PSG 5-0 Inter, francezët festojnë me trofeun e Champions League

Sport

'C'est le Paris'/ PSG shkruan historinë, 'shkërmoq' 5-0 Interin në Mynih dhe fiton trofeun e parë të Champions League

31 Maj, 15:50| Përditesimi: 1 Qershor, 00:30

  • Share

FT/ PSG 5-0 Inter (Hakimi 12', Doue 20', 63', Kvaratskhelia 73', Mayulu 87')

MYNIH, Gjermani -  Paris Saint Germain (PSG) është fituesi i Champions League në edicionin 2024-25, me djemtë e Luis Enriques që "shkërmoqën" 5-0 Interin në finalen e "Allianz Arena". Data 31 maj 2025 do futet në historinë e klubit francez, pasi për herë të parë në historinë e tyre fitojnë trofeun më të rëndësishëm në Evropë. 'Tripletë' trofesh këtë sezon për PSG-në, që pas kampionatit dhe Kupës në Francë, fiton Champions League dhe ngjitet në majën e futbollit evropian.

Dueli 'foli' frëngjisht dhe Interi thuajse nuk ishte në lojë, duke mos pasur asnjë rast të rrezikshëm, ndërsa PSG mund ta kishte mbyllur ndeshjen edhe me gola të tjerë. Leksione futbolli nga PSG, teksa Interi vetëm sa shëtiti në fushë fanellën e verdhë duke zhgënjyer tifozët që shohin sesi në tre vite klubi i tyre humbet në dy finale të Champions League.

NDESHJA - Përballja nisi në mënyrën më të shkëlqyer për PSG-në, teksa Hakimi dhe Doue shënuan dy gola pas vetëm 20 minutave lojë, duke "hedhur në tapet" Interin. Me këto shifra u mbyll pjesa e parë, ndërsa kur pritej reagimi i italianëve, sërish ekipi nga Parisi vijoi me dominimin duke gjetur golin e tretë me autor sërish Doue (2x) në minutën e 63. Më pas, Kvaratskhelia në minutën e 73 dhe Mayulu në të 87 minutë "vulosën" përfundimisht sfidën në 5-0 duke bërë që festa të ishte për tifozët e PSG dhe lotët për ata të Interit.

Leksion futbolli nga ekipi i Luis Enriques, me trajnerin që pas dhjetë vitesh rikthehet ta fitojë sërish këtë trofe, pasi më parë e kishte bërë me Barcelonën. PSG fiton në Mynih trofeun e parë të Champions, duke harruar humbjen e pesë viteve më parë në finalen kundër Bayer Munich. Nga ana tjetër Interi e mbyll me zero tituj këtë sezon, ndërsa ka dy finale të humbura në tre edicionet e fundit të Champions League. Për t’u theksuar se 20 minuta për Interin në këtë duel luajti edhe Kristjan Asllani, mesfushori i Kombëtares, që zuri vendin e Calhanoglu në minutën e 70-të të ndeshjes.

Si të mos mjaftonte humbja, italianët kanë bërë një figurë të tmerrshme në vitrinën e Evropës.

Komentet më të rëndësishme:

90' Mbyllet 5-0 ndeshja në Mynih, PSG turpëron Interin.

87' Mayulu shënon golin e pestë.

73' Interi në tapet, Kvaratskhelia shënon golin e katërt të ndeshjes.

63' Mbajeni mend emrin, Desire Doue. Është vetëm 19 vjeç, por ka shënuar dy gola në finalen e Champions League. Sulmuesi anësor ndëshkon për herë të tretë Interin.

54' Pavard dhe Dimarco i bëjnë vend Bisseck dhe Zalewskit te Interi.

46' Nis pjesa e dytë, asnjë zëvendësim te dy skuadrat.

45+2' Mbyllet 2-0 për PSG-në pjesa e parë.

20' Kundërsulm perfekt nga PSG, Doue shënon golin e dytë për francezët. Interi shokohet pas vetëm 20 minutave duke pësuar dy gola.

12' Aksion model nga djemtë e Luis Enriques (PSG). Doue pason bukur nga brenda zonës për Hakimin, me këtë të fundit që nuk e ka të vështirë ta dërgojë në rrjetë dhe të ndëshkojë ish-ekipin e tij. Mbrojtësi nuk feston, PSG merr avantazhin.

5' Çalhanoglu (Inter) realizon një goditje dënimi direkte.

1' Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga PSG.Këtë të shtunë (31 maj) në orën 21:00 në Mynih do luhet finalja e Champions League për edicionin 2024-25.

Përplasja para ndeshjes mes tifozëve

Ora 18:17 - Pranë stacionit të metrosë 'Universitat' në Mynih, përgjatë linjës U6 që të çon nga qendra e qytetit në stadium, ndodhi një përleshjeje midis tifozëve të Interit dhe PSG-së, të cilët gjithashtu hodhën sende drejt njëri-tjetrit. Ndërhyrja e policisë ishte e nevojshme me gaz lotsjellës për të shmangur një përplasje të vërtetë. Tensione u raportuan edhe në stacionin “Fröttmaning”, pranë stadiumit, ku disa tifozë të Interit mbetën të lënduar, madje edhe të mbuluar me gjak, sipas raportimeve të 'Bild'.

Formacionet zyrtare:

PSG: Donnarumma; Hakimi, Marquinhos, Pacho, Nuno Mendes; Neves, Vitinha, Fabian Ruiz; Doue, Dembele, Kvaratskhelia

Inter: Sommer; Pavard, Acerbi, Bastoni; Dumfries, Barella, Calhanoglu, Mkhitaryan, Dimarco; Lautaro Martinez, Thuram

Ora 00:27
Humbja në finalen e Champions shkakton ‘tërmet’ te Interi, Inzaghi: E ardhmja? Do flas me klubin


Simone Inzaghi është i hidhëruar pas humbjes së rëndë që Interi i tij pësoi në finalen e Champions League 5-0 kundër PSG, teksa pas ndeshjes për Sky meditoi edhe largimin.  

"Jam krenar për këta djem për atë që kanë bërë në këtë udhëtim, padyshim që gjetëm një ekip më të fortë se ne, që meritonte të fitonte trofeun. Ne iu afruam ndeshjes keq, pësuam gola dhe pastaj u tërhoqëm, duke ua bërë punën më të lehtë. Humbja na lë me një hidhërim të madh, por nuk e fshin udhëtimin që kemi bërë. Ne të gjithë duhej të bënim më mirë sonte, unë i pari. Pa tituj, por shumë mirë gjithsesi. U thashë djemve se të gjithë duhet ta mbajnë kokën lart.

E ardhmja? Do ta shohim në ditët në vijim me klubin, pas dy finaleve të humbura në tre vjet ka shumë zhgënjim dhe hidhërim për të menduar për këtë. Do të flas për këtë me qetësi me klubin tim, i cili ishte pranë nesh këtë mbrëmje pavarësisht hidhërimit të madh. Ka shumë zhgënjim për të folur për të ardhmen, që nga 13 korriku kemi dhënë gjithçka që mundëm në 58 ndeshjet e mëparshme.

A do të jem në Kupën e Botës për Klube? Nuk di si të përgjigjem, jam këtu nga mirësjellja dhe respekti për ju. Kjo humbje më trishton shumë, e di që humbjet na bëjnë më të forte. Humbëm në Stamboll dhe më pas fituam kampionatin. Ka hidhërim, duhet ta mbajmë kokën lart, duke e ditur se sonte u përballëm me një ekip më të fortë’’, tha Inzaghi.

Ora 23:59
Luis Enrique: Donim historinë dhe e realizuam, trofeu edhe për vajzën time të ndjerë


Pasi fitoi 5-0 finalen e Champions League kundër Interit, trajneri i PSG-së, Luis Enrique emocionoi dhe tregoi lidhjen e ekipit me tifozët. Ai u ndal edhe te e bija e ndjerë, Xana, e cila ndërroi jetë në vitin 2019 në moshën 9-vjeçare. Për trajnerin e PSG-së ajo është gjithmonë me të edhe pse jo fizikisht. Në 2015 ai e festoi trofeun e Champions League me të bijën, ndërsa sot mbeten kujtimet.

“Fituat një finale - Të bëjmë histori ka qenë një qëllim që nga fillimi i sezonit. Është koha për një festë të madhe. Ndjeva një lidhje të vërtetë midis lojtarëve dhe tifozëve. Mendoj se e meritojmë. Është e vështirë të luash në këtë nivel, por ne dinim si ta përballonim presionin.

Vjaza juaj e ndjerë - Ajo është me mua gjatë gjithë kohës, mungon fizikisht, por unë e ndjej që më sheh. Kur e fitova trofeun me Barcelonën festuam së bashku në fushë, sot mbeten kujtimet dhe prezenca e saj te unë’, tha Enrique.

'Tripletë' trofesh këtë sezon për PSG-në, që pas kampionatit dhe Kupës në Francë, fiton Champions League dhe ngjitet në majën e futbollit evropian.

Ora 19:55
VIDEO/ Nis festa e ultrasve, 'Allianz Arena' thuajse e mbushur me tifozë 1 orë para finales! Report Tv sjell pamje nga Mynihu

Kur duhet më shumë se një orë nga nisja e finales së Champions League mes PSG-së dhe Interit (21:00), "Allianz Arena" në Mynih ka nisur të mbushet nga ultrasit e dy skuadrave. Gazetari i Report Tv, Ernest Koçi përcjell atmosferën nga impianti ku duket se tifozët kanë nisur festën me këngë për të mbështetur ekipet e tyre. 64 mijë tifozë do jenë sot në stadium.

Ora 19:49
Formacionet zyrtare/ Enrique dhe Inzaghi surprizojnë me titullarët, Asllani e nis nga stoli finalen e CHL

Vendosja në fushë

PSG dhe Inter luajnë sot në orën 21:00 finalen e Champions League në Mynih. Trajnerët Luis Enrique dhe Simone Inzaghi kanë zbardhur edhe vendosjet zyrtare në fushë, ndërsa shqiptari i italianëve, Kristjan Asllani e nis ndeshjen nga stoli.

Formacionet zyrtare:

PSG (4-3-3): Donnarumma; Hakimi, Marquinhos, Pacho, Nuno Mendes; Neves, Vitinha, Fabian Ruiz; Doue, Dembele, Kvaratskhelia

Inter (3-5-2): Sommer; Pavard, Acerbi, Bastoni; Dumfries, Barella, Calhanoglu, Mkhitaryan, Dimarco; Lautaro Martinez, Thuram

Ora 18:48
Grushta, gurë dhe gjak në Mynih, përleshje mes tifozëve të Interit dhe PSG-së në metro! Policia përdor gaz lotsjellës (VIDEO)

Policia gjermane është vënë në gatishmëri të lartë pasi situata në Mynih është përshkallëzuar në disa zona të qytetit, përpara fillimit të ndeshjes finale mes PSG dhe Inter (21:00). 'Bild' bën me dije se ka disa përleshje dhe policia ka përdorur gazin lotsjellës për të qetësuar tifozët në metronë U6. Gjithashtu prestigjozja gjermane shkruan se ka disa tifozë italianë të gjakosur.

Gaz lotsjellës dhe kaos në metro

Një incident serioz ndodhi në linjën U6, në stacionin “Universität”, ku është raportuar përdorimi i gazit lotsjellës në një prej trenave. Për pasojë, u aktivizua frena e emergjencës, duke shkaktuar vonesa të mëdha dhe konfuzion në rrjetin e transportit publik. Roja e metrosë nuk arriti të ndërhynte për shkak të situatës së tensionuar.

Tifozë të lënduar në stacionin Fröttmaning

Tensione u raportuan edhe në stacionin “Fröttmaning”, pranë stadiumit, ku disa tifozë të Interit mbetën të lënduar, madje edhe të mbuluar me gjak, sipas raportimeve. Fatmirësisht, një gardh sigurie mes shinave ndaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës.

Përleshje dhe hedhje gurësh mes tifozëve

Përplasjet vazhduan me hedhje gurësh nga tifozët e Interit në drejtim të atyre të PSG-së në të njëjtin stacion, ndërsa përleshje fizike ndodhën edhe në stacionin qendror të trenit. Policia ndërhyri me shpejtësi për të ndaluar përshkallëzimin e dhunës. Sipas burimeve nga terreni, grupet ultras kanë nisur marshimin drejt stadiumit nën mbikëqyrje të fortë të forcave të rendit.

Finalja, e cila pritet të ndjekë një spektakël futbolli në fushë, ka përballë dy nga klubet më të mëdha në Europë, por tensionet jashtë stadiumit po errësojnë atmosferën sportive.

Ora 17:58
Hedhje sendesh mes tifozëve të PSG dhe Inter, ndërhyn policia në Mynih! Metroja mbyllet përkohësisht

Pranë stacionit të metrosë 'Universitat' në Mynih, përgjatë linjës U6 që të çon nga qendra e qytetit në stadium, kishte shenja të një përleshjeje midis tifozëve të Interit dhe PSG-së, të cilët gjithashtu hodhën sende drejt njëri-tjetrit. Ndërhyrja e policisë ishte e nevojshme për të shmangur një përplasje të vërtetë. Për shkak të trazirave pranë stacionit të metrosë, linja U6 e Mynihut, e cila shkon nga qendra e qytetit në 'Allianz Arena', u ndërpre si masë paraprake për 26 minuta përpara se të rifillonte funksionimin normal.

Ora 17:52
Luis Enrique tremb Interin, trajneri që nuk ka humbur kurrë një finale! 10 nga 10, po e 11-ta?

Luis Enrique do të ketë mundësinë të shtojë një “Tripletë” të dytë në karrierën e tij si trajner sonte nëse e udhëheq PSG-në drejt fitores ndaj Interit në finalen e Champions League. Përtej kësaj arritjeje të jashtëzakonshme, është rekordi i tij mbresëlënës në finale që mund t’i japë zikaltërve shkak për shqetësim. Ish-trajneri i Romës fitoi La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionëve në të njëjtin sezon me Barcelonën në edicionin 2014-15, duke mposhtur Juventusin 3-1 në finalen e Berlinit.

Rekordi pothuajse perfekt i Luis Enriques në finale

Që kur mori drejtimin e PSG-së në vitin 2023, trajneri spanjoll e ka udhëhequr klubin drejt dy titujve të Ligue 1, dy triumfeve të Kupës së Francës dhe dy fitoreve të Superkupës së Francës.

Kur bëhet fjalë konkretisht për finalet, Luis Enrique krenohet me një rekord pothuajse të përsosur, i dëmtuar vetëm nga një humbje në dy ndeshjet e Superkupës së Spanjës në vitin 2015, kur skuadra e tij Barcelona u mposht 5-1 në total nga Athletic Bilbao.

Siç thekson Le Parisien, trajneri i PSG-së nuk ka humbur kurrë asnjë nga 10 finalet e tij të para të luajtura vetëm një herë. Suksesi i tij më i fundit erdhi vetëm disa ditë më parë, teksa PSG mposhti Reimsin për të fituar Kupën e Francës.

Ora 17:25
Mijëra tifozë 'pushtojnë' Mynihun, Report Tv sjell pamje nga atmosfera para finales PSG - Inter (VIDEO)

Këtë të shtunë në orën 21:00 në Mynih luhet finalja e Champions League mes PSG-së dhe Interit. 64 mijë tifozë do jenë në stadium, teksa prej orës 17:00 ka nisur futja e tyre në impiant. Secili klub ka në dispozicion nga 18 mijë bileta, ndërsa pjesa tjetër dolën në treg para se të mësoheshin emrat e skuadrave finaliste dhe tifozët do jenë të përzierë.

Gazetari i Report Tv, Ernest Koçi sjell pamja nga hapja e dyerve të "Allianz Arena", me tifozët që po futen në stadium. Ndërkohë që drejt Mynihut kanë udhëtuar rreth 40 mijë tifozë të Interit, paçka se pjesa dërrmuese pa bileta.

Ora 17:14
Pse Kristjan Asllani mund të jetë shumë i rëndësishëm për Interin në finalen e Champions League


Kristjan Asllani pritet ta fillojë nga stoli ndeshjen e sotme finale. Mesfushori shqiptar i Interit mund të jetë shumë i rëndësishëm kundër PSG-së nëse finalja e Champions League shkon me penallti dhe këtë e shpjegon "Gazzetta dello Sport".

Nëse ndeshja shkon me penallti, lideri i Interit është Hakan Calhanoglu. Mesfushori turk ka një rekord mbresëlënës; 49 gola nga 55 përpjekje gjatë karrierës së tij, përfshirë 19 nga 20 në Serie A.

Megjithatë, Calhanoglu ka luajtur vetëm dy herë të plota 90 minutat në 14 ndeshjet e këtij sezoni në Ligën e Kampionëve, që do të thotë se nuk është e sigurt nëse ai do të jetë ende në fushë nëse ndeshja përfundon në penallti.

Nëse Calhanoglu del nga loja, Kristjan Asllani mund të jetë zgjedhja e radhës. 23-vjeçari është ndër lojtarët e përgatitur për të marrë përsipër përgjegjësinë e penalltive, sipas La Gazzetta dello Sport.

Mesfushori tjetër, Henrikh Mkhitaryan, ka shënuar 12 herë nga 15 tentativa dhe mund të përfshihet gjithashtu, nëse është ende në lojë.

Ora 16:27
Interi luan sot me shirit të zi në krah në nderim të ish-presidentit


UEFA ka dhënë miratimin dhe sonte në finalen e Ligës së Kampionëve kundër PSG-së, Interi do të luajë me shirita të zinj në krah në kujtim të Ernesto Pellegrinit. Ish-presidenti i zikaltërve mbylli sytë sot në moshën 84-vjeçare.

Ora 16:25
Policia bavareze në alarm para finales, priten 650 ultras agresivë! Plani për t'i ndalur

Situatë e qetë në Mynih, vazhdimisht mbi qytet qëndron një helikopter. Dy zonat e tifozëve janë ende gjysmë të zbrazura, ndërsa në 'Marienplatz' dhe rrugët ngjitur shumica e tifozëve janë të Interit. Policia bavareze pret që 150 ultras të dhunshëm të PSG-së dhe 500 tifozë të Interit të mbërrijnë me makina. Plani është t'i ndalojë ata përpara se të hyjnë në qytet.

Ora 16:18
PSG - Inter, finalja e dy gjeneratave


PSG - Inter do të jetë edhe një ndeshje mes gjeneratash të ndryshme. PSG është skuadra më e re që kaloi fazën play-off: 24 vjeç, 262 ditë ndërsa Interi është ekipi më i vjetër i kompeticionit me moshën mesatare: 30 vjeç, 19 ditë.

Ora 16:13
Masa të rrepta sigurie në qendër të Mynihut

Vendosja e policisë në qendër të Mynihut është e jashtëzakonshme. Përveç furgonëve dhe oficerëve (2,000 oficerë u vendosën vetëm në qytet) ka edhe barriera të lëvizshme për të parandaluar kalimin e automjeteve. Në fakt, ekziston frika e sulmeve ose akteve të çmendura si ato që ndodhën në Liverpool, ku një makinë goditi dhe plagosi 27 persona.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?