Kombëtarja shqiptare e futbollit luan të enjtë më 12 tetor në "Air Albania" kundër Çekisë, me sfidën e orës 20:45 që vlen për kualifikueset e Euro 2024 në grupin E. Dueli është si një finale për tanët, pasiqë me një fitore të mundshme do ishim më pranë "Gjermani 24".
Me vendin e parë në grup, kuqezinjtë vijnë pas rezultateve pozitive që kërkohet të përsëriten. Sa i takon vendosjes në fushë, trajneri Sylvinho duket se nuk do ndryshojë shumë nga ndeshjet e fundit. Skema pritet të jetë 4-3-3, ndërsa mungesë e sigurt është ajo e Ardian Ismajlit. Mbrojtësi i Empolit ka një lëndim muskulor dhe nuk do jetë me grupin.
Në dyshim është edhe Gjasula, me mesfushorin e Darmstad që ka një infeksion në grykë dhe vetëm sot do vendoset nëse ai do jetë ose jo me ekipin. Duket se braziliani i stolit ka dyshime për sulmin, ku Uzuni dhe Muçi presin një fanellë titullari nëse do ketë surpriza.
Në vend të Ismajlit në mbrojtje pritet Arlind Ajeti, teksa pjesë e grupit janë edhe Muja dhe Daku për sulmin.
Formacioni i mundshëm:
Shqipëria (4-3-3): Berisha; Hysaj, Gjimshiti, Ajeti, Mitaj; Ramadani, Asllani, Bajrami; Asani, Seferi, Cikalleshi Trajner: Sylvinho