Në vizitën time të parë në Athinë kërkova dhe bleva një katalog të pullave postare të Greqisë si dhe një botim të ilustruar mbi historinë e monedhave të lashtësisë, ku fqinjëve tanë e gjithë shtresa e numizmatëve u detyrohet për trashëgiminë e lënë, u njeh vlerën e madhështinë e epokës helenistike. Botimi të jepte njohuri të shumta mbi monedhat, kulturën dhe artin e gdhëndjes, prerjes e përdorimit të tyre në qytetet-shtete helene.
Që në krye të faqeve të botimit ilustrimet paraqitnin pamjet e dy anëve të monedhës së Lidisë, që ka statusin e të parës në llojin e vet. Herodoti, te “Historitë” e tij, ka shkruar se Lidianët "...ishin njerëzit e parë që ne njohim, që shpikën dhe përdorën monedhën e arit dhe të argjendit". Kjo masë e vogël metali disa gramëshe, prerë nga një rrahje çekiçi me dorë, ishin aliazh Au-Ag, që u quajtën Elektrum. Po nga historiani i lashtësisë mësojmë se Lidianët nuk ishin helenë, por një popull anatolian i Azisë së Vogël, që jetonte në Lidia, një rajon në Anatolinë perëndimore, të cilët flisnin gjuhën e veçantë lidiane, një gjuhë indo-europiane e grupit të Anatolisë. Ata jetonin si fqinj mes tyre me popuj të tjerë jo grekë, si Lykaonë, Frigë, Mysias.
Që nga antikiteti, dy mijë e pesëqind vjet kanë shpalosur para syve tanë një veprimtari thelbësore të shoqërive të qytetëruara, me zhvillimet dhe ulje-ngritjet e saj. Popuj e kultura janë lartësuar e të tjera kanë humbur. Lidianët u zhdukën në mjegullat e kohërave, por monedha dhe kultura e tyre mbetën dhe shfaqen si greke.
Po sipas Herodotit, trojet e ilirëve shtriheshin në shek e 5 p.e.r nga Adriatiku tej Lumit Morava në lindje. Kështu, edhe në gadishullin Ilirik, fqinjët e Albanëve-Arbërve, trakët, dakët, paionët, dardanët, mollosët, etj., të afërm e kushërinj mes vedi (shih: Enzo Gati-“Ilirët”), duke qenë se monedhat e tyre mbanin mbishkrimet emërtuese me shkronja greke, alfabet ky që përdorej në gjithë Mesdheun Lindor Jug-lindor, monedhat e prera prej tyre nuk ja përtojnë t’i paraqesin si greke.
Në Ilirinë Juglindore, para dyndjeve sllave, jetonin fiset ilire të paonëve, dardanëve, enkelejve e penestët. Sa kohë jetoi Jugosllavia, për rreth 70 vjet, krahas programeve të shfarrosjes e shpërnguljes së popullsisë shqiptare që jetonte në federatë, me ngulm, në libra historie, me akademi e me tekste shkollore, u diktuan disa brezave të besonin se shqiptarët që jetonin në Kosovë, në Maqedoni, në Serbi e në Mal të Zi, ishin të ardhur! Një përrallë që u përhap vit pas viti, deri sa u shndërrua në platformë. U rrëfenin se “...serbët që kishin ngritur krye kundër Turqisë me urdhër të Patrikut të tyre, Arsenit të III Çernojeviç, e paguan shtrenjtë atë pjesëmarrje që rezultoi me një eksod të plotë në vitin 1690”, me ç’rast (ata filluan vërtetë ta besojnë) “...në vendet e mbetura u vërsulën shqiptarë nga malet e Shqipërisë”!!!?
Në këto rrethana, për monedhat e Paionisë dhe Dardanisë, mbretëri ilire të lashtësisë, shqiptarët si zinte kush në gojë si trashëgimtarë të kësaj kulture. Këtyre trillimeve të sëmura nacionaliste, studiuesit tanë, Selami Pulaha, në “Defteri i regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485” dhe Skënder Rizaj, te botimi “Kosova gjatë shekujve XV, XVI, XII”, i nxjerrin bojën gënjeshtrës, që ata e besojnë me aq dëshirë! Në botimet e tyre, përmes dokumenteve provojnë se këto treva janë banuar nga shqiptarët në mënyrë homogjene parreshtur. Federata Jugosllave nuk kish pse kundërshtonte pseudo-autorësinë greke, sepse s’kishin asnjë lidhje me këto monedha!
Zbulimi në Ulpianë i mozaikut, dedikim i Perandorit Justinian, (me origjinë nga Dardania) për Dardanin Ilire
Trashëgimia dhe kultura që na vjen nga monedha e lashtësisë, është më shumë se thjesht një pjesë mahnitëse artizanësh; është një gjëegjëzë jo vetëm e studiuesve numizmatë, por ajo ka qenë e vazhdon të ngatërrojë ekspertë e të magjepsi të pasionuarit nga e gjithë bota. U shfaq me shkëlqim në botën numismatike prej punës studimore e kataloguese. Është austriaku Jozef Eckhel (1737-1798), profesor i klasikëve në Universitetin e Vjenës dhe drejtor i kabinetit të koleksioneve perandorake të monedhave antike, një nga etërit themelues të numizmatikës si disiplinë shkencore, që i ka përshkruar dhe ilustruar fillimisht.
Puna e tij kryesore, “Doktrina numorum veterum” (8 vol., Vienna 1792-1798) revolucionarizoi tërësisht kërkimin mbi monedhat e lashta. Kjo vepër nuk është zëvendësur kurrë dhe ruan vlerën e saj referuese, ajo nuk lë shteg të ngatërrosh monedhat greke me ato ilire. Ky autoritet i lartë, themelues i studimit modern të monedhave, çfarë ishin prerje të qyteteve-shtete helene i klasifikon si greke. Gjithë monedhat e tjera të mbretërive ilire, trake, anatoliane, etj., pavarësisht shkronjave greke mbi monedhë, i rendit veçmas.
* Fiset ilirike të Paionisë
Koleksionistët numizmatë shqiptarë po i njohin edhe monedhat antike të Ilirisë, përfshi dhe ato të Ilirisë Jug-Lindore, deri diku të panjohura nga studiuesit tanë të kësaj fushe. Tipollogjia dhe të dhënat metrollogjike të monedhave të Ilirisë jug-Lindore janë njëlloj me ato të trevave ilire që shtriheshin në territoret e Shqipërisë së sotme.
Numizmatika, si degë ndihmëse e historisë, po i studion monedhat e Ilirisë Juglindore dhe nëpërmjet tyre po u afron historianëve fusha interpretimi, herë-herë të mjafta për arritje në përfundime historike, sociale e kronollogjike. Megjithë përpjekjet që kanë bërë deri më sot, studiuesit shqiptarë të monedhave të lashtësisë ilire shohin se territore e periudha të tëra i mungojnë asaj, ndonëse enciklopedi botërore përshkruajnë shumë monedha ilire, pjesërisht të panjohura.
Kufizimet politike në periudhën e luftës së ftohtë, pothuajse nuk i lejonin studiuesit tanë të kalonin në studimin e monedhave të lashta që i përkisnin vëndbanimeve e mbretërive ilire, të shtrira tej kufijve politikë të Shqipërisë së sotme. Deri diku, është kjo arsyeja që prerje e emëtime të shumta të Ilirisë nuk i njohim!
Ndërsa njihen relativisht mirë emëtimet e Dyrrah, Apolloni, Skodrinon, Lisus, Amantia, Bylis, Orik, Buthrotum, si dhe të mbretërve Monun, Mytili e Genti, mbeten të panjohura për studiuesit e fushës në Shqipëri emëtimet e lashta, ku spikatin të evidentuara, deri tani, mbi 50 prerje monedha argjëndi e Bronxi të Damastionit; më shumë se 100 prerje argjënd e bronx të mbretërve ilirë të Paionisë (Iliria Jug-Lindore), si Likei, Patrai, Audoleoni, të Agrianes e me dhjetra prerje në periudha të ndryshme të lashtësisë prej mbretërve Mollosë, të mbretit Ballai në ishullin Far (mbi Kotorr), Heraklea në bregun e poshtëm Dalmat si dhe disa dhjetra monedha argjënd e Bronxi të Dardanisë antike nën sundimin romak.
I qëndroj fort pikëpamjes që këto monedha duhet t’i vlerësojmë si pjesë të kulturës kombëtare, si trashëgimi ilire, pasardhës të të cilëve mbetemi vetëm ne, shqiptarët. Trualli ku jetojnë sot shqiptarët është banuar në kohët e lashta nga Ilirët dhe jemi vëndi i vetëm ku ruhen sot gjuha dhe traditat e tyre, çka është provuar nga një mori studiuesish të huaj të etnogjenezës ilire dhe studiuesit tanë Aleks Buda, Eqerem Çabej, Kristo Frashëri, Hasan Ceka, Selim Islami, Myzafer Korkuti, etj. Me etnogjenezën iliro-shqiptare janë marrë korifej botërorë të historisë, arkeologjisë, linguistikës, etnografisë, antropologjisë, paleoetnologjisë. Nuk është vendi këtu, por duhet përmendur shkurt se Hahn e Thunmann, ishin të parët që thanë dhe shkruan se kush ishin stërgjyshët e shqiptarëve dhe pse ata ishin ilirët!? Pason shekull më pas Norbert Jokli, që vjen në përfundimin se djepi i lashtë i shqiptarëve është vendi ku piqeshin ilirishtja me trakishten (që është Peonia dhe Dardania).
Një qëndrim i tillë i shërben të vërtetës për të çjerrë perden e fallsifikatorëve sllavo-maqedonas, që, si “pasardhës të Aleksandrit të Madh”, përvetësimi i kësaj trashëgimije kulturore u përkitka atyre (!?). Jo të pakta janë dhe orvatjet e grekëve për t’i afruar ato si pjesë të kulturës helene.
Monedhat e Paionisë
Një arsye pse po u kushtoj vëmendje këtyre monedhave është ngacmimi që më përcolli një botim i vitit 2018, i Steve M. Benner, studiues dhe koleksionist i monedhave greke e romake, “Historia e monedhave të Lidhjeve të lashta Greke, nga shek V deri shek I, p.e.s”. Njihet ndikimi i Greqisë në lidhje me monedhat, por autori, në mënyrë arbitrare, herë pas here pambështetur, u vë emrin greke monedhave të mbretërve të Paionisë, ndërkohë që studiues të tjerë, bashkë me studiues shqiptarë, jo vetëm sugjerojnë, por provojnë bindshëm një përkatësi ilire të peonëve. Pikëpamja në fjalë konsiderohet si një opinion mbizotërues shkencor.
Paioni-Monedhë e mbretit Patraos, rreth 340-315 para Kr.
Paionia; Peonët (Paeonians) ishin fise ilire që banonin në luginën e sipërme të Vardarit dhe në kufi me Dardanët. Kufiri i mbretërisë së Peonëve përqëndrohej në luginën e lumit Axius (Vardar), që përputhet me Maqedoninë e Veriut sot, me Greqinë veri-perëndimore dhe Bullgarinë perëndimore. Autorët e lashtë e vendosnin Paioninë në veri të Maqedonisë së lashtë; në jug të Dardanisë; në perëndim të maleve trake dhe në lindje të ilirëve më jugorë (shih hartën ilustruese të bashkangjitur). Nga Dardania ndahej nga një vargmal nëpër të cilin kalon lumi Vardar dhe shtrihej në luginat e lumenjve Axius dhe Astibus dhe në rajonin e Strumicës dhe Veleshit. Trevën e përmendin të ishte e pasur me burime minerare, veçanërisht ar dhe argjend.
Paeonia-Monedhë e mbretit Patraos, rreth 335-315 para Kr. Tetrobol (ag 12 mm, 2,45 g)
Në gjysmën e parë të shek. IV para erës së re, Paionët krijuan mbretërinë e tyre, e cila u bëri ballë për shumë kohë sulmeve të fqinjëve maqedonas. Paionët e bashkuar nën mbretëri, u shtrirë pranë lumenjve Vardar dhe Struma dhe në disa kohë edhe më tutje se kaq. Nga perëndimi Paionia përfshinte edhe Pelagoninë, si dhe hapësirën mbi liqenin e Ohrit e të Prespës. Qyteti kryesor i mbretërve paionianë ishte Bylazora (Veleshi i sotëm në Maqedoni). Nga disa studiues e historianë, qytetin e lashtë ilir të Damastionit e supozojnë të ketë qenë përfshirë në mbretërinë e Paionisë. Ky mendim ndeshet i ndikuar edhe prej monedhave të argjendit të shek. IV-III para erës së re, që mbajnë mbishkrimin DAMASTION dhe që klasifikohen në shumë raste se i përkasin mbretërisë së Paionisë.
Peonët, të bashkuar me fise të tjera ilire, krijuan dinastinë e tyre, qysh nga fillimi i shek. IV para erës së re, të njohur si Mbretëria Ilire e Paionisë. Dinastia mbretërore e Paionisë u bë e njohur dhe pati vazhdimësi për më se një shekull. Preu monedha mbreti Likeu (Lykkaioy; Lykkaeios, 359-340 para Kr.); Patrai (Patraioy, 340-315 para Kr.), Audoleoni (315-286 para Kr.) i cili ka qenë një nga më të njohurit, nga që një prej vajzave të tij qe martuar me Pirron e Epirit.

Paeonia-Monedhë e mbretit Lykkeios, rreth 359-335 para Kr. Tetradrahm (ag 12.80g)
Mbretërit e Peonisë na kanë lënë si trashëgim kulturor një mori monedhash prej argjendi. Një kërkues e studiues i monedhave të lashtësisë ilire, Pasho Baku, është prej të pasionuarve që ka kërkuar e gërmuar në muzeume të njohura europiane për të identifikuar prerjet e mbretërve ilirë të Paionisë, duke mos patur mundësi të orientohej nga ndonjë katalog. Ka evidentuar më se 100 lloje monedha argjendi, të prera nga mbretërit e Paionisë. Këto janë edhe disa nga monedhat më të hershme të botës ilire (shek. IV-III para Kr.).
Mbreti Likeu me rreth 40 prerje prej argjendi; Mbreti Patrai me rreth 35 prerje prej argjendi; Mbreti Audoleon, me rreth 30 monedha të ndryshme, të gjitha prej argjendi.

Paeonia-Monedha të mbretit Audeleon, rreth 315-286 para Kr.
Në një monedhë peone paraqitet figura e Mbretit Ariston, që ishte vëllai i Mbretit Patrai, i cili luftoi në krye të trupave ilire përkrah Aleksandrit të Madh në fushatat e tij drejt lindjes.
Peonia përbëhej nga disa fise, si Aestraeit, Agrianët, Derrones, Doberes, Laiaious, Odomantians, Paioplai, Siriopaiones. Disa prej tyre, në ndonjë rast, kanë prerë mëvetësisht monedha. Pas pushtimeve romake, Peonia u përfshi në provincën romake të Maqedonisë së bashku me Ilirinë e Jugut, Thesalinë, Trakën, dhe Epirin e Veriut.
Paeonia-a) Monedhë e mbretit Audoleon, rreth 315-286 BC. Didrachm (17mm, 6.05g)
Paeonia-b) Monedhë e Agrianes
Perandori me origjinë ilire, Diokleciani, gjatë riorganizimit administrativ të Perandorisë Romake, Paioninë dhe Pelagoninë i bashkoi në një provincë të vetme me emrin Maqedonia e Dytë e përfundimisht, ata, Roma i përmend vetëm brënda kuadrit fiziko-politik, Maqedoni.
Monedhat e Damastionit
Del nga kronistët të ketë qenë një qytet i rëndësishëm i Ilirisë së lashtë, që pati zhvillim sidomos në shek. IV-II para erës së re. Mendohet të ketë qenë kryeqytet i Dardanisë apo një qendër e rëndësishme për prerjen e monedhave ilire. Përmendet nga Straboni në veprën e tij "Gjeografia" si qytet ilir (shek. IV para Kr.). Sipas tij, pas Epidamnit dhe Apolonisë, gjer në malet e Vetëtimës (Akrokeraune), banojnë Bylinët, Taulantët, Parthinët e Brygët; jo larg tyre janë edhe minierat e argjendit në Damastion, rreth të cilave Dyestët vendosën sundimin e tyre, si dhe Enkelejtë, të cilët i quajnë edhe Sesaretë.
Në rreth 50 tip-monedha argjendi të Damastionit, në pjesën e parme të tyre, zakonisht gjendet figura e Zeusit apo Apolonit, hyjnisë së adhuruar të botës antike, kurse në pjesën e pasme, paraqiten figurina të ndryshme si vegla pune për gërmimin e mineralit, për shkrirjen e metalit, ku mbizotëron tripodi ilirik me këmbë luani, altarë të faljes, sende si thika e shpata të shkurtra dhe stilizime të ndryshme. Poshtë, ose në formë rrethore, zakonisht shkruhet emri i qytetit: DAMASTION. Në disa nga këto monedha, gjenden mbishkrime të tjera, si: HRAKLEIDO; KAKIO; PELLAG apo ILLY, që nga disa specialistë të huaj lexohet si "Illyri".

ILIRO-PAEON, Damastion (Dardania). Rreth viteve 340-330 para Kr. Drahma (14mm, 2,90 g, 12h).
Lidhur me vendndodhjen e këtij qyteti antik ka mendime të ndryshme. Kostandin Jeriçek vëndndodhjen e tij e shihte diku mbi veriun e Dibrës; Majeri, gjithashtu mendonte se duhet të ketë qenë në veri të qytetit të Ohrit; A. Stipçeviç, çuditërisht e lokalizon në Shqipërinë e Jugut, diku në rrethin e Gjirokastrës. Studiues të tjerë mendojnë se përfshihej në Shqipërinë e Veriut, në zonat e Mirditës a të Dukagjinit. Ka studiues që mendojnë se ky qytet i lashtë duhet kërkuar në jug të Dardanisë, me gjasa, në mbretërinë ilire të Paionisë, diku në perëndim të saj, ku gjendej edhe krahina e lashtë e Pelagonisë. Karl Paçi e shihte diku në jug të Shqipërisë, në Damës të Mallakstrës. Edhe Dr. Imhoof-Blumer është orvatur të gjej përafëri emri dhe supozoi se Damësi-fshat, mund të ishte Damastioni. V.Tomashek mendonte se duhet të ketë qenë në vëndin e Pirustëve (Mirditë).
ILLYRO-PAEONIAN, Damastion-Dardania, rreth 365/0-350/45 para Kr. Tetradrame, silver 25 mm, 13.29 g
ILLYRO-PAEONIAN. Damastion-Dardania, ΔΑΜΑΣ-ΤΙΝ-ΩΝ. Rreth 365/0-350/45 para Kr. Tetradrame (Silver, 25 mm, 12.78 g, 7 h)
Të tjera hipoteza rreth vendndodhjes së saj, hamendësojnë se ka qenë diku afër Resnjës në Paioninë e lashtë, Republika e Maqedonisë së Veriut sot. Vendndodhja më e fundit që dëgjojmë është pika arkeologjike serbe Kale-Krševica, në jug-lindje të Vranjës, ku janë zbuluar themelet e një qyteti urban të lashtë grek.
Dr. Petar Popoviq, nga Instituti i Arkeologjisë në Beograd, thotë se Kale-Krshevica me shumë mundësi mund të jetë qyteti i Damastionit. Ai përmend një object monumental të gjetur, i ndërtuar nga blloqe gjysmërrethore 9 metra të gjata dhe 3 metra të larta.
Dr. Viktorija Sokolovska, arkeologe e studiuese, e supozon Damastionin në afërsi të Mitrovicës së Kosovës, në vendndodhjen Soçanicë, ku shumë vite më parë janë zbuluar tri monumente epigrafike në të cilat shënohet shkurtesa MUN.D.D., mbi të cilën ajo sheh MUNICIPIUM DAMASTION DARDANORUM.
Gjithsesi, pavarësisht hamendësimeve pa prova, gjurmët e eksplorimit i çojnë arkeologët e shqipërisë dhe Kosovës në zemër të Dardanisë, ku ndeshen vëndminierat e antikitetit. Historiani nga Kosova, Zef Mirdita, në veprën e vet "Studime Dardane" (viti 1979), jep mendimin se kjo qendër e lashtë ilire duhet të ketë ekzistuar afër Kishnicës, midis Janjevës dhe Prishtinës, pasi që këtej nuk kanë qenë larg minierat antike të xeherorëve. Dr. Qazim Namani, përafron me këndvështrimin e Zef Mirditës e të Edi Shukriut dhe përmend afër Janjevës, Artanën, ku ndodhen rrënojat e një vendbanimi të lashtë.
ILLYRO-PAEONIAN. Damastion-ΔΑΜΑΣ-ΤΙΝ-ΩΝ -Olythus. Rreth 370-350 para Kr. Tetradrame (Silver, 25 mm, 12.78 g, 7 h)
Illyria-Paeonia/Damastion/ ΔΑΜΑΣΤΙΝΩΝ -Tetradrahm, rreth 365-345 para Kr., 13.40g
Duhet thënë se në studimet numizmatike me temën e Ilirisë, për Damastionin janë botuar vetëm disa monedha, të cilat nuk janë as tipike dhe as në gjendje të mirë. Sot, në muzetë dhe arshivat e huaja të Europës dhe më gjerë, gjenden më se 50 monedha, pothuajse të tëra prej argjendi dhe të ruajtura mirë. Në ebay.com prej tyre gjen në shitje. Studiuesi Kujtim Gërmizaj, drejtues i shoqatës numizmatike Kosovë, vë në dukje se “...dhe qytetet që shtriheshin në afërsi të Damastionit, farkonin monedhë të po këtij lloji. Pastaj edhe qytetet si Dyrrahu dhe Apollonia i farkuan dhe i vunë në qarkullim monedhat e quajtura “Drahma Ilire”. Një shënim-dokument të rëndësishëm dhe një konstatim për drahmat ilire e gjejmë edhe te Straboni”.
Damastioni i trojeve të Ilirisë antike Juglindore, pret studiuesit dhe arkeologët, shqiptarë apo të huajt (francezë, që aktualisht po punojnë në Parkun Arkeologjik Ulpianë dhe do e shtrijnë më tej kërkimin), që ta zgjojnë atë nga heshtja shumëshekullore. Zbulimi i tij, nëse do ndodhë, me siguri do pasurojë edhe më historinë e ilirëve dhe të autoktonisë së hershme të kombit shqiptar në ato troje.
*Studiues numismat, redaktor i Revistës “Koleksionisti”, organi i Shoqatës të Koleksionistëve të Shqipërisë
-Andreas, Lipert, “Die Illyrer Geschichte”, 1993.
-Baku, Pasho, “Fjalor Enciklopedik”, Tiranë 2002.
-Çabej, Eqerem, “Problemi i autoktonisë së shqiptarëve në dritën e emrave të vendeve”; botimi “Studime rreth historisë së gjuhës shqipe”, Mihal Duri, 1973.
-Dueck, Daniela, "Paeonians". The Homer Encyclopedia 2011.
-Gatti, Enzo, “Ilirët”, botime Bargjini 2005.
-Gërmizaj, Kujtim, Shoqata Numizmatike “Damastion”
-Hoover, Oliver D. Handbook of Coins of Macedon and its Neighbors, Part 1: Macedon, Illyria and Epeiros [The Handbook of Greek Coinage Series, Vol. 3]. Classical Numismatic Group, LLC., 2016.
-J.M.F. May, “The coinage of Damastion”, 1979.
-Korkuti, Myzafer, “Etnogjeneza e ilirëve”, Adel Co, 2016.
-Mirdita, Zef, "Studime Dardane", viti 1979.
-Namani, Qazim, “Qyteti antik i Damastionit”, Gazeta “Rrënjët”, Janar 2023.
-Osborne, Robin "Paeonians", përmbledhur nga Irvin, Elisabeth; Greenwood, Emily; Reading Herodotus: A Study of the Logoi in Book 5 of Herodotus' “Histories”.
-Radoslav, Katicic, (2012) Ancient Languages of the Balkans: n.a. Volume 4 of Trends in Linguistics.
-Shpuza, Saimir, “Roma dhe Iliria në Kaoni”, 2022.
-Pulaha, Selami, “Defteri i Regjistrimit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485”, botim 1974.
-Rizaj, Skënder, “Kosova gjatë shekujve XV, XVI, XVII”.
-Steve M. Benner, “Historia e Monedhave të Lidhjeve të Lashta Greke, nga shekujt V deri në I, p.e.s.”, 2018.
-Straboni. VII. VII. VIII
- Sokolovska, Viktorija, “The Coinage of Agrianes”, Macedonian numismatik Journal, no. 2, Skopje 1996.
-Wilhelm Tomaschek dhe Paul Kretschmer, Ancient Languages of the Balkans.
Komente
