Një grup arkitektësh ndërkombëtarë, të përzgjedhur personalisht nga kryeministri shqiptar Edi Rama, po e riimagjinojnë rrënjësisht Tiranën si një kryeqytet ballkanik të guximshëm, me vizion dhe me rëndësi kulturore, shkruhet në një artikull të botuar në ”Forbes”.
Njeriu që futi Shqipërinë në hartën e arkitekturës
Edi Rama, kryeministri shqiptar, 1,98 metra i gjatë, hedh një hije të madhe mbi homologët e tij të botës. Në Samitin e fundit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë, Rama - një ish-basketbollist profesionist, do të habiten ca kur ta dëgjojnë u shfaq kokë e shpatulla mbi liderët e tjerë, duke bërë që disa vëzhgues të injorojnë çështjet urgjente globale të ditës dhe në vend të kësaj të pyesin “kush është ai djali i gjatë?”.
Mendimet janë të ndryshme, sigurisht. Por, për mbi gjysmën e popullsisë që votoi për të në maj për të vazhduar ta udhëheqë për një mandat të katërt radhazi, ai është njeriu që po e nxjerr vendin e tyre më në fund në skenën botërore. Duke e nxjerrë vendin ballkanik nga shkretëtira pas dekadash diktaturë komuniste që, edhe shumë kohë pas rënies së saj, e ka lënë Shqipërinë disi të izoluar nga pjesa tjetër e Evropës.
Dhe Tirana, testi i Ramës, po shfaqet vetë si një prani madhështore me horizontin e saj në ndryshim. Ndërtesat e ulëta të qytetit të shekullit XX të epokës fashiste dhe sovjetike po bëhen shpejt të zbehta nga një mori rrokaqiejsh eksperimentalë dhe në disa raste jashtëzakonisht të çuditshëm – të projektuar nga arkitektë ndërkombëtarë të profilit të lartë, të cilët janë zgjedhur me kujdes nga Kryeministri (i cili është gjithashtu një artist i trajnuar) për të ndihmuar në rikthimin e Shqipërisë në hartë.
Rreth 150 arkitektë të tillë - nga Evropa, Azia, SHBA-ja dhe Amerika e Jugut u mblodhën në Tiranë në fillim të këtij muaji për Festivalin e Bukës dhe Zemrës, një festë e diçkaje për të cilën kryeqyteti shqiptar rrallë kishte festuar më parë: mjedisin e tij pionier.
Dhe kjo “Ushtria e arkitektëve shqiptarë”, siç i quajti Rama këtë grup të përzgjedhur arkitektësh, është pajisur me një qëllim të fuqishëm: “të ndërtojë, por jo monumente prej guri, por hapësira kuptimi, jo vetëm struktura prej betoni, por kocka mirëkuptimi”, njoftoi ai duke shfaqur një talent të veçantë për gjuhën e lartë të arkitekturës.
”Ata vijnë jo si vëzhgues të largët të një kulture të errët, as si yje të vetmuar që hedhin dritë mbi tokë të huaj, por si pjesëmarrës në një eksperiment të përbashkët. Ata mbërrijnë duke mbajtur peshën dhe hirin e traditave të tyre, me ide të formuara nga qytetet dhe klimat e tyre, historitë dhe materialet e tyre, dhe barrën e krizës gjithashtu, krizë në shtëpi, krizë e ndjerë në një botë që po zvogëlohet çdo orë, krizë e krijuar nga vetë ata. Dhe këtu në Shqipëri, ndodh diçka e veçantë”, thekson ai.
E vërtetë. Disa me siguri e kanë lënë imagjinatën e tyre të egër me kullat e tyre shumica e të cilave ndodhen rreth Bulevardit të Ri, parkut të madh linear të peizazhuar rishtazi që kalon nëpër zemër të qytetit, që së shpejti do të jetë shtëpia e apartamenteve të para luksoze të kryeqytetit, hapësirave të zyrave të klasit A, shitjeve me pakicë të nivelit të lartë dhe markave globale të hoteleve.
Midis tyre është ndërtesa ”Skënderbeu”, 85 metra e lartë, e cila i ngjan një koke të madhe – asaj të strategut ushtarak të shekullit XV, dhe ”Downtown One Tirana”, me një hartë të pikseluar të Shqipërisë në fasadën e saj – të dyja të konceptuara nga studioja e njohur holandeze MVRDV.
Studioja OODA e Portugalisë ka bërë dyfishimin e saj me kullën ”Bond”, çifti i gjatë i ndërtesave të së cilës krahasohet me këmbët e një balerini në mes të plié-së, dhe ”Hora Vertikali”, e cila do të strehojë qindra apartamente brenda një grumbulli gjigant prej 13 kubesh të mëdhenj si Jenga. ”Puzzle Tirana” nga studioja italiane NOA dhe ”Atelier4” e Shqipërisë vendos një mozaik gjigant fasadash tradicionale të shtëpive fshatare në kënde të gëzueshme. Ndërkohë, Pylli Vertikal i Tiranës nga Stefano Boeri, pionieri italian i arkitekturës biofilike, është i mbuluar me mijëra bimë dhe pemë.
Një treg i ri i pasurive të patundshme i transformuar
“Ambicia e Edi Ramës është të tërheqë arkitektë që kanë turmën e tyre të ndjekësve në vendet e tyre përkatëse. Ata janë pothuajse si të famshëm”, komenton Ilda Zaloshnja, CEO e ”Capital Point”, një anëtare e re e ”Forbes Global Properties”.
Ajo, për shembull, është e emocionuar për transformimin e Tiranës. Duke pasur parasysh mungesën e një tregu luksoz të pasurive të patundshme në qytet deri më tani, “ndonjëherë ka qenë një luftë për të gjetur prona për t’i listuar,” thotë ajo.
Me apartamentet e reja shumëkatëshe që ofrohen, investitorët deri më tani, kryesisht vendas dhe shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit po paguajnë çmime që do të kishin qenë të pakonceptueshme vetëm pesë vjet më parë. Dhe kjo është para se ato të ndërtohen.
Kur apartamentet dolën në shitje disa vjet më parë në ndërtesën e sapopërfunduar ”Book Building” nga ”51n4e” një kolektiv me seli në Bruksel i studiove të shumta evropiane – çmimet fillestare ishin rreth 3 000 euro për metër katror.
“Tani, ata investitorë të hershëm po refuzojnë ofertat prej 5 500 euro për metër katror, dhe në disa ndërtesa çmimet kanë arritur në 10 000 euro për metër katror”, informon Brandan Mativi, themeluesi i ”Capital Point”.
“Që nga fitorja e fundit e Ramës në zgjedhjet e fundit, të gjitha studiot e famshme po kthjenë sytë nga Shqipëria. Kjo është arsyeja pse po ndërtohet Tirana. Kur u transferova këtu nga Shtetet e Bashkuara tetë vjet më parë, kishte ndërtesa pa dritare në qendër të qytetit. Brenda pesë vjetësh, do të ketë 15 rrokaqiej”, thekson ai.
Një 'Nju Jork i Ri' në Adriatik?
Jo të gjithëve u pëlqen pamja e re e Tiranës. “Thjesht një tjetër ndërtesë jashtë kontekstit në një qytet të ndërtuar në mënyrë kaotike”, komenton një anëtar i një forumi arkitektonik në Facebook, duke iu referuar Kullës së Barcelonës të arkitektit spanjoll Ricardo Bofill , forma dinamike e së cilës imiton flladin e një fundi tradicional shqiptar me fustanellë .
Të tjerë vënë në pikëpyetje se kush do të paguajë çmime kaq të larta për shtëpitë e reja.
"Këto kosto për metër katror nuk mund të zgjasin. Është një flluskë e madhe. Përpara se të ndërtoheshin këto kulla, çmimet më të larta në Tiranë ishin 6,000 euro për metër katror”, komenton Ludovic Laventure, themelues i kompanisë së pagesave mobile MPay, i cili jeton pranë kullës në zhvillim Downtown One.
Megjithatë, të tjerë janë optimistë.
“Një Nju Jork i ri Adriatik”, thotë me humor një adhurues i arkitekturës në Facebook.
Mativi thotë se Tirana mund të jetë “Monako i ri”, me rrugën midis kryeqytetit dhe bregdetit të Durrësit - ku po ndërtohen marinat e para të super-jahteve në Shqipëri - që po përmirësohet, duke e shndërruar në mënyrë efektive Tiranën në një metropol modern me një vijë bregdetare të shkëlqyeshme.
Për arkitektët, qyteti ofron një kanavacë të bardhë për imagjinatën e tyre të pakufizuar.
“Tirana është një nga mjediset urbane më emocionuese në Evropë sot, sepse është në mes të një transformimi të thellë shoqëror, kulturor dhe arkitektonik”, komenton Michal Kristof, bashkëthemelues i CHYBIK + KRISTOF, studios me seli në Londër/Evropë Lindore që fitoi konkursin e parë privat ndërkombëtar në Shqipëri për një zhvillim në Bulevardin e Ri.
“Kulla Multifunksionale ndodhet në një cep kyç, ku bulevardi takon një hapësirë të re publike të madhe të planifikuar përpara Operas Kombëtare të ardhshme”, shpjegon Kristof, ndërtesa e të cilit në formë kaskade, e kuqe si terrakota e ndërprerë nga dhjetëra tarraca dhe lozha të mbjella, si vrima në një bllok të madh këndor djathi zviceran - do të strehojë 20 kate apartamentesh të vendosura mbi dyqane dhe zyra.
“Si një demokraci e re, Shqipëria po ripërcakton identitetin e saj dhe Tirana qëndron në qendër të këtij procesi. Ajo që e bën atë veçanërisht frymëzuese për ne si arkitektë është hapja e qytetit ndaj eksperimentimit dhe angazhimi i tij i guximshëm ndaj hapësirës publike si një katalizator për ndryshime shoqërore”, shton ai.
Nga inovacioni vjen identiteti kombëtar
Kombi që, për katër dekada nën diktatorin Enver Hoxha, e mbylli veten nga bota, tani po hap krahët e tij përmes arkitekturës.
“Ftesa e arkitektëve ndërkombëtarë sjell padyshim dukshmëri dhe interes global”, beson Kristof.
“Është gjithashtu një mënyrë interesante për të riformësuar identitetin kombëtar të Shqipërisë, duke përzier inovacionin global me kulturën lokale dhe kushtet mjedisore”, shton ai.
Mativi i ”Capital Point” është optimist.
“Rama ka përcaktuar road map-in për 10 vitet e ardhshme”, komenton ai, i bindur se shprehja e vjetër “ndërtoje dhe ata do të vijnë” do të jetë e vërtetë për Tiranën.
Vitet e ardhshme do të tregojnë nëse horizonti i ri i qytetit është ndërtuar mbi më shumë sesa thjesht ëndrra./ Forbes
Komente
