Fondi i Galerisë, Ministria premton vepra të reja nga 2023! Studiuesja Varvarica: Rihapni sektorin e studimit, sikur i keni prerë institucionit një krah

11 Gusht 2022, 17:30| Përditesimi: 11 Gusht 2022, 17:39

  • Share

Në proces rikonstruksioni prej tetorit të vitit të kaluar, Galeria Kombëtare ka ndryshuar 3 drejtorë. Nga lirimi i Erzen Shkolollit në janar të këtij viti, tek Herida Duro (ish-drejtore e komanduar), ministria e Kulturës i dorëzon administrimin e institucionit pamor, si drejtoreshë e komanduar, Entela Çipës, e cila rezulton si këshilltare në faqen ëeb të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës. Një përgjigje konkrete ministria e Kulturës nuk e ka as për fazën aktuale të ndërhyrjeve në objekt dhe nëse do t’i përmbahen afatit të përfundimit në mbyllje të 2023-shit, mirëpo sqaron se për rikonstruksionin e besuar Atelier 4, ku në fokus është ndërtimi i Linjës së re Muzeale është kërkuar edhe ekspertiza e huaj.

“Natyrisht që transparenca duhet të jetë 100 për qind kur bëhet një punë e vlefshme për ta rikonstruktuar këtë godinë e cila ka pasur nevojë për këtë lloj ndërhyrjeje”, thotë studiuesja e artit pamor Suzana Varvarica.

Fondi Artistik i Galerisë Kombëtare me afro 5 mijë vepra, gjatë kësaj kohe ruhet në Muzeun Historik e ndonëse salla e ekspozimit është diskutuar për parametrat e saj të ndriçimit, lagështisë e të tjerë, Ministria e Kulturës garanton se “është përshtatur për vendosjen në kushtet e duhura të ruajtjes dhe sigurisë, të veprave të artit”.

“Është gjetur kjo marrëveshje për t’i vendosur aty, siç ndodhi edhe shumë kohë më parë, për një fond ikonash të sekuestruar nga një muze privat dhe u vendosën sërish në Muzeun Historik. Pra, si duket atje janë mjediset më të bollshme, nuk them më ekselentet dhe më të mirat, sepse nuk e di këtë deri në fund, por është menduar me një rregull treshi që ato duhet të vendosen atje”, shton më tej studiuesja.

Krahas zgjerimit të hapësirave të fondit të ruajtjes së veprave të artit dhe për ekspozim e sektorin e restaurimit, studiuesja Zana Varvarica, thotë se është e domosdoshme që  të ringrihet një  sektor studimi, i cili mungon prej pak vitesh. Sektor i nevojshëm sipas saj, edhe për të përmbushur premtimin e Ministrisë së Kulturës, për pasurimin e fondit të GKA-së me vepra të reja prej vitit që pason në kuadër të edicionit të dytë të “Art në Hapësira Publike”.

“Si është e mundur që të shkatërrohet sektori i studimit, pra një sektor i rëndësishëm, i cili konservon fakte dokumente që i përkasin çështjeve artistike, çka është shumë e rëndësishme. Të shkatërrosh një sektor studimi dhe të mos i japësh vlerë çështjes së intelektualitetit të mendimit brenda një institucioni artistik siç është Galeria e Artit, do të thotë ti presësh një krah”, shprehet më tej.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?