emrin e Fondacionit për qëllime elektorale.”
Në shkrimin e De Maura bëhej një ‘analizë’ për kryeministrin Edi Rama si i sapozgjedhur në krye të vendit, samitin e Komunitetit Politik Evropian të mbajtur me 16 maj në Tiranë, rrugën evropiane të vendit, marrëveshjen për emigrantët me Italinë që u përshëndet edhe nga evropianët, si dhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit.
Reagimi i plotë i Katharina Hofmann De Maura:
Në cilësinë time si përfaqësuese e Fondacionit Friedrich Ebert në Shqipëri, dëshiroj të reagoj publikisht ndaj disa publikimeve të fundit në media, të cilat kanë shtrembëruar dhe keqinterpretuar artikullin tim, duke iu referuar gabimisht si një “analizë gjermane”.
Artikulli në fjalë është shkruar prej meje në kapacitetin tim personal si autore e pavarur për IPS Magazine, ashtu siç kam bërë edhe me kontribute të tjera më parë. Ai nuk përfaqëson një qëndrim zyrtar të Fondacionit Friedrich Ebert.
Është shqetësuese të vërehet se përmbajtje të nxjerra jashtë kontekstit, tituj dhe përkthime të manipuluara po përdoren për të ndërtuar narrativa që nuk përkojnë aspak me punën apo qëndrimet tona. Edhe më problematike është që këto materiale po përdoren për qëllime të qarta politike dhe zgjedhore, duke keqpërdorur emrin dhe reputacionin e Fondacionit.
Dua të theksoj me forcë se as unë personalisht, dhe as Fondacioni që përfaqësoj, nuk kemi dhënë asnjë qëndrim publik që mbështet apo kundërshton forca të caktuara politike në Shqipëri. Çdo analizë apo publikim i Fondacionit Friedrich Ebert publikohet në mënyrë transparente, përmes kanaleve tona zyrtare, dhe në përputhje me standardet më të larta të paanshmërisë, profesionalizmit dhe përkushtimit ndaj demokracisë.
Distancohem plotësisht nga çdo përmbajtje e manipuluar apo keqinterpretuar, si dhe nga çdo përpjekje për të instrumentalizuar emrin e Fondacionit për qëllime elektorale.
Për informacion të saktë dhe të verifikuar mbi aktivitetin dhe publikimet tona, ju ftoj të referoheni vetëm te burimet tona zyrtare.
KATHARINA HOFMANN DE MOURA
Përfaqësuese e Fondacionit Friedrich Ebert
Zyra në Shqipëri
Reagimi i Hofmann de Moura
Artikulli i publikuar te Syri
Komente
