Real Madrid është futbolli i Europës. ‘Galaktikët’ kanë bërë të tyrin për herë të 14 trofeun e Champions League, pasi në finalen e Parisit kanë mposhtur 1-0 Liverpool-in. Për spanjollët heroi ishte braziliani Vinicius Junior që realizoi golin historik në minutën e 59 pavarësisht se anglezët patën rastet më të rrëzikshme si në pjesën e parë ashtu edhe në të dytën. Për rrjedhojë jo vetëm që nuk u hakmorrën për finalen e 2018, por u bënë edhe skuadra që ka humbur 4 herë finalen e Champions League. Vetëm Juventusi ka më shumë, 5 të tilla.
Një mbrëmje që i shënoi jetën ishte edhe për trajnerin Carlo Ancelotti. Italiani është i vetmi i këtij sporti që e fiton këtë kompeticion katër herë. Dy me Milanin dhe dy herë të tjera me Real Madrid. Për rekorde është edhe Karim Benzema, sulmuesi francez që e fiton për herë të pestë këtë kompeticion. Padiskutim që këto shifra nuk do ishin arritur pa meritën e jashtëzakonshme të portierit Tibo Courtuis, i cili u shpall nga UEFA edhe si lojtari më i mirë i finales.
Nëse në aspektin sportiv ishte një mbrëmje e jashtëzakonshme e njëjta nuk mund të thuhet për organizimin. Finalja e Champions League në Francë nisi me 36 minuta vonesë për shkak të trazirave që shkaktuan tifozët, të cilët tentuan të futeshin pa biletë në ‘Stade de Francë’. Me ndërhyrjen e policisë ky incident mbeti me kaq, por la në një shije të hidhur te UEFA.
Formacionet zyrtare të skuadrave, Liverpool: Alison, Aleksander-Arnold, Konate, Van Dajk, Robertson, Fabinjo, Henderson, Tiago Alkantara, Diaz, Salah, Mane.
Ndërkohë trajneri i Real Madrid ka zgjedhur: Kurtua; Karvahal, Militao, Alaba, Mendi; Modriç, Kasemiro, Kros; Valverde, Benzema, Vinicius.
90+5’ Real Madrid është shpallur kampion i Champions League për herë të 14. Në finalen e Parisit ‘galaktikët’ fitojnë 1-0 falë golit të Vinicius.
59’ Real Madrid kalon në avantazh në finale. Kundër Liverpool zhbllokoi braziliani Vinicius Junior pas një topi të dhënë nga Valverde.
46’ Ka nisur pjesa e dytë e finales së Champions League. Nëse nuk do ketë gola atëherë ndeshja do i drejtohet shtesës.
45+3’ Mbyllet në barazim 0-0 pjesa e parë e finales së Champions League. Vlen për t’u theksuar një shtyllë e goditur nga Mane për Liverpool-in dhe një gol i anuluar për pozicion jashtë loje nga Real Madrid.
1’ Ka nisur në orën 21:36 finalja e Champions League pas 3 shtyerjeve si pasojë e trazirave të krijuar nga tifozët.
Finalja e Champions League mes Liverpool dhe Real Madrid nuk do nisë as në orën 21:15. Tani për tani është vendosur që arbitri të vërshëllej në orën 21:30 pas kaosit të shkaktuar në portat hyrëse të stadiumit ‘Stade de France’.
Janë kryesisht tifozët e Liverpool që kanë shkatuar kaos, pasi kanë kapërcyer rrethimin dhe janë future pa bileta në stadium. Ndërkohë për pasojë të rrëmujave shumë të tjerë ende nuk janë futur, duke shkaktuar një rradhë të gjatë.
Finalja e Champions League është shtyre më 15 minuta. Edhe pse ishte parashikuar të niste në orën 21:00 ajo do fillojë në orën 21:15 për shkak se jo të gjithë tifozët kanë mundur të futen në stadium si rrjedhojë e kaosit të shkatuar në portat hyrëse.
Një situatë e pazakontë për një finale të Champions League është shënuar në Paris. Autobusi i një prej skuadrave finalist, Liverpool-it, ka ngecur në trafik dhe ka shkuar në stadiumin ‘Stade de France’ me vonesë.
Shkak është bërë trafiku i rënduar në kryeqytet, ndërsa bëri jo pak habi situata e kamerave që tregonte Real Madrid teksa zbriste në fushë dhe autobusi i Liverpool që përpiqej të çante trafikun.