Sport

Jasir Asani shmangu turpin me një 11 metërsh, Kombëtarja fiton 0-1 miqësoren në Gjibraltar! Debutojnë Kacurri dhe Cristian Shpendi (VIDEO)

4 Shtator, 16:50| Përditesimi: 4 Shtator, 22:36

  • Share

FT/ Gjibraltar 0-1 Shqipëri (Jasir Asani 69' (p))

GJIBRALTAR - Kombëtarja shqiptare e futbollit iu fal një penalltie të Jasir Asanit në minutën e 69-të për të fituar 0-1 miqësoren kundër Gjibraltarit në udhëtim. Ky ishte dueli i parë në histori mes dy skuadrave.

Ndeshja ishte e vështirë dhe u desh një prekje topi me dorë në zonën kundërshtare që ekipi i drejtuar nga Sylvinho të shmangte turpin, edhe pse pas këtyre 90 minutave ngrihen shumë pikëpyetje mbi lojën, kundrejt rivalit më të dobët që jemi ndeshur dhe që renditen në vendin e 199 në FIFA.

Trajneri Sylvinho provoi nga minuta e parë emra të rinj në mesin e fushës, teksa në prapavijë debutoi Maldini Kacurri nga minuta e parë. Në fillimin e pjesës së dytë duhej hedhja në fushë e debutuesit tjetër, Cristian Shpendi, që gjërat në sulm të ndryshonin. Deçizive ishte minuta e 68-të, me Shpendin që kontrolloi një top në zonë, lëvizi bukur dhe kundërshtari Pozo e ndali topin me dorë. Për arbitrin uellsian Jones nuk kishte dyshime që ishte penallti.

Nga 11 metra u paraqit Jasir Asani, i cili nuk gaboi dhe e ndali sferën në rrjetë, për të çliruar Sylvinhon në stol dhe gjithë tifozët. Vijimi i lojës pa Cristian Shpendin me tjetër 'marsh', por sulmuesi debutues u ndal nga portieri Banda dhe prapavija mike. Vlen të theksohet edhe goditja e traut të portës nga Medon Berisha në pjesën e parë, por në përgjithësi ndeshja ishte për t'u harruar.

Megjithëse Sylvinho ka shumë pikëpyetje në kokë, e gjithë vëmendja do jetë më 9 shtator në 'Air Albania', aty ku tanët presin Letoninë për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës. Ky duel është më shumë se i rëndësishëm për tanët në kërkim të "ëndrrës amerikane".

Komentet më të rëndësishme:

90+4' Mbyllet 0-1 për Shqipërinë ndeshja në Gjibraltar.

90+3' Asani merr karton të verdhë.

90' Katër minuta shtesë.

76' Enis Çokaj ndëshkohet me karton të verdhë.

71' Nedim Bajrami i bën vend Enis Çokajt.

69' GOOL! Cristian Shpendi vepron bukur në zonë dhe Pozo e ndal me dorë. Penallti për tanët dhe nga 11 metra Jasir Asani nuk gabon. Kombëtarja merr kryesimin 0-1 në udhëtim. 

61' Mario Dajsinani i bën vend Simon Simonit në portë.

57' Cristian Shpendi lëviz bukur në zonë dhe del i vetëm pa markim, goditja e tij pas pasimit të Asanit del jashtë stadiumit,

52' Kuqezinjtë tundin rrjetën me Asanin pas një aksioni në qendër, por goli anulohet për pozicion jashtë loje.

49' Kacurri ndërhyn keq në hyrje të zonës. Faull dhe karton i verdhë për mbrojtësin tonë, goditja e Scanlon bllokohet nga muri mbrojtës. 

46' Sylvinho e nis pjesën e dytë me tre zëvendësime. Në fushë Cristian Shpendi që debuton me ekipin A, Balliu, Hoxha. Në dhomat e zhveshjes kanë mbetur Hysaj, Daku dhe Broja. Nis pjesa e dytë.

45+3' Mbyllet 0-0 pjesa e parë. Pjesë e parë e vakët dhe për t'u harruar nga kuqezinjtë.

45' Tre minuta shtesë.

43' Medon Berisha sërish nga jashtë zone. Topi devijohet dhe godet traun e portës. Fantastik Berisha.

34' Medon Berisha provon nga 25 metra, topi devijohet në këndore. Rasti më i mirë i ndeshjes.

33' Jolley tension me Armando Brojën, arbitri i këshillon.

30' Gjysmë ore për t'u harruar, asnjë rast konkret nga dy ekipet.

23' Asnjë rast goli, skuadrat marrin një pushim të shkurtër për t'u freskuar nga temperaturat e larta.

20' Del Rio bën goditjen e parë në kuadrat, ndal Dajsinani.

17' Jasir Asani provon nga goditja e këndit, sfera del jashtë.

16' Valerino i vendasve merr karton të verdhë.

8' De Barr shkakton faull në dëm të Medon Berishës.

5' Tanët kontrollojnë lojën.

1' Nis ndeshja në 'Europa Point', Kombëtarja luan në udhëtim.

Formacionet zyrtare:

Gjibraltari (skema 4-3-3): Banda; Jolley, Torrilla, Lopes, McClafferty; Scanlon, Valarino, Pozo; Richards, Del Rio, De Barr Trajner: Soctt Wiseman

Shqipëria (skema 4-3-3): Dajsinani; Hysaj, Kacurri, Kumbulla, Aliji; Pajaziti, Medon Berisha, Nedim Bajrami; Asani, Broja, Daku Trajner: Sylvinho

Ora 22:34
Fitorja me vuajtje në Gjibraltar, Sylvinho: Ndeshje e vështirë, të gjitha forcat te Letonia

Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, foli pas ndeshjes miqësore që Shqipëria fitoi 0-1 në Gjibraltar. Edhe pse kundër një kundërshtari modest, ekipi ynë vuajti dhe u desh penalltia e kthyer në gol nga Asani që kuqezinjtë mos turpëroheshin. Sylvinho e quan një takim të vështirë, por tani fokusi do jetë më 9 shtator në Tiranë, në sfidën e Grupit K kualifikues të Kupës së Botës kundër Letonisë.

“Një ndeshje e vështirë. E kam thënë që është gjithmonë e vështirë të përgatitësh një miqësore para një ndeshje të rëndësishme zyrtare siç është Letonia. Është shumë e vështirë. Por ata kanë bërë shumë mirë, 3-4 lojtarë të rinj, që luajnë për herë të parë nga fillimi me ne. Kanë bërë shumë mirë, nuk është e thjeshtë për ta. Mua më kujtohet që në përfaqësuesen e Brazilit, kur debutova, nuk më ka zënë gjumi natën. Jam i lumtur për ta. Edhe për të tjerët. Kemi bërë një paraqitje të mirë, në një ndeshje të vështirë, nuk ishte e thjeshtë.

Kemi bërë diçka të rëndësishme, kemi parë ndonjë lëvizje, por kaq, është gjithçka ende e hapur. Kemi 3-4 ditë stërvitje të mira për të përgatitur shumë mirë një ndeshje shumë të rëndësishme për ne si ajo me Letoninë në shtëpi. Do punojmë në ditët në vijim dhe është çdo gjë e hapur.

Kemi bërë 3-4 ditë në këtë grumbullim, kemi parë se është një ambient shumë i mirë mes nesh. Do kthehemi në Tiranë nesër dhe të presim publikun tonë, që të mund të na japë një shtysë të mirë se është një ndeshje e rëndësishme për ne. Duhet të japim gjithçka në fushë, ajo që duam ne është një atmosferë e mirë mes të gjithë nesh, edhe futbollistëve”, tregoi Sylvinho pas ndeshjes.

Ora 20:20
Erjon Bogdani s'i kursen kritikat për Kombëtaren: Pa dëshirë dhe ritëm, prisja më shumë

Erjon Bogdani, ish-sulmuesi që mban numrin më të lartë me 18 gola të shënuar për Kombëtaren, s'i ka kursyer kritikat për ekipin kuqezi pas fitores minimale 0-1 kundër Gjibraltarit. Penalltia e Jasir Asanit shmangu turpin për tanët.

“Për mendimin tim ishte një ndeshje ku e mira ishte që shumë të rinj bënë praninë e parë në Kombëtare. Por pas kësaj ishte një ndeshje pa ritëm, qarkullim topi, ngadalë, pa gjuajtje në portë, pa dëshirë dhe nuk e di.

Ishte një ndeshje për t’u bërë, nuk është se shërbeu shumë për ndeshjen e ardhshme, mendoj se e ardhmja duhet të jetë komplet ndryshe. Se nëse nuk vendos dëshirën në fushë, qarkullimin e shpejtë, pasi vertikal apo sulmues e mesfushorë që sulmojnë portën.

Ishte ndeshje komplet pa ritëm. Lojtari që tregoi veten në pjesën e parë ishte Berisha me ato dy gjuajtje, me një ekip kaq larg në renditje. Prisja më shumë aksione, gjuajtje në portë, edhe gola e performancë më të mirë”, tha Bogdani për TV Klan pas ndeshjes.

Ora 17:38
Emrin e mori nga legjenda Maldini, kush është 19-vjeçari Kacurri që debuton sot me Kombëtaren

I lindur më 4 tetor 2005, Maldini Kacurri që kur u 'njoh' për herë të parë me botën ishte i destinuar për të mbrojtur. Talenti 19-vjeçar i Arsenalit e ka marrë emrin nga legjenda e Milanit, Paolo Maldini. Pasi debutoi me ekipin e parë të Arsenalit dhe disa muaj i kaloi në huazim te Bromley për të fituar përvojë, mbrëmjen e sotme (4 shtator) ai do debutojë me Kombëtaren A të Shqipërisë. Pjesë e Shpresave (ka luajtur vetëm një miqësore), largimi i Adrian Bajramit nga Shqipëria për te Zvicra i dha mundësinë Sylvinhos që të afronte Kacurrin dhe menjëherë nuk mungoi besimi duke e vendosur në fushë krah Marash Kumbullës.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tifoz: 05/09/2025 00:39

    Daku, Broja, Asani, Bajrami komplet jashte forme, nuk paten nje gjuajtje..Ekipi pa fryme, pa ide, pa gjunje. Mungesa e Ramadanit, Asllanit, Laçit, Shehut u ndje gjate gjithe kohes. Miqesoret jane per eksperimente por jo per t'u tallur. Trajneri eshte pergjegjesi kryesor

    Përgjigju
  • Toto: 04/09/2025 21:44

    Skandaloze shkarkumi i kti traineri urgjenrusht nja trainer palaco nja aamator

    Përgjigju
    • Niku: 04/09/2025 22:36

      Shumë mir e ke thën. Me këtë trajner palaço nuk fitojm as një ndeshje. Do dalim të fundit në grup.

  • Yjet e skiperis me zi fitun: 04/09/2025 20:23

    Imagjinoje me letonin se cfar mund te presesh

    Përgjigju
  • Tifoz: 04/09/2025 20:00

    Ndeshje shume e dobet.

    Përgjigju
  • Lala: 04/09/2025 19:56

    A nuk esht turp me bo vetem 1 gol me gjibraltarin? 4 kamariera.4bojaxhinj 1 shofer taxie ene 2 fatorino treni ne formacioni te gjibraltarit

    Përgjigju
  • Shpendi: 04/09/2025 19:36

    Shpendi lojtar perfekt shume mé mire sesa Manaj

    Përgjigju
  • Drejt: 04/09/2025 19:33

    Rrjetë...po i hoqe ë del fjalè tjetër

    Përgjigju
  • Qytetari: 04/09/2025 19:18

    Nobody cares

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me propozimin e Ramës për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet?