Kombëtarja dështon sërish të fitojë, Lituania 'kockë e fortë' (VIDEO)

14 Tetor 2020, 16:52| Përditesimi: 14 Tetor 2020, 20:48

  • Share

Kombëtarja shqiptare nuk ka arritur të hakmerret për humbjen e një muaji më parë kundër Lituanisë, pasi në ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve kuqezinjtë nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 0-0 edhe pse patën disa raste të pastra shënimi.

Në këtë 90 minutësh Reja bëri disa ndryshime në formacion nga ndeshja me Kazakistanin ku aktivizojë nga minuta e parë Lenjanin në vend të Trashit, Laçin në vend të Kallakut dhe Seferin në vend të Manajt.

Rasti i parë për t’u evidentuar ishte në minutën e 23 kur një top i prekur me dorë në zonë nuk u akordua penallti në favor të kuqezinjve. Për më tepër për protesta u ndëshkua me të verdhë Qazim Laçi. Në minutën e 37 ishte portieri i skuadrës vendase që bëri heroin duke pritur një goditje të bukur në zonë nga Seferi.

E njëjta skemë u përsërit sërish në minutën e 65 kur Seferi i vetëm për vetëm nuk realizoi me portierin. Deri në fund në listën e shpërdorimeve e vendosi emrin edhe Trashi, që ndoshta pati mundësinë më të mirë për t’i dhënë tre pikët Kombëtares.

Për kuqezinjtë ky ishte barazimi i dytë radhazi 0-0, pasi tre ditëve i njëjti rezultat u përsërit me Kazakistanin. Pas katër ndeshjeve në grup kuqezinjtë gjenden në kuotën e 5 pikëve, ndërsa kanë realizuar vetëm 2 gola. Dy ndeshjet e fundit në grup do të luhen në nëntor në stadiumin Air Albania ku ekipi i drejtuar nga Reja do të presë Bjellorusinë dhe Kazakistanin.

Ora 21:00
‘Jam shumë i mërzitur, na u mohua një penallti!’ Seferi për ndeshjen me Lituaninë: I kërkoj falje të gjithë çunave

Taulant Seferi, sulmuesi i kombëtares shqiptare, është shprehur shumë i zhgënjyer me arbitrimin në përfundim të ndeshjes me Lituaninë, të cilën e barazuam me rezultatin 0-0. Seferi ishte edhe autori i dy rasteve të mira për gol, por njëkohësisht edhe ai që goditi topin në rastin e dyshimtë për penallti.

“Jam shumë i mërzitur. 100% e kemi merituar fituar. Kemi fituar çdo duel në fushë. Fati nuk na deshi. Jam i mërzitur. I kërkoj falje të gjithë çunave. Mendoj se kam bërë një super paraqitje, ishte ndeshja ime e parë si titullar dhe besoj shumë në veten time se në të ardhme do të vijnë shumë gola për Kombëtaren. Besoj që Kombëtarja është duke shkuar në rrugë të mirë.

Ishte 100 % penallti ajo, topi po shkonte drejt portës, do futej gol. Gjykimi ka qenë katastrofik. Nuk ka qenë në favor tonin. Prandaj them që 100% e kemi merituar fitoren, nuk na deshi fati. Kam 2 vite që luaj sulmues qendre, ky pozicion po më përshtatet më shumë”, u shpreh Seferi për “Supersport”.

Ora 20:30
‘Mungon sulmuesi që bën golat’, Reja: Gjyqtari na mohoi një penallti (VIDEO)

Në përfundim të ndeshjes me Lituaninë trajneri Reja është shprehur i keqardhur që Kombëtarja nuk mundi të realizonte në një nga rastet e shumta që krijoi. Sipas trajnerit italian kuqezinnjve i mungon një sulmues që të dërgojë topin në rrjetë, por ai thekson se me rëndësi është projekti për rigjenerimin e ekipit.

3 ndeshje pa shënuar gol- Me të vërtet më vjen keq. Krijuam shumë raste. Na u mohua një penallti që për mendimin tim ishte. Nuk dua të justifikohem. Krijuam raste, por për të fituar duhet të shënosh gol. Patëm raste me Seferin dhe Trashin. Në qoftë se nuk shënojmë është faji jonë.

Zëvendësimi i Lenjanit- Ndryshimi ndodhi për shkak se Lenjani dha shumë në pjesën e parë. Pati zbritje nga krahu dhe u fut në zonë.. Krosimet i kishte të ulta. Trashin e futa për t’i dhënë një natyrë tjetër lojës. Kemi 5 ndërrime, doja që secili nga repartet të kishte freski.

Mungesa e Kallakut dhe sulmuesit- Fakti që në ndeshjen e Kazikistanit Kallaku pati performancë të mirë, nuk do të thotë që do të ishte detyrimisht pjesë e ndeshjes së sotme. Ka pasur shumë lojtarë të rinj që iu dhamë mundësinë. Nuk e kemi problemin te krijimi i rastit por te finalizimi. Na ka munguar goli. Na mungojnë lojtarët që të kenë ftohtësinë për të konkretizuar. Rëndësi ka projekti dhe plani për të krijuar një rigjenerim të ekipit me këta lojtarë të rinj.

Broja dhe Kumbulla- Ndërrimi i Kumbullës ishte zgjidhje e imja. Mendoj që ishte vendim i duhur, çdo kush ka idenë e tij. Broja bëri një ndeshje të mirë, mbase jo aq sa ajo ndaj Kazakistanit. Unë duhet t’i jap mundësinë të gjithë të rinjve që të fitojnë eksperiencën. Të japin diçka në lojë dhe të kontribuojnë në ekip. Të njëjtën gjë bëra edhe në sulm, me aktivizimin e Manajt dhe Vrionit. Është e vështirë kur luan në transfertë të gjatë, mbas 3 ditësh. Isha i kushtëzuar ti bëja këto zgjedhje.

2 ndeshjet që na presin, janë mundësi që të marrim 6 pikë dhe të jemi në krye të grupit. Barazimet që sapo kaluam nuk është se më bëjnë të ndihem mirë. Shtysa për të vijuar është shumë e fortë”, u shpreh Reja për “Supersport”.

Ora 19:55
Kombëtarja nuk ‘hakmerret’ dot, rastet e shumta nuk mjaftojnë kundër Lituanisë

90+5’ Përfundon ndeshja e Kombëtares, barazon 0-0 me Lituaninë. Kuqezinjtë shpërdorojnë shumë raste, ky barazimi i dytë radhazi. Ndeshja e vlefshme për Ligën e Kombeve, Kombëtarja në kuotën e 5 pikëve

Ora 18:49
Nis pjesa e dytë, 45 minuta në dispozicion të Kombëtares për 3 pikët kundër Lituanisë

46’ Ka nisur pjesa e dytë e sfidës, me Kombëtaren që shpreson të dalë me pikë të plota.

Ora 18:41
Kombëtarja krijon disa raste, por pjesa e parë me Lituaninë mbyllet me porta të paprekura

45-2’ Përfundon me rezultatin 0-0 pjesa e parë edhe pse Shqipëria ishte më kërkuese për golin.

Ora 18:27
Seferi i fut të dridhurat Lituanisë, por portieri i mohon golin kuqezinjve

38’ Pas një këmbëngulje të gjatë Seferi godet bukur në zonë, por portieri i Lituanisë bën mrekullinë duke shpëtuar kuadratin pasi e dërgoi topin në goditje këndi.

Ora 18:26
Mbrojtësi i Lituanisë ndal topin me dorë, kuqezinjtë kërkojnë penallti! E verdhë për protesta ndaj Laçit

23’ Një moment tepër i dyshimtë në zonën e Lituanisë, pasi Kombëtarja pretendon për një prekje topi me dorë. Nga pamjet dallohet qartë se topi është ndalur me dorë, por për gjyqtarin nuk ka 11-metërsh. Të verdhë për Qazim Laçin për protesta.

Ora 18:01
Starton ndeshja në Lituani, Kombëtarja kërkon hak me ndryshime në formacion

1’ Ka nisur në Lituani ndeshja e Kombëtares, me kuqezinjtë të cilët duan të hakmarren për atë humbje një muaj më parë më rezultatin 1-0 në Air Albania.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • gezimi: 18/10/2020 11:43

    Ekip zorraxhinjsh.... Gjithmon rrifen dhe nxirni pretekse. Tifozeria duhet ta bojkutoi kete ekip me gjith trenieret qe marin miljona dhe nuk ka asnje rezultat.

    Përgjigju
  • Tironci: 15/10/2020 07:20

    O Sefero luajtet shum mire po fati nuk ju desht!por per penalltin qe nuk jua dha mos u merzit shum,se edhe atyre jua hengri nje penallti sade futbolli i ka keto,prandaj mos u merzit.

    Përgjigju
  • redi: 14/10/2020 20:10

    Sukses se moren dy pike jasht fushe .

    Përgjigju
    • Staplerfahrer: 14/10/2020 21:22

      O redo kta vetem futbollist nuk Mund ti thuash cfare te duash quaji

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?