Ekonomi

Fondet e IPARD/ Gjokutaj për Report Tv: Të korrigjohen gabimet e të kaluarës, qeveria më afër fermerëve! Të ketë plan për çmimet, problem informaliteti

20 Qershor, 18:03| Përditesimi: 20 Qershor, 19:44

  • Share

Fermerët shqiptarë kanë dy vite pa fonde nga BE, ndërsa IPARD “zbarkon” përsëri në Shqipëri.

Një delegacion i BE po monitoron menaxhimin e fondeve dhe masat e qeverisë për të mbrojtur fondet, kurse në vjeshtë pritet vendim për Ipard III, me vlerë 112 milionë euro.

Për të folur mbi këtë temë dhe ndikimin direkt apo indirekt të saj tek tregu i çmimeve, ishte sot i ftuar me një lidhje në ‘Studio Live’ të moderatorit Arbër Hitaj, eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj.

Duke olur për Report Tv, ai vuri theksin tek keqmenaxhimi i fondeve në të kaluarën, mungesa e transparencës, burokracitë dhe masat e marra, që ndikuan dhe penalizuan në fund vetëm fermerët. Gjokutaj vuri theksin tek një plan i qartë dhe transparent i qeverisë, në ndihmë të fermerëve, teksa parashikohet një fond 3 mld euro dhe subvencion deri në 70% i fermerëve, që do ndikojë edhe në ulje të çmimeve apo rritjen ekonomike.

“Do shihet nëse është mësuar nga gabimet e të kaluarës. Por duket se palët kanë një qasje më të mirë mes tyre, palët janë më afër tani. Presim zbatimin në praktikën e përditshme për garancinë 3 mld euro për subvencion me 70% të fermerëve. Barriera burokratike ka qenë gjithmonë problem, ku më parë IPARD dhe AZHBR-ja ia linin këtë barrë fermerëve. Nëse do vazhdojë, do ndikojë edhe më tej e do jetë problem ndaj fermerëve”, tha eksperti.

Ai ndau mendimin se qeveria duhet të kishte ndërmarrë hetim administrativë më parë dhe të sqaronte qytetarët për atë që kishte ndodhur me fondet e IPARD. Ai sugjeroi korrigjimin e gabimeve të të kaluarës, pasi në fund do rëndojë përsëri mbi fermerët dhe tregun.

“Qeveria duhet të ndërmerrte një hetim administrativ nga ana e vetë për fondet e IPARD-it dhe shpërndarjen e fondeve dhe t’ia bënte prezente publikut. Të korrigjohen gabimet e të kaluarës dhe ndoshta qeveria të krijonte një strukturë të re, ndoshta edhe të ishte nën varësinë e kryeministrit.  Duhet të përcilleshin lajme në publik për bllokimin e fondeve, qeveria t’ia përcillte qytetarëve informacionin dhe të merreshin masat konkrete”, vijoi ai analizën ekonomike.

Por a ndikon kjo edhe në tregun e çmimeve, ku sipas të dhënave zyrtare Shqipëria ka jo vetëm rritje të çmimeve, por edhe më të lartat se vendet e rajonit dhe deri atyre të BE-së.

“Ne kemi ekonomi gjysmë liberale, e që është prezantuar edhe në analizat tuaja si dhe në tregu. Nuk mund të mbahen çmimet e ulëta pasi përcillet informaliteti i brendshëm, por edhe tregu i jashtëm, reflektimi i tij. Pjesa tjetër lidhet me modelin oligopol të ekonomisë, që ka ndikim të dukshëm, edhe pse mund të justifikohet. Një pjesë tjetër ka të bëjë me politikën fiskale, tarifat, qeverisja vendore dhe qëndrore, të dyja bashkë. Problemi i madh është tregu dhe informalitetit. Politikat duhet të jenë të sinkronizuara me njëra-tjetrën që të mos ndikojnë, nga shpërndarja, tek prodhimi. Çmimet duhet të vendosën nën një pakt të ri, pra tarifat të vendosen nën këtë pakt”, shpjegoi Gjokutaj për Report Tv.

Dhe kjo arrihet vetëm nëpërmjet monitorimit të përhershëm të situatës. Ai tha se edhe një nga vendimet e fundit të qeverisë për pagat mund të ndikojë tek rritja e mëtejshme për çmimet, pasi është i ngjashëm me atë të Berishës në vitin 2008, që u rrëzua nga gjykata.

“Duhet të ketë monitorim që nëpërmjet tij të hiqet informaliteti. Kur një ekonomi është e deformuar nuk ke si të kesh oligopole të drejta. Edhe vendimi i fundit i qeverisë për pagat ndikon direkt edhe tek bizneset, do ndikojë te të gjitha bizneset, në çdo sektor, i njëjtë me atë të qeverisë Berisha në vitin 2008 dhe u hodh poshtë nga Gjykata. Niveli i informalitetit shkon dri në 60% dhe në një treg të tillë është pak ta thuash por mendoj se çmimet do të rriten”, shpjegoi në fund të analizës së tij eksperti.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çmimet më të larta se në BE, a mendoni se duhet të ndërhyjë qeveria?