Sali Berisha

Foltorja, një terapi kolektive që Doktori u ofron demokratëve

6 Dhjetor 2021, 10:04| Përditesimi: 6 Dhjetor 2021, 10:07

  • Share

Karburanti i “Foltores” Berisha është dëshpërimi politik i popullit opozitar pas humbjes së 25 prillit. Shumë më tepër se një forum analize apo debati ajo është një hapësirë ku anëtarët e PD-së mund të shfryjnë frustrimin e tyre, sidomos përballë një kryetari shurdhmemec si Basha. Foltorja është një terapi kolektive që doktori u ofron demokratëve.

Shërben si një valvul shkarkimi jo vetëm për frustrimin politik të Berishës, por edhe të grupeve që e mbështesin, të cilët mund të ndahen në tri kategori sipas dëshpërimit themelor që i motivon. Grupi i parë janë të dëshpëruarit me përjashtimin e Berishës nga Grupi Parlamentar, pasi për ta ai është PD-ja. Grupi i dytë përbëhet nga të dëshpëruarit me Lulzim Bashën dhe gjendjen ku ai e ka katandisur PD-në.

Këta e mbështesin Berishën për të hequr qafe Bashën. Ndërsa në grupin e tretë janë të dëshpëruarit me regjimin e Edi Ramës që pas 25 prillit duket i pathyeshëm, sidomos nga Lulzim Basha. Këta e mbështesin Berishën me shpresën se do rrëzojë Ramën. Me grupin e parë është e vështirë të debatosh sepse ata janë si vullnetarët e Enverit. Sot e besojnë doktorin kur thotë se Basha është tradhtar, ashtu sikurse dje ia pranonin si kryetar.

Ky grup është gjithnjë koherent në raport me Berishën. Janë dy grupet e tjera, që mbështetjen ndaj Berishës e kanë pragmatike, që janë në inkoherencë. Grupi i dytë, të dëshpëruarit (me shumë të drejtë) me Bashën, në kundërshtim me çdo lloj analize logjike mendojnë se Berisha do ta demokratizojë PD-në, duke hequr qafe Lulin. Kjo logjikë u sintetizua në formulën e çuditshme të Fatbardh Kadillit: “Që të ikë Berisha duhet të ikë Basha!”.

A thua se problemi themelor i PD-së ka qenë dhe është Basha dhe bashizmi. Të krijohet përshtypja se Berisha është pjellë e Bashës dhe jo anasjelltas. Me gjithë respektin për formulën e zotit Kadilli, shtrohet pyetja: “Përse do largohet Berisha pasi ka hequr qafe Bashën?”. Suksesi e kthen atë në pronar de facto të PD-së. Nëse kundërshtarëve të Bashës sot i duket e vështirë të heqin Lulin si kryetar, përse mendojnë se do e kenë më të lehtë të heqin qafe Berishën nesër, për më tepër pasi ka triumfuar?

Mos kanë ndonjë sinjal nga Zoti? Por le të supozojmë për një çast se Berisha në krye të PD-së do vendos një tjetër zar në vend të Lulit. Nuk ka asnjë garanci që aty ku dështoi Luli do ketë sukses tjetërkush. Nëse Basha i shkolluar në Perëndim, i gjatë dhe i bukur (madje si Enveri) nuk arriti të lulëzonte nën hijen e rëndë të Berishës, përse do lulëzojë dikush tjetër? Dështimi i Bashës si lider nuk është thjesht çështje karakteri.

Mashtrues dhe hileqar ishte edhe Enver Hoxha, por u transformua në lider. Në vitin 2005, kur Basha erdhi si pjesë e KOP-it i kishte të gjitha premisat për të qenë lider i ardhshëm i PD-së, performanca e tij mediatike dhe politike prodhoi mjaft simpati në elektorat. Është e lehtë ta shash Bashën sot kur ylli i tij politik duket në Perëndim, por është gabim ta analizosh të kaluarën me syzet e së tashmes. Transformimi i Bashës nga një politikan i ri, perëndimor dhe premtues në një lider të dështuar është mbi të gjitha produkt i hijes së Berishës dhe i frymës berishiste në PD-së. Është një frymë që mbi logjikën dhe parimet vendos luajalitetin. Në PD-në e Berishës duhet t’i thuash derrit dajë që të ecësh përpara.

Duhet të besosh dhe të mbrosh publikisht se Gërdeci ishte aksident teknik jo aferë korruptive ku u përfshi Shkëlzen Berisha. Duhet të pranosh se më 21 janar protestuesit u vranë nga Edi Rama me çadra – pistoleta, se po atë ditë Bamir Topi dhe Andi Bushati kishin organizuar një grusht shteti dhe se Ilir Meta ishte i pafajshëm edhe kur filmohej duke vjedhur. Nuk është çudi që nën hijen e Berishës dhe berishizmit nuk mund të lulëzojë asnjë lidership i besueshëm, qoftë edhe kur fara është perëndimore, e gjatë dhe e pashme.

Të gjitha të zezat që Basha ka bërë si lider i opozitës që nga përjashtimet, mungesa e demokracisë së brendshme, deri te djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale janë tipike të opozitarizmit berishist. Ato janë ndërmarrë jo vetëm nën shembullin, por edhe me frymëzimin dhe miratimin e Berishës. Deri para tre muajsh Luli ka qenë adhuruesi i tij më i madh. Mjafton të lexosh librin e tij “Misioni Im”.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë se Basha nuk ka përgjegjësi apo se me të ikur doktori do transformohet në lider dhe do ta kthejë PD-në në pushtet. Koha e tij duket se ka perënduar. Ama, ka shumë më tepër gjasa që perëndimi i Bashës të prodhojë rinovim te PD-ja sesa rilindja e Berishës.

Rikthimi i Berishës apo i një tjetër delfini në krye të PD-së e transformon atë përfundimisht në një pronë familjare identike me LSInë që kalon nga burri te gruaja. Është po aq e pamundur për Berishën të prodhojë një lidership të ri për PD-në saç është e pamundur që Petrit Vasili të bëhet udhëheqësi real i LSIsë. Dhe Vasili që Berisha do vendos në krye të PD-së do jetë shumë më poshtë se Basha. Këtu vijmë te kontradikta logjike e atyre që e mbështesin Berishën për inat të Ramës. Frustrimi i tyre me Bashën dhe paaftësinë e tij për të krijuar alternativë qeverisëse është më se i kuptueshëm. Ajo që të habit është shpresa që ata kanë se Berisha do ta përmbysë Ramën me revolucion, sepse sipas tyre mënyrë tjetër nuk ka.

I vetmi revolucion i suksesshëm që ka për autor Berishën ka qenë ai i vitit 1997, por që e rrëzoi nga pushteti. Ai është përpjekur dhe ka dështuar të bëjë një revolucion, që përfundoi në grusht shteti, në vitin 1998, siç dështoi të përmbysë Nanon me lëvizjen ‘Nano Ik’ në vitin 2004. Në pushtet nuk u kthye me revolucion, por me zgjedhje, pasi u transformua në alternativë qeverisëse në vitin 2005.

Ndaj të besosh që Berisha në vitin 2022 do bëjë revolucion për të përmbysur Ramën, është absurde. Është akoma më e vështirë të mendosh që në vitin 2025 Berisha, bashkë me Metën, do prodhojnë alternativë qeverisëse antikorrupsion përballë Ramës dhe PSsë. Ndërkohë, ideja se mund të vihet në pushtet thjesht si pasojë e degradimit të qeverisjes u varros më 25 prill të vitit 2021.

Të besosh se Berisha do ketë sukses në përmbysjen e Ramës sepse ai është më i egër në opozitë se Luli do të thotë ta reduktosh procesin politik te karakteri individual. Radikalizmi i Bashës nuk funksionoi jo thjesht prej dobësisë së tij si lider, por sepse nuk pati jehonë dhe mbështetje jashtë PDsë, në shoqërinë shqiptare. Përse Berisha do ketë më shumë mbështetje jashtë PD-së se Basha?

Të gjitha studimet dhe sondazhet, të paktën që nga viti 2005, tregojnë që Berisha prodhon dy efekte elektorale që e rrudhin PD-në. Së pari, dekurajon votën e elektoratit gri, ata që nuk identifikohen as majtas dhe as djathtas, që kanë gjithnjë e më shumë peshë. Së dyti, mobilizon elektoratin e majtë, që përballë Berishës dalin dhe votojnë edhe nëse janë të pakënaqur me PS-në.

Natyrisht që Berisha nesër mund të nxjerrë disa qindra apo mijëra militant të PD-së për të protestuar në mënyrë të dhunshme përpara kryeministrisë. Ama, kjo do ta largojë edhe më tej nga shoqëria shqiptare. Dhe revolucionet nuk bëhen vetëm me militantë, Berisha këtë e ka provuar dhe ka dështuar. E vetmja mënyrë për ta rrëzuar PS-në dhe Edi Ramën është duke krijuar me durim dhe gradualisht një alternativë qeverisëse. Është e vërtetë që Basha nuk përbën një alternativë qeverisëse sot dhe ndoshta as nesër. Ama, është shumë më e lehtë të kesh rrotacion dhe rinovim lidershipi në PD me Bashën sesa me Berishën.

Atëherë si shpjegohet mbështetja për foltoren e Berishës kur ajo nuk ofron asnjë shpresë tek e ardhmja? Përtej interesave meskine dhe personale, ekziston një emërues i përbashkët që i motivon të gjithë mbështetësit e Berishës dhe shfaros arsyetimin politik: dëshpërimi.

Pas kaq shumë humbjesh si berishistët, si antilulistët edhe antiramistët kanë nevojë të thellë për një fitore imediate. Padurimi i tyre është pjellë e dëshpërimit të thellë politik, në të cilin ndodhen, ironikisht sa për faj të Bashës edhe të Berishës. Mjeshtëria politike e Berishës (dhe këtu duhet pranuar që ai është kafshë politike par excellence) është te mënyra se si e transformon këtë dëshpërim në shpresë duke shpikur një betejë imagjinare me Edi Ramën. Ai e kupton se pas kaq shumë humbjeve të rënda përballë Edi Ramës opozitarët, brenda dhe jashtë PD-së, janë të etur për një fitore, qoftë edhe të rreme.

Pikërisht këtë ofron foltorja. Nëpërmjet njehsimit të Lulit me Ramën, Berisha u ofron mbështetësve të dëshpëruar iluzionin se mundja e Lulit është në fakt një fitore e thellë ndaj Ramës. Kështu, Berisha deklaron se në Kuvendin e 11 dhjetorit, të cilin e ka organizuar po ai vetë, nuk do rrëzojë Lulin, por Edi Ramën. Fakti që në Kuvendin e 11 dhjetorit do arrihet një fitore e madhe politike, pasi delegatët e Berishës do votojnë Berishën, shitet si prova e fuqisë së doktorit jo vetëm për t’i rezistuar, por edhe për ta përmbysur Ramën. Doktori fiton!, shprehen me entuziazëm mbështetësit e tij.

Është një fabul, forca e së cilës nuk buron te logjika, por te garancia që ofron se Berisha mund ta mundë Ramën brenda PD-së. Në pamundësi për të parë rrëzimin e Ramës në zgjedhjet e përgjithshme opozitarët mund të shijojnë “përmbysjen” e tij në zgjedhjet e brendshme të PD-së. Janë të shumtë grupet opozitare, brenda dhe jashtë PD-së, që e kanë gëlltitur përrallën e Berishës se është në betejë me Ramën thjesht për të përjetuar një fitore ndaj këtij të fundit, qoftë kjo edhe imagjinare. Dhe nuk ka betejë më imagjinare se përmbysja e Ramës në Kuvendin berishist të 11 dhjetorit. Beteja e çuditshme mes Berishës dhe Ramës brenda PD-së duhej shpikur në mënyrë që Rama të humbasë dhe opozitarët e tij të ndihen fitues! Ajo u ofron atyre mundësinë që më në fund të rreshtohen në kampin fitues, përkrah Berishës, dhe jo në anën e humbësit serial, Basha.

Që beteja të ndihet reale duhet besuar Berisha kur thotë se Rama është dhe ka qenë për tetë vite kryetari real i PD-së, nëpërmjet pengut të tij Basha. Pra, lidershipi real pas Bashës në PD nuk ka qenë Berisha, por Edi Rama. Basha në krye të PD-së ishte vërtet një kukull, por jo e Berishës, por e Ramës. Dhe kjo është një përrallë që mbështetësit e foltores e kanë gëlltitur me entuziazëm.

Ata tashmë besojnë se konflikti i Berishës tashmë nuk është me Bashën dhe aq më pak me SHBA-të. Pak rëndësi ka se çfarë thotë ambasadorja amerikane apo Departamenti i Shtetit Amerikan. Të gjithë e dimë që ata janë thjesht instrumente të Edi Ramës. Pas administratës Biden dhe Sekretarit të Shtetit Amerikan, Anthony Blinken, qëndron Edi Rama. Konflikti real në PD është mes Berishës dhe Edi Ramës e miliarderit Xhorxh Sorros.

Ndaj mbështetësit e Berishës e presin me entuziazëm dhe me padurim fitoren ndaj Bashës si një grusht turinjve ndaj Kryeministrit. Ata janë tashmë në një betejë epike me Ramën, ku më në fund fitorja është e tyre. Rrëzimin e Lulit ata e përjetojnë si përmbysje të Ramës. Urrejtja e thellë që dje kishin për Ramën sot kanalizohet te Luli, aq sa të dy shkrihen në një.

Duhet pranuar që fabula dhe intuita politike e Berishës është brilante, sidomos përballë mediokritetit dhe pasivitetit të Bashës. Ajo që ofron Berisha është një katarsis e vërtetë emocionale për të çliruar mllefin, zemërimin, zhgënjimin dhe dëshpërimin që ka prodhuar tek grupet opozitare humbja e fundit e 25 prillit.

Kryqëzimi i Bashës shërben jo vetëm për t’i faturuar atij krizën ku vetë berishizmi e ka futur PD-në, por edhe si fitore mbi Ramën. Logjika dhe arsyeja shkërmoqen përballë shpresës për të qenë fitimtar, edhe pse në një betejë imagjinare. Natyrisht, pas shkarkimit emocional do shfaqet realiteti i hidhur. Do kuptojnë se fitorja e Berishës, nëse ndodh, është një shuplakë për SHBA-të që e kanë shpallur non grata për korrupsion, është një grusht turinjve për elektoratin shqiptar që e ka refuzuar që më 2013 dhe një thikë në zemër për PD-në që transformohet në LSI. Është në fakt një tjetër fitore për Ramën. Vilet e hidhura të dëshpërimit e errësojnë arsyen.

J.GJ./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kovaçi: 06/12/2021 12:44

    Analiza e bere nga ju z. Kajsiu eshte reale dhe per te gjithe ata qe e shohin me gjek te ftohte duhet te mendohen mire kur te mbajne shpresat se Berisha do ti sjelle ne pudhtet me nje shkop magjik duke djegur Shqiperine sikunder ka bere tre here te tjera. Berisha si i zgjedhuri si pasuesi i regjimit komunist ne demokraci mban mbi vehte mjaft deshtime si ne politike dhe ne ekonomi. Le te kujtojme ketu çekun e bardhe qe doli ne fillim te demokracise sikur bota do na jepte nje çek me nje 1 dhe zérot do ti vainim vete. Apo mos investi mien ne sistemin energjitik gjoja se ate energji qe ne shpenzojme si vend i vogel qe jemi mund ta importojme, porte-parole qe te importojme duhet te eksportosh dhe nuk duhet te presesh te at dalin te tjeret se askush nuk fal pos pati perfitime. Vetem helmi jepet falas por ai qe ta jep duhet ta bleje. U ndertua teci ne Vlore ne nje vend turistik kur dihet se TEC- et shkaktojne ndotje te mjedisit. U mbyll TEC- i ne Fier qe prodhonte 75 MWh para se TEC-i Vlores te ndertohej dhe te prodhonte energji elektrike. Ne vendlin ku u ndertua nuk kishte as naft as gaz natyror dhe sot e kesaj dite kostoja e tij ka vajtur 120 million € dhe nuk ka prodhuar asnje KWh energji. Absurdi arriti deri aty sa keshilltaret e tij propagandonin ndertimin e nje centrali berthamor ne Shqiperi ku ketu mungonte jo vetem lenda e pare por edhe kuadrot specialiste qe do shfrytezonin dhe mirembanin ate. Vetem pasi ndodhi katastrofa nga cunami ne nje vend shume te zhvilluar si Japonia qe kjo ide e venit deri sa u harrua. E shume e shume deshtime te tjera qe bene te humbiste zgjedhjet ne 2013 dhe te jepet gjoja largimin nga fe gjithe funksionet drejtuse ne PD. Por ne realitet çdo gje behej me miratimin dhe nxitjen e tij. Vetem kur thika filloi te ndihej ne trup te tij u ngrit dhe shpiku nga qytetari dixhital foltoren per tja. Fatururar çdo gje Bashes i cili ishte pjela dhe dora e tij qe fshihej tek ai. Basha alias Berisha nuk mund ta refomoje dhe ta çojne PD ne fitoren e shume prieur nga demokratet e thjeshte. Prandoj para se ta bejne Berishen perendi duhet te mendohen mire se largimi i tij me vone nuk mund te realizohet au shpejt sa mund ta mendojne ata qe meren me formimin e opinionit triumfus ne PD.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?